E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e punës, të huajt kapin vendet për specialistët

Autori i Lajmit: Denisa Kona

Zyrat e Punës rregjistrojnë të gjitha vendet e lira të punës, por ato nuk mund të detyrojnë punëdhënësit për të marrë punonjësit e tyre, veçse tu sugjerojnë. Nga ana tjetër, ligji detyron punëdhënësit që të mos marrin punëtorë të huaj, nëse për proceset e kërkuara të punës, ekziston fuqi punëtorë ne vend. Në Ministrinë e Punës thonë se ligji zbatohet, të paktën nuk ka asnjë rast ankimi zyrtar që të dëshmojë se për një vend pune merret punëtor i huaj në vend të punëtorit shqiptar. Por në disa nga firmat, sidomos të huaja punojnë punëtorë të huaj, kur të tillë në vend ka plot. Burime zyrtare thonë se në disa nga kontrollet, punëdhësit e huaj janë justifikuar se marrin punëtorë jo vendas, sepse shqiptarët janë dembelë dhe e bëjnë punën me hile. Pretendimi tjetër është se ata ofrojnë një aftësi të specializuar që punëtorët shqiptarë nuk e kanë, pretendim që i mbetet Inspektoratit të Punës ta faktojë... Ndërkaq, firmat e huaja shpesh marrin në postet më të kualifikuara specialistë të huaj, që duhet të qëndrojnë deri në 8 muaj, kohë brenda së cilës një punonjës tjetër shqiptar duhet të kualifikohet. Por ripërtëritjet e lejeve të punës dëshmojnë tërthorazi se ata qëndrojnë më gjatë. Sidoqoftë, le të ndjekim intervistën me specialistin e Ministrisë së Punës në Drejtorinë e Migracionit, z. Durim Hatibi, i cili na kujton se Inspektorati është një institucion autonom me buxhet më vete.

-Neni 40 i ligjit Nr.9959, datë 17.7.2008 në kreun V për lejet e punës për të huajt thotë se “leja e punës për të huajin, si punëmarrës, lëshohet duke mbajtur parasysh zhvillimet dhe nevojat e tregut të punës në Republikën e Shqipërisë, pas testimit të vendit të lirë të punës.” Pika e parë (a) thotë se “Autoriteti shtetëror përgjegjës, përpara miratimit të kërkesës së një të huaji për plotësimin e një vendi të lirë pune, duhet të bëjë vlerësimin, nëse ky vend mund të zihet nga punëkërkues të papunë shqiptarë”. Pyetja jonë është: Si dhe sa është zbatuar kjo pikë e ligjit? A ka gjetur Ministria raste të shpërfilljes së tij?
Mendoj që është zbatuar 100% sepse është detyrim ligjor edhe nga punonjësit e zyrave të punësimit vendore dhe rajonale ku bëhet deklarimi i çdo vendi pune të lirë që krijohet. Por më mirë do të ishte të merrej një konkluzion nga terreni, ndërsa ne si Ministri nuk kemi pasur raste as ankimimi apo konstatimi për moszbatim të ligjit.
-Shumë të huaj punojnë pranë institucioneve tona më të larta të shtetit. Ka ndonjë klauzolë për ta?
Këtu duhet të bëjmë një qartësim se në institucionet e shtetit, ligji nuk e lejon të punësosh të huaj, detyrimisht duhet të kesh shtetësinë shqiptare. Kushtetuta vërtet u jep shumë të drejta punëtorëve të huaj, baras me punëtorët shqiptarë, por në këtë aspekt duhet shtetësia shqiptare. Por nëse janë këshilltarë apo ekspertë në institucione qendrore, kuptohet që përjashtohen nga detyrimi për leje pune. Ka një kategori të veçantë në ligj për këta persona.
-A ka përparësi ligjore apo politika shtetërore të ndjekura në parapëlqimin e shtetit nga i cili vijnë të huajt punëkërkues?
Ligji nuk bën dallime lidhur me shtetësinë. Pra, të gjithë të huajt nuk kanë as avantazhe dhe as disavantazhe, pavarësisht nga vendi i origjinës. Por ka disa shkallëzime. Më parë është përparësia që i jepet shtetasit shqiptar, pastaj nëse ka bashkëshortin shqiptar; ata që kanë kombësinë shqiptare dhe në rend të katërt, gjithnjë në rast se një vend pune ka kandidatë me të njëjtat aftësi, atëherë shihet nëse është punëtor nga vendet e BE-së apo jo. Por nuk ka asnjë dallim në listën e dokumenteve dhe përpunimin e të dhënave.
-A ka përparësi ligjore, punësimi në sektorë të caktuar të ekonomisë shqiptare për të huajt? Pra, dua te them, a ndikon këtu specialiteti, profesioni që ata kanë?
Po, ka dallim dhe profesioni ndikon shumë, sepse ka vende pune që kërkojnë aftësi të munguara në tregun shqiptar, pra ku kërkohen fuqi pune tepër të kualifikuara si menaxherë, financierë, specialistë me aftësi të veçanta, por këto hyjnë në një kategori të posaçme të ligjit për të huajt, kur ka transferime brenda një ndërmarrjes. Përshembull, nëse një ndërmarrje mëmë në Austri hap një filial këtu, punëdhënësi në bazë të një direktive evropiane, personelin kyç ka të drejtë ta marrë nga vendi i tij. Por kjo, për sa kohë që tregu ynë ka aftësi të munguara.
-Është fjala për profile pune që ka fuqi punëtore në vend. Nëse punëdhënësi i huaj merr punëtorë nga vendi i tij, atëherë këtu nuk shohim asnjë lloj përparësia për punëtorin shqiptar
Nëse ka punëkërkues shqiptarë, ata duhet të rregjistrohen në zyrat e punësimit, që nëpunësi i zyrës së punësimit të ketë një profil të qartë dhe tia propozojë punëdhënësit që deklaron vendet e lira të punës. Sepse punëdhënësi është i detyruar të shpallë vendin e lirë të punës dhe për katër javë ta bëj atë publik. Këto janë mënyrat për të mbrojtur fuqinë punëtore. Askush nuk mund të punësohet ligjërisht, nëse punëmarrësi nuk deklaron vendin e lirë të punës.
-Kërkesa që të huajt kanë për tu punësuar në Shqipëri është më e madhe për vende pune që kërkojnë kualifikime apo që kërkojnë punëtorë të pakualifikuar? Realisht, çfarë kemi punësuar më shumë në vendin tonë: specialistë të huaj, punëtorë të kualifikuar të huaj (teknikë) apo punëtorë të pakualifikuar?
Kërkesa më e madhe është për punëtorë të kualifikuar. Ndërsa për të vetëpunësuarit ka dy detyrime: Të kenë një plan-biznesi që ti shërbejë zhvillimit ekonomik rajonal të miratuar dhe të kenë një shumë të caktuar parash, që duhet të investojnë në Republikën e Shqipërisë.
-A aprovohen gjithnjë kërkesat e të huajve për të punuar në Shqipëri dhe faktikisht, sa kërkesa janë refuzuar në raport me pranimin e tyre?
Leje të refuzuara pune me informacionin që kam, nuk ka. Mund të jenë refuzuar për arsye të ndryshme që nuk lidhen me tregun e punës. Këto janë atribute të Ministrisë së Brendshme apo të organeve speciale.
-Pagat tona janë shumë të më vogla se të punonjësve në vende si ato të BE-së. Si e shpjegoni ju që të ketë kërkesë për të punuar në Shqipëri nga qytetarë të këtyre vendeve?
Fakti që këta janë të punësuar në disa sektorë të veçantë që kërkojnë kualifikim, tregon se mund të kenë paga të kënaqshme.
-A ndikon bashkimi familjar me shtetas shqiptar në lëshimin e lejes së punës?
Për bashkimin familjar është parashikuar me ligjin e ri pajisja me leje pune e anëtarit të familjes. Mendoj se kjo është risi, sepse anëtari i familjes pajiset me leje pune të veçantë, që nuk lidhet domosdoshmërisht me lejen e punës së kryefamiljarit. Këtë nuk e kanë shumë vende. Në shumë vende, bashkëshorti i huaj fiton lejen e qëndrimit për shkak të martesës me një shtetas vendas, por jo lejen e punësimit. Ne e kemi bërë edhe këtë.
-Të huajt që punojnë në OJF, a pajisen me leje pune?
Përfaqësues kryesorë të OJF-ve nuk pajisen me leje pune, ndërsa punëtorë të tjerë që janë të punësuar aty, pajisen. Drejtuesit kryesorë të OJF-ve, përfaqësuesit e komuniteteve fetare e të shoqatave humanitare nuk pajisen me leje pune, Janë kategori të veçanta.
-A kemi raste kur punëdhënësi i huaj refuzon të punësojë punëtorin shqiptar për të marrë një punëtor nga vend i tij?
Unë nuk kam një rast të tillë zyrtar. Mundet që një punëtor shqiptar të kërkojë punë tek një firmë, duke qenë murator shumë i mirë, por mund të mos dijë të montojë panele diellore. Duke ruajtur rezerva për shqetësimin tuaj të ligjshëm, këtë shqetësim e kemi edhe ne. Por ne nuk dimë zyrtarisht, që një punëdhënës të ketë këmbëngulur të marrë punëtorin e huaj, kur i është ofruar një punëtor shqiptar po aq i kualifikuar.
-Lejet e punës janë më së shumti afatgjata apo afatshkurtra?
Janë kryesisht afatshkurtra për vetë natyrën e migracionit shqiptar. Leja fillestare e punës ka kohëzgjatje 1-vjeçare, gëzohet e drejta e ripërtëritjes dy herë nga dy vjet në përmbushje të kriterit kohor të qëndrimit dhe punësimi 5-vjeçar. Me plotësimin e këtij kriteri kohor, plus dhe të kritereve të tjera, i huaji pajiset me leje të vazhdueshme pune, që është zbatim i direktivave evropiane.

Vizitorët e huaj në 2009

Harta e të huajve që shkelën Shqipërinë nga Hong-Kongu në Islandë

Në vitin 2009 në Republikën e Shqipërisë kanë hyrë një numër i madh shtetasish të huaj kryesisht me shtetësi italiane (110758), maqedonase (331 289), kosovare (282 238), malazeze (127 1470), greke (110 585), angleze (62751). Por harta e vendeve të origjinës së të huajve që kanë hyrë vitin e shkuar në Shqipëri është shumë e madhe; Ajo shtrihet jo vetëm në Evropë, por edhe në Afrikë, Azi, Amerikën e Jugut dhe Amerikën e Veriut. Janë të huaj nga plot 124 vende, duke nisur nga ato më të afërtat fqinje e të Rajonit e deri në Australi, Japoni e Kanada. Nga Kuba me 31 vizitorë, në Kuvajt me 82 dhe Afrikën e Jugut me 82. Që nga vendet e BE-së si Danimarka me 3074 persona, Tanzania me 3 apo Tajvani me 90. Vetëm nga SHBA-të kanë hyrë në Shqipëri 49 277 vetë, ndërsa nga Zelanda e Re 132 të tjerë. 671 shtetas të huaj kanë hyrë nga Korea e Jugut dhe 4558 nga Rusia. 115 vetë nga Singapori, ndërsa nga shteti i vogël i Lihtenshjenit janë 30 shtetas të huaj...

Neni 39 Article 39
Përjashtimi nga detyrimi i pajisjes me leje pune

1. 1. Përjashtohen nga detyrimi për tu pajisur me leje pune subjektet e mëposhtme:
a) konsulentë apo këshilltarë pranë institucioneve qendrore shtetërore;
b) misione asistence teknike, pranë institucioneve qendrore, nga organizata ndërkombëtare;
c) përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare me status diplomatik;
ç) i huaji, që gëzon privilegje dhe imunitete, diplomatike dhe konsullore, sipas së drejtës ndërkombëtare;
d) personeli i transportit ndërkufitar të mallrave dhe njerëzve, kur ato nuk qëndrojnë në territorin shqiptar më shumë se tre muaj dhe selitë e të cilave janë regjistruar jashtë vendit;
dh) i huaji, pjesëtar i forcave ushtarake apo i një njësie civile të një anëtari të NATO-s;
e) personi, që mban më shumë se një shtetësi, njëra prej të cilave është ajo shqiptare;
ë) përfaqësues të masmedias, reporterë apo korrespondentë të huaj, të akredituar në Republikën e Shqipërisë, që punojnë për një punëdhënës të huaj;
f) persona, që negociojnë për një marrëveshje apo përkujdesen për një pavijon në një panair, me kohëzgjatje deri në një muaj;
g) persona, që instalojnë makineritë apo konstruksionet, që dorëzohen nga një shoqëri e huaj dhe bëjnë shërbimin e riparimin e makinerive, si dhe trajnimin e punonjësve, shqiptarë ose të huaj, për shfrytëzimin e tyre, deri në një muaj;
gj) drejtuesit kryesorë të organizatave jofitimprurëse, të cilët nuk shpërblehen për punën e tyre;
h) përfaqësues të institucioneve apo fondacioneve fetare dhe humanitare, të njohura dhe të regjistruara në organet përgjegjëse të shtetit shqiptar, të cilët nuk shpërblehen për punën e tyre;
i) pjesëtarë të ekuipazheve të anijeve apo të avionëve, me qëndrim të përkohshëm deri në tre muaj në Republikën e Shqipërisë;
j) vizitorë biznesi, që qëndrojnë më pak se një muaj në Republikën e Shqipërisë;
k) lektorë, studiues apo specialistë të huaj, që vijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe qeveritare apo të vetë institucioneve arsimore.

Neni 40 Article 40
Nevojat e tregut të punës për punëmarrësit

1. 1. Leja e punës për të huajin, si punëmarrës, lëshohet duke mbajtur parasysh zhvillimet dhe nevojat e tregut të punës në Republikën e Shqipërisë, pas testimit të vendit të lirë të punës.
2. 2. Autoriteti shtetëror përgjegjës, përpara miratimit të kërkesës së një të huaji për plotësimin e një vendi të lirë pune, duhet të bëjë vlerësimin, nëse ky vend mund të zihet nga:
a) punëkërkues të papunë shqiptarë;
b) të huaj, anëtarë të familjes së shtetasve shqiptarë;
c) anëtarë të familjes së të huajit, me qëndrim të rregullt në Republikën e Shqipërisë;
ç) shtetas të shteteve anëtare të BE-së ose të vendeve, me të cilat Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshje dy apo shumëpalëshe;
d) të huaj, që gëzojnë përparësi për përfshirje në tregun shqiptar të punës, sipas dispozitave të këtij ligji;
dh) të huaj me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë dhe që ushtrojnë ose kanë ushtruar veprimtari të ligjshme, pa ndërprerje, në Republikën e Shqipërisë, për më shumë se dy vjet, brenda pesë viteve paraardhëse.

Neni 42 Article 42
Përparësia në lëshimin e lejes së punës

Leja e punës do të lëshohet pa marrë parasysh gjendjen dhe zhvillimet e tregut të punës dhe pa kufizime të tjera, sipas dispozitave të këtij ligji, nëse i huaji:

a) është bashkëshort/ee një shtetasi/e shqiptar/e, zotëron një leje qëndrimi njëvjeçare dhe për sa kohë bashkëshorti/ja vazhdon jetën bashkëshortore, sipas legjislacionit shqiptar në fuqi;
b) është punësuar në kuadër të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare apo ndërqeveritare, përveçse kur marrëveshjet parashikojnë ndryshe;
c) është me kombësi shqiptare, pavarësisht nga shtetësia e tij/saj;
ç) ka përfunduar një shkollë të mesme profesionale, publike ose private, në Republikën e Shqipërisë;
d) ka ardhur për formim profesional;
dh) ka statusin e të transferuarit brenda ndërmarrjes.

Neni 43 Article 43
Detyrimi për tiu përmbajtur motivit të punësimit
I huaji në Republikën e Shqipërisë ka detyrimin ti përmbahet motivit të lëshimit të lejes së punës, për të cilin ka imigruar.

Neni 48 Article 48
Tipat e lejeve të punës

1. 1. I huaji, që do të ushtrojë një veprimtari ekonomike në territorin e Republikës së
Shqipërisë, pajiset me:
a) leje pune të tipit "A", për veprimtari ekonomike, si punëmarrës;
i) leje pune të tipit "A/P", për punëmarrësit;
ii) leje pune të tipit "A/PS", për punë stinore;
iii) leje pune të tipit "A/TN", për të transferuarit brenda ndërmarrjes;
iv) leje pune të tipit "A/S", për studentët;
v) leje pune të tipit "A/NK", për punësim ndërkufitar;
vi) leje pune të tipit "A/FP", për formim profesional;
vii) leje pune të tipit "A/SHV", për personat, që ofrojnë shërbime vullnetare;
viii) leje pune të tipit "A/AF", për anëtarët e familjes, të cilët vijnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ribashkimit familjar;
b) leje pune të tipit "B", për veprimtari të pavarur ekonomike:
i) leje pune të tipit "B/VP", për të vetëpunësuarit;
ii) leje pune të tipit "B/I", për investitorët;
c) leje pune të tipit "C", për raste të veçanta;
ç) leje pune të tipit "D", për të huajt, që kanë marrë leje pune të vazhdueshme.

Neni 51
Leje pune për të transferuarit brenda ndërmarrjes/shoqërisë e tipit "A/TN"
1. 1. Të transferuarve brenda ndërmarrjes/shoqërisë i jepet leje pune, pa qenë e nevojshme të paraqesin dokumente, për të provuar se plotësojnë kërkesat e përcaktuara në nenin 40 të këtij ligji, por me kusht që të vlerësohen si "personel kryesor" apo "specialistë".
2. 2. Periudha fillestare e vlefshmërisë së lejes së punës për të transferuarit brenda ndërmarrjes/shoqërisë është e barabartë me kohëzgjatjen e kërkuar për kryerjen e punës së përcaktuar, deri në një periudhë maksimale të vlefshmërisë prej pesë vitesh.

Neni 55 Article 55
Leje pune për anëtarë të familjes e tipit "A/AF"

Çdo anëtar i familjes së të huajit, me qëndrim të rregullt në Republikën e Shqipërisë, pajiset me leje pune për një vit. Kjo leje pune lëshohet me kusht që ky anëtar të ketë banuar me të huajin, ligjërisht dhe pa ndërprerje, të paktën për tre vjet.

Neni 58 Article 58
Leje pune për investitorë e tipit "B/I"

1. 1. Të huajit për veprimtari të pavarur ekonomike, si investitor, i jepet leja e punës e tipit "B/I", me një afat kohor trevjeçar, kur ai zotëron të paktën 10 për qind të kapitalit të një ndërmarrjeje apo 10 për qind të shumicës së vendimmarrjes në një shoqëri, si dhe kur ai bën një investim, që është të paktën në vlerën 100 mijë euro.

Neni 60 Article 60
Leje pune për raste të veçanta e tipit "C"

1. 1. Të huajit i jepet leje pune për raste të veçanta, deri në një vit, kur bën pjesë në një apo më shumë nga kategoritë e mëposhtme:
a) është rezident në Republikën e Shqipërisë për një periudhë kohore jo më shumë se një vit;
b) personeli i transportit ndërkufitar të mallrave dhe njerëzve, kur ato qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë më shumë se tre muaj dhe selitë e të cilave janë regjistruar jashtë vendit;
c) nxënës apo studentë, që kryejnë punë për mësimin e profesionit, në bazë të marrëveshjeve për shkëmbimet studentore dhe që marrin pjesë në një shkëmbim të punëve gjatë pushimeve verore;
ç) persona, që instalojnë makineritë apo konstruksionet, që dorëzohen nga një shoqëri e huaj dhe bëjnë shërbimin e riparimin e makinerive, si dhe trajnimin e punonjësve, shqiptarë ose të huaj, për shfrytëzimin e tyre, të cilët qëndrojnë më shumë se një muaj në Republikën e Shqipërisë;
d) përfaqësues të organizatave jofitimprurëse, të cilët shpërblehen për punën e tyre;
dh) punonjës të institucioneve fetare dhe humanitare, të njohura dhe të regjistruara në organet përgjegjëse të shtetit shqiptar, të cilët shpërblehen për punën e tyre;
e) pjesëtarë të ekuipazheve të anijeve apo avionëve, me qëndrim të përkohshëm, më shumë se një vit, në Republikën e Shqipërisë;
ë) vizitorë biznesi, që qëndrojnë më shumë se një muaj në Republikën e Shqipërisë;
f) refugjat, në përputhje me legjislacionin për azilin dhe integrimin e azilantëve;
g) viktimat e trafikimit apo viktimat e mundshme, sipas vlerësimit të bërë nga institucionet përgjegjëse shtetërore.

Neni 63
Refuzimi i lëshimit dhe ripërtëritjes së lejes së punës

Leja e punës refuzohet kur:
d) punëdhënësi ka refuzuar të punësojë një punëkërkues të papunë, ofruar nga zyra përkatëse e punësimit, i cili plotësonte kushtet e përcaktuara nga autoritetet shtetërore përgjegjëse, sipas dispozitave të këtij ligji;
f) ka arsye të rëndësishme, që përbëjnë rrezik për rendin, sigurinë dhe shëndetin publik të Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të rasteve kur gjendja shëndetësore e të huajit nuk ka ndikim në punën, për të cilën ai rekrutohet.

Neni 64
Anulimi i lejes së punës
1. 1. Autoritetet shtetërore përgjegjëse kanë të drejtë të anulojnë një leje pune përpara afatit kohor të vlefshmërisë së saj, kur:
a) është marrë me mashtrim ose duke paraqitur informacion të rremë;
dh) i huaji kryen punë tjetër nga ajo, për të cilën është lëshuar leja e punës, me përjashtim të të huajve, të cilët kanë një leje pune të vazhdueshme.

Turqit dhe kinezët kryesojnë listën e punëtorëve të huaj në Shqipëri

Të huajt që zgjedhin të punojnë në Shqipëri po shtohen vit pas viti. Këtë e dëshmojnë statistikat zyrtare mbi numrin e lejeve të qëndrimit dhe të punësimit të lëshuara përgjatë viteve të fundit. Duke krahasuar vetëm tri të fundit, numri i lejeve për të huajt ka qenë 3727 në vitin 2007, 5069 leje në 2008 dhe ka arritur në 5578 në 2009-n. Këtë vit, pjesën më të madhe të lejeve të lëshuara për të huajt e zënë lejet e punës (4213), pastaj lejet për bashkim familjar (541), për motive fetare (498), për qëllime humanitare (100) dhe pjesa tjetër për arsye të tjera, përfshirë edhe 29 azilantë. Numri më i madh i të huajve që ushtrojnë aktivitetin e tyre ekonomik në territorin e Shqipërisë është i përqëndruar në Tiranë me 1134 persona, i pasuar nga Fushë-Kruja me 455, Vlora me 175 shtetas të huaj, Elbasani me 168 dhe Durrësi me 121. Ndërsa në qytetet e tjera të vendit, numri i të huajve është i papërfillshëm në totalin prej 3135 vetësh. Shtetasit e huaj kanë paraqitur më shumë interes për investime kryesisht në sektorin e ndërtimit, tregti, arsim, shërbime, telekom, sistemin bankar, transport, transmetim mediatik etj.
Shtetasit e huaj që punojnë në Republikën e Shqipërisë janë kryesisht me shtetësi turke, kineze, italiane, greke, maqedone, kosovare, bullgare, angleze. Sipas specialistit të sektorit të Migracionit në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, vihet re një tendencë në rritje e interesit të të huajve për pajisjen dhe ripërtëritjen e lejeve të punës, për shkak të ndërgjegjësimit, koordinimit të punës me strukturat e Ministrisë së Brendshme (që lëshojnë lejet e qëndrimit) dhe të rritjes së rolit kontrollues të inspektorateve të ISHP-së.
Vërehet një rritje e konsiderueshme sakaq, e numrit të shtetasve të huaj me statusin e punëmarrësit, veçanërisht kinezë dhe shtetas turq, të përqëndruar në sektorët e ndërtimit, të tregtisë dhe arsimit. Sa për ilustrim, vetëm në 2008 kanë marrë leje pune 1110 shtetas turq dhe 585 kinezë, të pasuar nga 98 italianë, 96 grekë etj. Në këtë vit janë pajisur me leje pune gjithsej 1315 shtetas të huaj dhe janë përjashtuar nga detyrimi 820 të tjerë duke e çuar në 2135 numrin e të huajve që fituan të drejtën e ushtrimit të aktivitetit në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre janë punëmarrës 1109, 139 janë punëdhënës dhe 69 të vetëpunësuar. Më shumë se gjysma e të huajve (727) ishin kontigjenti që rinovuan lejet e punës, ndërsa më pak (578) aplikuan për herë të parë.

Lejet
Sektori i aktivitetit ekonomik ku investojnë të huajt

Ndërtim 946
Tregti 307
Arsim 294
Prodhim 102
Telekom 63
Transport 52
Sherbime 49
Servis 35
Media-transmetim 25
Bankë 24
Mjekësi 22
Konfeksione 21
Teknologji 20
Agjenci udhëtimesh 19
Hotelerri 19
Metalurgji 17
Imp-Exp 16
Shtëpi botuese 16
Lojëra fati 16
Pastiçeri 14
Laborant 13
Peshkim 13
Bar-Restorant 11
Energjitikë 9
Studio 8
Sport 4

Ky lajm është publikuar: 26/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›