E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët Xibri: “Sërish protesta para Kryeministrisë”

Autori i Lajmit: Entela Duraj

Minatorët kanë njoftuar sërish protestë para godinës së Kryeministrisë, edhe pse e fundit që u zhvillua u pasua me ndërhyrjen e dhunshme të policisë ndaj protestuesve. Sipas përfaqësuesit të minatorëve, Fiqiri Xibri, dita e enjte do të jetë një tjetër ditë proteste me kërkesa të shumta drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha për zgjidhje. Xibri u është drejtuar sot me një apel edhe qytetarëve të tjerë që ti bashkohen zërit të minatorëve për të drejtat e tyre dhe për kërkesa të tjera të karakterit ekonomik. Kësaj radhe bashkë me kërkesën për statusin e minatorit, Xibri thotë se do të protestohet edhe për krizën ekonomike, rritjen e çmimit të energjisë dhe për shpalljen e minimumit jetik. Në protestën e fundit, minatorët u përleshen me forcat e policisë në tentativat e tyre për të takuar kryeministrin Sali Berisha. Minatorët që kërkonin të hynin me dhunë në godinë janë penguar nga forcat e shumta të policisë dhe për pasojë njëri prej tyre është dëmtuar, duke thyer krahun. Edhe disa të tjerë kanë marrë goditje të lehta. Gjatë protestës, kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri, u shpreh se "sot është dita vendimtare kur minatorëve do tu plotësohen kërkesat". Ai akuzoi qeverinë se ka qëndruar indiferente ndaj kërkesave të tyre, ndërsa një kërkesë tjetër e parashtruar prej tyre është edhe mosrritja e çmimit të energjisë. Miratimi i statusit të minatorit, sipas përfaqësuesve të Sindikatës pritet të zgjidhë përfundimisht kërkesat ekonomike të punonjësve të nëntokës për pension deri në moshën 50 vjeç, me 10 vite pune, me një shumë prej 20 mijë lekë të reja. Në korrik 2009, Qeveria miratoi ligjin për moshën e pensionit të minatorëve, që kufizon moshën e daljes në pension të kësaj kategorie nga 65 në 60 vjeç dhe vjetërsinë në punë nga 35 në 30 vjet. Kjo është hera e dytë që minatorët përplasen me policinë në dyert e Kryeministrisë. Edhe në muajin nëntor të vitit që lamë pas, ata kanë kërkuar të takojnë Kryeministrin dhe në mungesë të një përgjigjeje nga stafi i shefit i ekzekutivit, minatorët kanë tentuar të hyjnë me forcë në institucion. Në atë kohë u pritën nga zv.kryeministri Genc Pollo, që u premtoi zgjidhje të problemeve të tyre.
Ky lajm është publikuar: 28/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›