Zhduken provat e vrasjes së Elton Deliut
TIRANË- Tre ditë pas ekzekutimit mafioz të Elton Deliut dhe nënës së tij policia nuk ka mundur që të gjejë asnjë gjurmë nga autorët e krimit. Policia e Tiranës ka mundur të zbardhë mekanizmin e ekzekutimit të 32-vjeçarit Deliu dhe nënës së tij Flutura Deliu e ndodhur ditën e shtunë në banesën e viktimave pas Presidencës në Tiranë, por nuk ka mundur të fiksojë provat në vendngjarje. Burime nga policia thanë se autorët kanë qenë shumë të kujdesshëm duke mos lënë pothuajse asnjë provë në vendin e krimit. Me gjakftohtësi pasi dyshohet se krimi ishte skenuar më parë, dy autorët kanë qëlluar mbi 32-vjeçarin Elton Deliu, më pas kanë vazhduar me zhdukjen e provave që mund t’i tradhtonin. Autorët kanë filluar me eliminimin e dëshmitares së vetme, e cila ishte nëna e viktimës, 52-vjeçarja Flutura Deliu e cila megjithëse ndodhej në gjumë u ekzekutua me një plumb në kokë. Më pas dy personat e panjohur për policinë, vazhduan me mbledhjen e gëzhojave dhe zhdukjen e kamerave të sigurisë në pallatin shumëkatësh ku banonte “shënjestra” e tyre. Duket se autorët kanë pasur kohën e mjaftueshme për të shmangur gabimet në vendin e krimit ndërsa më pas janë larguar nga shkallët e pallatit dhe dyshohet se ata janë ndihmuar nga persona të tjerë për tu larguar, duke iu shpëtuar vëmendjes së kalimtarëve të cilët në atë kohë kanë qenë të shumtë pranë pallatit ku ndodhi vrasja e dyfishtë. Jo vetëm “syve” të banorëve të pallatit por edhe prangave të policisë kanë mundur t’iu shpëtojnë autorët të cilët ende kanë mbetur mister. Ndërkohë që policia sqaroi se po punohet me intensitet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Sipas burimeve të policies, ende nuk janë ngushtuar pistat e hetimit të cilët që pas ngjarjes po hetohen tre kryesoret. Prishja e pazareve të drogës, hakmarrja dhe konflikti për pronat në Kashar janë tre pistat në të cilët policia po heton si motive të mundshme që çuan në ekzekutimin e Elton Deliut.