E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leka: Muze në rezidencën mbretërore për Ahmet Zogun

TIRANE- Familja mbretërore kërkon ngritjen e një muzeu për periudhën e historisë së mbretërisë shqiptare. Nisma është e familjes mbretërore për të ndërtuar një muze në rezidencën aktuale dhe një tjetër në shtëpinë ku lindi mbreti Ahmet Zogu, në Burgajet të Burrelit.

Princi Leka, konfirmon se muzeu do ta ndërtohet në një nga ambientet e brendshme të rezidencës mbretërore në qendër të Tiranës.

Princi Leka ka besimin se Bashkia e Tiranës do të mbështesë këtë iniciativë të tij për të pasur një muze për mbretërinë shqiptare, ndërsa bën të ditur se familja aktualisht disponon dokumente të rëndësishme për kohën e mbretërisë të cilat pritet ti vërë në dispozicion të këtij muzeu.

Po ashtu Princi Leka kërkon që t’i kthehet trualli ku ka lindur Ahmet Zogu dhe shtëpia të kthehet në muze. Nisma e tij duket se do të gjejë mbështetjen e qeverisë “Berisha” nisur nga fakti që Kryeministri i vendit ka deklaruar se duhen riparë dhe rishkruar nga e para të dhënat për Ahmet Zogun.

Sipas tij, nëse vendi nuk do të kishte pasur Zogun, pavarësia do të ishte një akt iluziv. Berisha është shprehur se Zogu konsolidoi shtetin shqiptar dhe se meriton të jetë në piedestal të historisë. Kryeministri Berisha ka kërkuar “ridimensionalizimin e figurës historike të Ahmet Zogut” në kuadër të 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, 28 nëntor 1912.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›