E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leka Zogut I i jepet lamtumira e fundit

Trupi i të ndjerit Leka Zogu prehet tashmë në varrezat e Sharrës, përkrah bashkëshortes Suzanë dhe nënës së tij, Mbretëreshës Geraldinë. Në vitin 2012 pritet që në varrezat e familjes mbretërore të kthehet edhe trupi i Mretit Ahmet Zogu.

Në homazhet për nder të Leka Zogut I morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, , Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ministra, deputetë, diplomatë të huaj në Tiranë, liderë fetarë etj.

Tërhoqi veçanërisht vëmendjen prezenca e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga si përfaqësuese e të gjithë popullit të Kosovës.

Vlen të theksohet se asnjë përfaqësues zyrtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk ka marrë pjesë në homazhet për nder të Leka Zogut I.

Para se të nisej për në banesën e fundit, krerët e komuniteteve fetare duke filluar nga H. Selim Muça u lutën për shpirtin e Leka Zogut I.

Fjalën e rastit e mbajti kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. “Vijmë këtu sot për tu ndarë përgjithmonë me mbretin Leka Zogu I. Ai lindi dy ditë para se një fuqi fashiste të sulmonte dinastinë shqiptare. Kurorën e Shqipërisë familja mbretërore shqiptare nuk ia dha askujt. As Ahmet Zogu dhe as Leka Zogu nuk negociuan kurrë për kurorën mbretërore shqiptare. Për gjatë një jetë të tërë emigracioni, at e bir, mbanin me vete një copë të Shqipërisë. Përkushtimi i Leka Zogut për Shqipërinë nuk ndahej aspak nga përkushtimi për Kosovën. Sot jemi mbledhur këtu jo për të vajtuar, ndonëse zemrat i kemi të mbushura me pezmatim, por për të kujtuar veprën e Leka Zogut, birin e Ahmet Zogut, Mbretit të shqiptarëve. U prehtë i qetë në paqe! I paharruar qoftë kujtimi i tij!”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Kortezhi me trupin e pajetë të mbretit jo në detyre Leka Zogu I është drejtuar nga Bulevardi “Zhan d-Ark” për në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga ku kaloi në Rrugën e Kavajës për në varrezat e Sharrës.

(10:05) Nisin homazhet për Leka Zogun I

Tiranë - Në orën 10:00 të ditës së sotme ka nisur ceremonia mortore zyrtare për nder të pretendentit për fronin shqiptar, Leka Zogut I. Homazhet mbahen në hollin e Kuvendit të Shqipërisë.

Homazhet do të vijojnë deri rreth orës 12:00, dhe më pas trupi i pajetë e Leka Zogut I do t’i drejtohet varrezave të Sharrës. Qeveria ka shpallur ditën e sotme ditë zie kombëtare.

Deri më tani për homazhe në hollin e Kuvendit të Shqipërisë kanë mbërritur ministrat Halimi, Bumçi Pollo etj. deputetë, ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë, Volfardt dhe Arvizu, Kryetari i Komunitetit Mysliman të SHqipërisë, H. Selim Muça Etj.

Përveç shqiptarëve të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, ra në sy veçanërisht delegacioni i rajonit të Preshevës, në Serbi.

(07:48)Sot, ceremonia mortore e Leka Zogut  I

Tiranë – Sot zhvillohet ceremonia mortore e Leka Zogut I. Homazhet fillojnë në orën 10:00 në hollin e Kuvendit të republikës së Shqipërisë.

Për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Leka Zogut I dje mbërritën në Tiranë përfaqësues të familjes mbretërore italiane, Savoia. Ndërsa mbreti i Spanjës, Huan Karlos, në një mesazh ngushëllimi të tij është shprehur se, nëse familja mbretërore nuk do të ketë impenjime zyrtare, princi Filipe së bashku me princeshë Letizian mund të jenë në kryeqytetin shqiptar. Pjesëmarrjen në ceremoni e ka konfirmuar edhe LT princi Paul i Rumanisë së bashku me princeshën, Baroni Rafael Henri Estramant etj.

Në mesin e të ftuarve do të jenë edhe familja e mbretëreshës Geraldinë si dhe shumë personalitete shqiptare.

Ndër personalitet shqiptare që do të marrin pjesë në ceremoni, bie në sy ajo e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga.

Trupi i Leka Zogut të I, do të dalë nga kuvendi rreth orës 12:00 dhe do të përcillet në bulevardin “Zhan D’Ark”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin Skënderbej për t’u drejtuar më pas në varrezat e Sharrës.

Nano ngushëllon Familjen

Kundërshtari politik që fitoi garën e kontestuar kundër vendosjes së monarkisë në vitin 1997 me anë të referendumit i është bashkuar dhimbjes së familjes mbretërore për ndarjen nga jeta të Leka Zogut I.

Ish-lideri socialist e quajti “mbret” Leka Zogun I gjatë ngushëllimeve. “Kontributet e Leka Zogut Parë duhet të nxisin politikën të shumëfishojë pikat e bashkimit të bashkëpunimit”, tha Nano pas ngushëllimeve.

Gjatë tre ditëve kanë ngushëlluar gjithashtu:

Presidenti Bamir Topi
Kryeministri Sali Berisha
Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli
Kryetari i LSI-së Ilir Meta
Ministrat: Mediu, Nishani, Pollo, Bumçi, Bode, Halimi, Imami
Kryetari i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça
Deputetët: Jemin Gjana, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani, SHpëtim Idrizi, Dashamir Tahiri etj.

/Start/

                                                                                             2011-12-03 12:23
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›