Kryetari i FRESH në Shkodër godet kameramanin
SHKODËR- Kanoset dhe goditet për shkak të detyrës një kameraman i mediave lokale në Shkodër, ndërsa polica ka ndaluar autorët, dy drejtues të FRESH për qytetin e Shkodrës.
Ramir Hadëri, 23 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër dhe Suad Laçej, 21 vjeç, banues në lagjen “Perash”, Shkodër. Ata u ndaluan në orët e pasdites së të enjtes në lagjen “Qemal Stafa” të qytetit, pasi në afërsi të një TV lokal në Shkodër, pranë prefekturës së qytetit, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur, kanosur dhe fyer, për shkak të detyrës, shtetasin Gjon Gjeka 29 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”, Shkodër, me detyrë kameraman i këtij televizioni. Konflikti mes kryetarit të FRESH për qytetin e Shkodrës, Romir Hadëri, aktivistit Suad Laçej dhe kameramanit Gjon Gjeka, ka nisur një ditë më parë në një aktivitet elektoral të PS, ku kameramani po filmonte. Mësohet se dy të rinjtë i kanë kërkuar atij që të mos i filmonte e nxirrte në TV ata, ndërsa kameramani i ka kundërshtuar duke i shpjeguar se ishte e pamundur që ato të mos filmoheshin pasi ishin të ulur në rreshtin e parë. Dy palët kanë shkëmbyer fjalë të enjten, dy anëtarët e FRESH kanë ardhur pranë medias, ku punon Gjeka dhe janë takuar me të. Mësohet se ato e kanë fyer e sharë dhe më pas e kanë goditur 29-vjeçarin Gjeka, duke e gjakosur. Ndërhyrja e personave të tjerë ka evituar pasojat më të rënda, pasi dy personat që kanë qëlluar janë mundur të ndalohen. Pas kësaj, polica ka bërë shoqërimin në polici të palëve dhe pas kallëzimit të bërë nga Gjeka, ka ndaluar Hadërin e Laçejn me akuzën e “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje” dhe “Fyerje”.