E Shtunë, 31 Tetor 2026

A/H1N1 përfshin të gjitha qytetet e vendit

Tirana, me numrin më të madh të rasteve të prekura nga gripet

Specialistët: Gripi sezonal po shfaqet më ashpër se pandemiku

Gjeografia e pacientëve të ekzaminuar me virusin pandemik A/H1N1 përfshin të gjitha qytetet e vendit dhe pse numrin më të madh e mban Tirana. Pjesa dërrmuese e tamponëve që kanë shkuar për ekzaminim në Institutin e Shëndetit Publik janë marrë nga klinikat e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ditët e fundit mjekët vërejnë një rritje të rasteve përkatësisht në 110 raste në ditë, ku 50 raste janë shënuar me gripin stinor dhe 60 me virusin pandemik. Me gjithë rritjen e rasteve të prekura, mjekët këshillojnë të gjithë qytetarët dhe veçanërisht prindërit për të treguar një kujdes maksimal dhe për të mos neglizhuar asnjë situatë gripale.

Përhapja

Gripet tashmë janë shtrirë në çdo qytet. Vetëm gjatë javëve të fundit mostrat e analizuara në ISHP kanë konfirmuar raste me virusin pandemik dhe atë sezonal në të gjithë vendin. Sipas të dhënave më të fundit spitali infektiv në Tiranë raporton numrin më të madh të rasteve me 93 të infektuar. Spitali pediatrik me 25 raste dhe poliklinikat e kryeqytetit me 27 raste të konfirmuara. Virusi ka shtrirë “tentakulat” e tij edhe në qytete të tjera, ndonëse me më pak raste. Kështu Durrësi ka 13 raste të prekur me virusin pandemik, Mati 6 raste, Shkodra 4 raste, Delvina 3 raste dhe qytete si Berati, Vlora, Fieri, Gjirokastra, Devolli, Saranda, Dibra, Gramshi, Kavaja dhe Mirdita raportojnë 1-2 raste personash të prekur nga H1N1. Përkatësisht në 1878 mostra të analizuara nga Tirana dhe rrethet, të konfirmuar me virusin A/H1N1 rezultojnë 190 persona. Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 15-24 vjeç ku dhe vihet re dhe numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 21 vjeç, ndërsa e rasteve të javës është 17.5 vjeç. Konkretisht deri tani rezultojnë 7 raste të moshës 1-4 vjeç, 53 raste të moshës 5-14 vjeç, 79 raste të moshës 15-24 vjeç, 34 raste të moshës 25-44 vjeç dhe 14 raste 45-59 vjeç ndërsa vetëm 3 raste të moshës 60 vjeç. Shumica dërrmuese e rasteve janë të konfirmuara në Tiranë. Përveç virusit të ri pandemik çdo ditë konfirmohen raste me virusin e gripit të zakonshëm stinor çka dëshmon qarkullimin e përbashkët të të dy viruseve në popullatë. Rreth një e treta e rasteve të konfirmuara laboratorikisht janë me gripin A stinor.

Rastet

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik si dhe mjekë të spitalit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” shprehen se shenjat klinike të rasteve të konfirmuara gjatë dy javëve të fundit kanë qenë të lehta dhe mesatare. Është regjistruar një rast i rëndë (sindrom i rëndë respirator akut), i shtruar në spitalin pneumoftiziatrik dhe një rast tjetër i rëndë me gripin stinor i shtruar në spitalin infektiv, QSUT. Temperatura e lartë, kolla e fortë, dhimbje fyti, dhimbje muskulare, dhimbje koke dhe dijare janë disa prej shenjave të virusit stinor dhe atij A/H1N1. Sipas mjekëve, mjaftojnë dy a me tepër se këto shenja që qytetarët të kërkojnë ndihmën e mjekut të familjes dhe të mos neglizhojnë situatën. Nga ana tjetër ata theksojnë se me uljen e temperaturave stinore, pritet që rastet me viruse stinore dhe ato me A/H1N1 të pësojnë një rritje të ndjeshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›