E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksione të një humbësi

Imer_Mushkolaj_990815Partitë politike kosovare dhe liderët e tyre mund të mësojnë shumë nga humbja e Sali Berishës dhe fitorja e opozitës. Aq shumë, sa do të duhej të mos ndiheshin rehat aty ku janë në pushtet.

Nga Imer Mushkolaj*

Përderisa Sali Berisha çon kohën nFacebook duke komunikuar me fëmijë të brengosur për humbjen e tij, leksione të vyera mund të marrin nga ai liderë partiakë dhe parti politike kosovare.

Tashmë e thonë të gjithë se arroganca e çoi Berishën drejt humbjes së tij të thellë. Shanset e ofruara nga shqiptarët në këto dy dekada demokraci ai asnjëherë nuk diti ti kapitalizojë. Madje, i keqpërdoroi.

Që në fillim të viteve 90, kur u gjend në krye të ndryshimeve demokratike, Berisha pati rastin historik që popullin e rraskapitur nga regjimi ta çojë përpara. Por, shansi i ofruar zemërgjerësisht iu kthye në shans të humbur. Ai lejoi ngritjen e firmave piramidale dhe zhyti Shqipërinë në mjerim. Jo se deshi, por u detyrua të tërhiqet nga pushteti.

Shqiptarët i dhanë një shans të dytë në vitin 2005, kur ai u rinjall nga një kufomë politke, për tu vënë në krye të qeverisë. Erdhi në pushtet me premtimin për luftimin e korrupsionit, por pas pak kohe u bë vetë ideator i tij. Krijoi një pushtet kientelist, sipas qejfit të fëmijëve të tij, duke bërë që ti harrojë problemet e vërteta të qytetarëve. Madje, duke e forcuar bindjen se shumica e qytetarëve nuk kishin rrugë tjetër, përveç të votonin për të. Në vend se të krijojë model të mirëqeverisjes dhe mirëqenies për qytetarët, Partia Demokratike u bë model i klientelës politike dhe ekonomike. Ndërkaq, Berisha sinonim i luftëtarit të egër e të pakompromis – jo kundër korrupsionit e krimit, por kundër intitucioneve të pavarura të shtetit.

Zgjedhjet e 23 qershorit, përveç që sollën fundin e Berishës, duke e futur në ngërç të madh Partinë Demokratike, treguan edhe se ndryshimi është i mundshëm kur ka alternativë serioze. Treguan, po ashtu, se përveç pushtetit abuzuese korruptiv, një ditë fundi iu vjen dhe bastioneve partiake, premtimeve folklorike e pseudopatriotike të liderëve, të cilët detyrohen të tërhiqen me turp edhe nga premtime boshe, siç ishte ai i pasaportave shqiptare për kosovarët.

Debakli i Berishës tregoi, po ashtu, se qeverisja autokrate në parti e shtet është e prirur të dështojë, madje të lë edhe pasoja të rënda. Të atilla që nuk i riparon dot as dorëheqja si akt moral, por që ka tendenca të paraqitet si diçka hyjnore, e paparë dhe e padëgjuar më parë në këto anë. Në fakt, ai nuk është i pari dhe nuk është e para herë për të që vepron kështu. Thjesht, ai ishte i detyruar të dorëhiqet, sepse skishte tjetër rrugë. Jo pse deshi ose e bëri për të dhënë leksione përgjegjësie politike.

***

Sa për analogji, edhe në Kosovë pushteti ka degraduar plotësisht. Njerëzit të cilët erdhën në pushtet me premtimin për zero tolerancë ndaj korrupsionit, janë bërë vetë sinonim i korrupsionit, krimit të organizuar e hajnisë dhe zero rezultateve në luftën kundër korrupsionit.

Një qeverisje autokrate dhe arrogante, pa kurrfarë përgjegjësie ndaj qytetarit por, po, me privilegje marramendëse për veten dhe të vetët.

Një pushtet që e ka në dorë të bëjë çfarë të dojë, madje edhe të shajë e fyejë, pa pasur frikë se do të ndëshkohet ashtu siç u ndëshkua arroganca dhe papërgjegjësia e Berishës.

Liderë partiakë që besojnë në fuqinë e votave të vjedhura apo të mbledhura në sasi enorme në bastionet e tyre. Të atillë që besojnë se njerëzit e këtyre bastioneve iu kanë borxh përjetë, pavarësisht nëse këta bëjnë ose jo diçka të mirë për ta. Të atillë që besojnë në vota të sigurta në baza rajonale, por që rasti i Shqipërisë i demantoi plotësisht.

Shikojeni PDKnë në qeverisjen qendrore, shihni edhe LDKnë e AAKnë në pushtetin lokal. Arrogancë, papërgjegjësi, mosllogaridhënie Grupe e klane njerëzish që përfitojnë fort, në njërën anë dhe turma të varfra, të papuna e të pandihma, në anën tjetër.

Buxhet i varfë që shkon në asfalt, e jo në zhvillim ekonomik e mundësi punësimi. Berishës nuk i bëri punë asfalti, as tunelet. Njerëzit kërkonin më shumë – kërkonin prosperitet ekonomik, jetë më të mirë. Njësoj do të jetë edhe në Kosovë. Vetëm se këtu ka një problem – mungon alternativa reale.

Partia që qeveris tash 13 vjet kryeqytetin as që mund të pretendojë se ka arritur të krijojë një model shembull për të mirë.

Parti minore opozitare, por të cilat kanë qejf të thonë se janë të mëdha, shfaqen jokonsistente në synime dhe të interesuara jo ta fitojnë pushtetin, por të koketojnë me pushtetin ekzistues.

Ndërkaq, ndonjë subjekt politik që di edhe të shfaqet si alternativë serioze, huq shpesh cakun dhe në vend se të fokusohet plotësisht në luftimin e pushtetit korruptiv, abuzues e klientelist, imiton Sali Berishën dhe folklorizmat e tij, si dhe përpiqet të paraqitet si engjëll mbrojtës i këtij vendi.

Votuesit kosovarë, ndërkaq, mund të mësojnë shumë nga sjellja e qytetarëve andej kufirit. Pushteti edhe mund ti nxjerr me zor nga puna, për të marrë pjesë në tubime partiake, edhe mund tua kushtëzojë vendin e punës me librezë partie, por ata do të dinë ti ndëshkojnë, në diskrecion të plotë, ata që abuzojnë me të drejtat e tyre njerëzore.

Do të dinë ti ndëshkojnë ata që nuk po i luftojnë, por po i bëjnë pjesë të programit qeverisës hajninë, krimin e korrupsionin.

Do të dinë ti ndëshkojnë ata që ua marrin votën, e përpiqen tua marrin edhe shpirtin.

Është mposhtur Berisha, e lëre më imitues të dobët të tij. Lajm fort i keq për të gjithë ata që keqpërdorin pushtetin e shtetin. Edhe për të tjerët që ëndërrojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

*EXPRESS

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›