E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksionet e AC Milan dhe futbolli kosovar

Nga Bajram Mjeku

Përmes “Milan Junior Camp” në Prishtinë mësuam se fëmijët tanë ende nuk i kanë mësuar shumë elemente të magjisë së futbollit, ndërsa trajnerët e shkollave të futbollit në Kosovë kanë pasur rastin që këtë kamp për pesë ditë ta shfrytëzojnë si seminar dhe pa shpenzime

Festa e 28 Nëntorit për futbollistët e vegjël ishte një ngjarje e dyfishtë. Ata u veshën me fanellat kuqezi dhe për koincidencë fanella e gjigantit italian AC Milan mban ngjyrat e flamurit tonë kombëtar. Fëmijët tanë për të parën herë patën fatin që të veshin fanella cilësore firmato, siç thoshin vetë ata, pasi gjithmonë kanë veshur fanella që as ishin firmato, as u binin tamam!

Iniciator i kësaj ngjarjeje të madhe ishte Rezart Taçi, pronar i kompanisë shqiptare Taçi Oil, i cili jo vetëm solli legjendën e futbollit italian Franko Barezi dhe trajnerët e këtij klubi prestigjioz, por nxori në pah edhe faktin se futbolli kosovar është duke u dergjur dhe është larg standardeve europiane si me infrastrukturë, ashtu dhe me segmente të tjera të organizimit. Jo rastësisht kemi mbetur më të izoluarit e Europës.

Edhe një herë doli në pah se kemi mungesë vullneti për organizim evenimentesh të këtilla. Përkundër faktit se kampi u organizua për fëmijët e grup-moshave nga 8 deri 14 vjeç, dikush shkoi deri aty sa në listën e konkurrentëve dhe mbrapa kulisave provoi të fuste edhe fëmijë që i kishin mbi 15 vjeç, gjatësia e të cilëve prej mbi 1.70 cm i sfidonte fatosët dhe pionierët e rinj!

* * *

Si prind i një fëmije që ka ëndrra dhe pasion që një ditë të bëhet futbollist profesionist, për pesë ditë me radhë i kam përcjellë stërvitjet e trajnerëve italianë me fëmijët tanë. Jemi mrekulluar me punën e tyre, por edhe jemi trishtuar për faktin se fëmijët tanë ende nuk i kanë mësuar shumë elemente të domosdoshme të magjisë së futbollit. Në çdo çast dhe gjithmonë të palodhur, trajnerët italianë jo vetëm ua mësonin fëmijëve tanë finesat e futbollit, por ata gjenin kohë që tu falnin edhe dashuri e ngrohtësi të madhe, që në fushat e futbollit në Kosovë nuk i kanë përjetuar kurrë.

Është e dhimbshme që punën me futbollistët e vegjël erdhën ta përcjellin legjenda e futbollit kosovar Luan Prekazi, pastaj ish-futbollistët dhe trajnerët shumëvjeçarë Hysni Maxhuni e Rufki Ballazhi, por pjesëmarrja e trajnerëve të rinj ishte simbolike, derisa pikërisht këta trajnerë pretendojnë që ta avancojnë futbollin kosovar dhe të sigurojnë ekzistencën e familjeve të tyre nga ky sport.

Trajnerët kosovarë nga të gjitha shkollat e futbollit në Kosovë kanë pasur rastin që Milan Junior Camp për pesë ditë ta shfrytëzojnë si seminar dhe pa shpenzime. Për habinë tonë kjo nuk ndodhi, por edhe angazhimi i Federatës së Futbollit të Kosovës mungoi dhe prania e saj as që dukej gjëkundi.

* * *

Ka disa vite që jemi duke i bërë hesapet pa hanxhiun. Flasim për futbollistë të shquar kosovarë që luajnë në Europë dhe mburrjet tona më pastaj marrin trajta neveritëse. Mburremi me futbollistin kosovar Valon Behrami, por harrojmë se ai shkoi në Zvicër kur ishte vetëm dy vjeç, ndërsa Samir Ujkani ka shkuar në Belgjikë kur ishte foshnjë disamuajshe.

Kështu përafërsisht ka ndodhur edhe me Lorik Canën, Xherdan Shaqirin, vëllezërit Xhaka dhe shumë futbollistë të tjerë që janë kosovarë, por që nuk janë stërvitur në Kosovë. Në dhjetë vitet e fundit mund të mburremi vetëm me Fatos Beqirajn, aktualisht titullar në FC Dinamo e Zagrebit, dhe Etrit Berishën, i cili u transferua në FC Kalmar të Suedisë. Një aksident i suksesshëm si i Beqirajt dhe Berishës nuk është përsëritur më.

Leksionet e gjigantit italian AC Milan duhet të jenë mësime për ne. Së pari, duhet të mendojmë seriozisht për infrastrukturën, e cila është në gjendje të mjerë, pastaj ti rikonsolidojmë seriozisht kryesitë e klubeve dhe shkollat e futbollit. Edhe Federata e Futbollit të Kosovës duhet ti ridimensionojë politikat dhe vizionet e saj. Me këtë infrastrukturë dhe organizim nuk na pranon UEFA, prandaj çfarë kërkojmë atje?!

Së pari, duhet të jemi konkurrentë në rajonin e Ballkanit, pasi edhe këtu jemi të fundit, pastaj të synojmë Europën. Buxheti për futbollin kosovar varet nga shteti dhe donatorët, prandaj bashkëpunimi midis këtyre dy segmenteve duhet të jetë më i ngushtë për ndërtimin e strategjive afatgjata. Kryeqytetit të Kosovës i duhet një qendër stërvitore dhe me një vullnet minimal mund ta realizojë këtë projekt.

Është bërë zakon në Kosovë, që edhe ngjarjet e mëdha sportive ti përmbyllim keq. Krejt në fund, edhe kësaj radhe fitues të këtij kampi dolën të jenë kryesisht fëmijët dhe nipërit e biznesmenëve. Sikur këta biznesmenë të kishin më shumë prirje që të investonin në futboll sesa në kurdisje të sukseseve, atëherë futbolli kosovar do të ishte ndryshe, krejt ndryshe

Bravo, bravo!, thërrisnin të entuziazmuar trajnerët e AC Milan, kur fëmijët tanë i realizonin suksesshëm elementet e stërvitjeve, por a është bravo për ne më të vjetrit? Vështirë për ta besuar!

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›