E Shtunë, 31 Tetor 2026

Begaj: Të përmirësohen terrenet, që të shtohen prurjet

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Specialisti gjirokastrit kërkon më shumë angazhim nga FSHF dhe pushteti vendor për ti dhënë më shumë jetë futbollit të moshave

Çaush Begaj, ish-futbollist i Luftëtarit, mësues në klasat e futbollit, ndihmëstrajner me Hito Hitajn dhe më vonë me Mustafa Hysin, qysh në vitin 2002 trajner i ekipit të të rinjve, por edhe në funksione si kryetar i  Komitetit Olimpik të Gjirokastrës dhe sekretar i klubit të futbollit gjirokastrit, gjatë viteve ka nxjerrë një seri  futbollistësh të njohur (jo vetëm në Gjirokastër) si Arjan Bellaj, Panajot Anastasi, Arjan Halili, Artur Angoni, Odise Grabova, Arlind Nora, Ylli Shameti, Fejzo Shenaj, Florjan Braho, Nertil Stoja e të tjerë.

Ai vijon punën me moshat në Gjirokastër, me gjithë vështirësitë që has në punën e tij. Ai i bën një analizë kampionatit të të rinjve, futbollit gjirokastrit të moshave: Duhet evidentuar që në këtë sezon organizimi i kampionateve të moshave është më i mirë, sepse FSHF dërgon delegatë që mbikëqyrin mbarëvajtjen dhe gjykimet, por, gjithsesi, kjo nuk e zgjidh plotësisht problematikën e këtyre kampionateve.

Unë mendoj se FSHF duhet të kushtëzojë pjesëmarrjen e klubeve për U-17 dhe U-19 me seriozitetin që kërkojnë këto gara, duke siguruar garancinë financiare dhe sigurinë e aktiviteteve për të mos ndodhur përjashtime si të Gramshit dhe Skraparit, apo të ndonjë skuadre tjetër në javët e ardhshme, për mosparaqitje të ndeshjeve në transfertë.

Sëmundje e pashërueshme ngelet problemi i rezultatit, i cili tjetërson trajnerët në punën e tyre në formimin e futbollistëve. Themelore është që këta të rinj të bëhen profesionistë të vërtetë dhe jo të vrapojnë pas rezultatit, duke vepruar jashtë filozofisë së klubeve të tyre dhe me vetëgjyqësi, shprehet fillimisht Begaj.

Përmirësimi i terreneve

Në kohët e sotme, nuk është e thjeshtë ti bindësh fëmijët të merren me futboll. Për fat të keq, përveç mënyrave të ndryshme të argëtimit dhe angazhimeve jashtëshkollore në arsimim, fëmijët nuk gjejnë kushtet e përshtatshme në stërvitje, çka ndikon në tërheqjen e tyre nga futbolli. Luftëtari këtë sezon, sikurse më parë, ka mbështetjen e Bashkisë së Gjirokastrës, por mendoj se do jetë më mirë nëse do të investohet në terrenin e fushës së futbollit, në të vjetrën, që i themi ne, përmirësimi i së cilës do të stimulonte ekipet e moshave, që janë baza e piramidës së cilësisë së lartë.

Konstatoj se në ekipet e moshave të Gjirokastrës nuk ka prurje si dikur dhe kjo ndodh për arsye të ngarkesës në shkolla dhe interesa në fusha të tjera. Kam diktuar fëmijë me të dhëna dhe i kam ftuar të vijnë në ekip, por ata sjellin lloj-lloj arsyetimesh, se ndjekin kurse gjuhësh të huaja etj. Po ashtu, vetë terreni malor i qytetit tonë nuk ndikon për mbarë te futbolli dhe si rezultat nuk disponojmë shumë fëmijë siç mund të ndodhë në qytete të tjera.

Pra, prurjet e pakta sjellin varfëri në ekipin tonë. Luftëtari i të rriturve këtë sezon është në rrugë të mbarë dhe na bën nostalgjikë për superligën, ku besoj se do të kthehet. Në këtë ekip të gjithë futbollistët gjirokastritë kanë dalë nga ekipet tona të moshave. Shpresoj se do të vazhdojmë furnizimin e skuadrës së parë, me gjithë vështirësitë që kemi, përfundon Çaush Begaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›