E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çelsi, një fuçi baruti! Vilas Boas kundër të gjithëve

Përgatiti: Admir Gremi

Pavarësisht kalimit në 1/8-at e Championsit, si e para e grupit, tensioni mes bluve mbetet i lartë. Trajneri, në relata të këqija me Anelkanë dhe Aleks, nuk shkon mirë as me Lampardin e Drogban

Kanë fituar 3-0 kundër Valencias, duke garantuar kalimin në 1/8-at e Championsit si të parët në grup dhe duke i dhënë motiv kapitenit, Xhon Terri, të pijë pak më shumë seç duhet në festën e ditëlindjes së tij, që e ka festuar menjëherë pas ndeshjes në Budha Bar të Londrës. Por Çelsi mbetet ende si një fuçi baruti gati për të shpërthyer, teksa Andre Vilas Boas është gati të hapë zjarr ndaj të gjithëve.

Mbi të gjitha Nikolas Anelka dhe Aleks që, pas një konfrontimi të ashpër në stërvitje me trajnerin portugez, kanë përfunduar në listën e të padëshiruarve të janarit: francezit iu ndalua edhe parkimi i automjetit brenda stadiumit Stamford Bridge, kështu që gjatë ndeshjes së Championsit, sulmuesi është dashur ta parkojë makinën e tij në rrugë, duke e rigjetur atë me gjobë dhe me bllokuesin e rrotave.

Kapet me çdo lojtar Duke u rikthyer te debati me Vilas Boasin, ndodhirat janë publikuar te Sun: krimi daton pas humbjeve radhazi me Leverkusenin dhe Liverpulin (si në kampionat edhe në Kupën e Ligës), kur Vilas Boas ka grumbulluar të ashtuquajturit Fab Four (Xhon Terri, Drogba, Lampard e Çeh) për një takim kokë më kokë, ku trajneri u ka kujtuar senatorëve rolin e tyre në skuadër.

Atmosfera është nxehur menjëherë dhe Vilas Boas ka sugjeruar të ritakoheshin një ditë më pas për drekë, gjë që nuk ndodhi kurrë, duke mbetur e pazgjidhur, deri kur trajneri vendosi të përballej me të në mënyrën e tij, duke u zënë me të gjithë skuadrën gjatë një seance stërvitore dhe duke i akuzuar lojtarët njëri pas tjetrit.

Ka qenë e pabesueshme të shihje trajnerin ti bënte copa-copa lojtarët, – ka treguar një burim i brendshëm i tabloidit, teksa i ka thënë Drogbasë: Je vetëm një pjesë e atij lojtari që ke qenë sezonin e kaluar. Më pas ka kaluar lojtari i radhës, duke u kapur edhe me të. Të gjithë u tronditën, pasi nuk kishin parë kurrë një gjë të tillë, madje as nuk ishin trajtuar ndonjëherë në këtë mënyrë deri më tani.

Këtu komandoj unë Por inati i portugezit arriti kulmin vetëm kur u vu përballë Anelkasë dhe Aleks: E ka parë gjakftohtë francezin dhe i ka thënë: Nuk dua të të shoh më në rrethinat e skuadrës së parë, nuk je i mirëpritur nga askush, – ka vazhduar burimi i tabloidit. – Anelka është lënë jashtë ekipit dhe tashmë i mbetet të stërvitet me rezervat. Më pas, Vilas Boas është kthyer ndaj Aleks duke i thënë e njëjta gjë vlen edhe për ty, përpara se të kalonte te të tjerët.

Në këtë pikë, të gjithë u shokuan, sepse skuadra ka qenë gjithmonë e lidhur ngushtë, dhe tek shihnin se si u trajtuan dy prej shokëve në atë mënyrë, nuk u ndienë mirë. Pa llogaritur se atë që ka bërë ndaj Anelkasë dhe Aleks mund ta përsërisë edhe ndaj kujtdo.

Ndërkaq, nëse dikush ka besuar ende se Vilas Boas do të ishte një kukull e destinuar të përulej ndaj diktatit të senatorëve të bluve, me siguri ka ndryshuar ide: Me atë reagim dukej sikur donte të thoshte këtu komandoj unë, – ka përfunduar burimi i tabloidit. Dhe tashmë nuk ka më dyshime që do të jetë vërtet kështu.

Lampard, Galaksi në tentativë Anelka dhe Aleks mund të mos jenë të vetmit lojtarë që do të bëjnë gati valixhet për në janar (i pari drejt Shangait me 6 mln stërlina në vit, ndërsa i dyti pëlqehet nga Juventus), sepse drejt largimit janë edhe Florent Maluda dhe Hoze Bosingua, e mbi të gjitha Frenk Lampard me Didië Drogbanë: për mesfushorin ka një ofertë tunduese nga Galaksi, ndërsa për sulmuesin pretendohet një rinovim 1-vjeçar, kur lojtari kërkon 2, por vështirë se Vilas Boas do tia plotësojë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›