E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksioni Antikorrupsion

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Christopher Dell, iu ka bashkuar diplomatëve perëndimorë në thirrjet drejtuar Qeverisë së Kosovës që ta luftojë korrupsionin në vend.

Dell, të hënën, kërkoi që korrupsioni të luftohet nga kosovarët dhe të mos pritet gjithçka nga ndërkombëtarët.

Komentet e Ambasadorit amerikan vijnë pak ditë pasi që institucionet u kritikuan për mosluftimin e korrupsionit nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Mendime të ngjashme me Qeverinë amerikane kanë dhënë edhe mekanizmat e Bashkimit Europian, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Pieter Feith dhe përfaqësuesit e shteteve aleate që e ndihmuan Kosovën në rrugën e saj drejtë pavarësisë.

“Shoqëria juaj ende shikon kah bashkësia ndërkombëtare për të kërkuar drejtësi. Duhet të jetë Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Quint’i apo trupa tjerë ndërkombëtarë ata që kërkojnë që Qeveria juaj t’i mbajë përgjegjës zyrtarët e saj”, deklaroi Dell, me rastin e fillimit të trajnimit për task-forcat kundër trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të drogave dhe korrupsionit publik.

“Kjo s’do të shkojë gjatë. Nëse ju vareni në ne, që ne të bëjmë atë thirrje - kjo nuk do të jetë e shëndetshme për Kosovën. Kjo është shenjë e moszhvillimit. Kjo thirrje duhet të vijë nga brenda, nga njerëzit”, shtoi ai.

Deklaratat e Ambasadorit amerikan vijnë disa ditë përpara se Kryeministri Thaçi t’i bëjë publike ndryshimet në Qeverinë e Kosovës. Haptazi diplomatët perëndimorë kanë sugjeruar që procesi i riformatizimit të Ekzekutivit duhet të nënkuptojë shkarkimin e ministrave të korruptuar.

Christopher Dell tha se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

“Një nga gjërat që ne kemi mësuar për më se 200 vjet, është se nuk mund ta luftoni korrupsionin, nuk mund t’ua kufizoni pushtetin atyre që mbajnë poste qeveritare nëse themelet e institucioneve tuaja, të shoqërisë suaj, nuk janë të fuqishme dhe nëse nuk balancojnë njëra-tjetrën”, tha Ambasadori amerikan.

“Trajnimi që do të ndiqni këtë javë, është një nga ato tullat e vogla, por të rëndësishme në vënien e themeleve të një shoqërie ku sundon ligji”, u ka thënë Ambasadori Dell gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve kosovarë.

Ai ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë mes hallkave të gjyqësorit, në mënyrë që besimi i qytetarëve në këtë sistem të rritet.

“Nëse njerëzit shikojnë përreth dhe nuk shohin se liderët e tyre po japin përgjegjësi, nëse e shohin se s’mund të kenë qasje në drejtësi, në gjykata, ata shumë shpejt do të humbasin besimin në proces dhe do të ndalen së kërkuari drejtësinë dhe ju do të hyni në një spirale të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”.

Ai tha se “qarku duhet të pritet në fillim, jo nga bashkësia ndërkombëtare, por nga vetë populli i Kosovës”.

Dhe kjo, sipas tij, bëhet duke kërkuar drejtësi për veten dhe përgjegjësi nga liderët.

Ndërsa Ismet Kabashi, Kryeprokuror i Kosovës, ka deklaruar se të gjitha krimet kudo që ndodhin, janë të rënda.

Ai ka shtuar se trafikimi i njerëzve, trafikimi i drogave dhe korrupsioni publik janë dukuritë më negative, që ndikojnë qenësisht në demokratizimin e shoqërisë dhe sigurimin e sundimit të ligjit në Kosovë.

Në këtë trajnim kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë nga Policia e Kosovës.

Gazmend Hoxha nga Departamenti kundër krimit të organizuar, trajnimet e tilla i ka konsideruar të rëndësishme.

“Policia e Kosovës është e interesuar që t’i marrë përvojat më të suksesshme ndërkombëtare, të cilat kanë dhënë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe të keqes së përgjithshme”, ka thënë Hoxha.

Radio Europa e Lirë shkruan se trajnimi organizohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe ka për qëllim shkëmbimin e përvojave në sektorin e gjyqësisë mes punëtorëve gjyqësorë nga Karolina Veriore dhe atyre nga Kosova.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›