E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesë për Integrim

Riformatizimi i kabinetit qeveritar, që pritet të bëhet shumë shpejt nga Kryeministri Hashim Thaçi, tashmë ka zgjuar ambiciet e disa figurave të skenës politike në vend.

Grupi për Integrim në Parlamentin e Kosovës, që përbëhet nga deputetë minoritarë, këto paralajmërime i ka parë si një rast të mirë për të rrëmbyer pozita të larta politike.

Përfaqësues të këtij grupi tashmë ia kanë dorëzuar kërkesën e tyre Kryeministrit Thaçi, duke kërkuar hiç më pak se dy ministri.

Shefi i këtij grupi parlamentar, Numan Balic ka konfirmuar të hënë për Express se ka pasur takime me Kryeministrin, ku ka bërë të ditura synimet.
Grupi për Integrim është partner politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga e cila Balic ka thënë se pret mbështetje.

Politikani boshnjak ka theksuar se grupi ka kërkuar të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Komuniteteve.

“Kemi kërkuar Ministrinë e Shëndetësisë, për të cilën kandidat jam unë. Po ashtu kemi kërkuar Ministrinë për Komunitete që do t’i takonte ndonjë deputeti serb të grupit tonë parlamentar”, ka thënë Balic, të hënën.

“Kjo është një kërkesë zyrtare dhe ne do të flasim me qeveritarët dhe do të shohim se çka do të bëjmë”, ka shtuar ai.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka deklaruar të hënën për Express se Grupi për Integrim ka dorëzuar një kërkesë me shkrim në Qeverinë e Kosovës për përfshirje në Qeveri.

“Grupi për Integrim ka pasur interesim për t’u inkuadruar në Qeveri. Ka shprehur kërkesat e veta edhe me shkrim dhe e kanë konsideruar veten si pjesë të koalicionit qeverisës, jo si opozitë”, ka thënë Kuçi.

Ai ka theksuar se kjo kërkesë do të shqyrtohet nga Kryeministri.

“Do ta shqyrtojmë këtë me kujdes, por tash për tash nuk mund të them asgjë konkrete”, ka shtuar ai.

Ministria e Shëndetësisë aktualisht drejtohet nga Alush Gashi i LDK’së, ndërsa ajo e komuniteteve nga Nenad Rasic.

Deputeti Numan Balic kishte udhëhequr me Ministrinë e Shëndetësisë gjatë Qeverisë Rexhepi, por më pas ishte shkarkuar nga ajo pozitë.

Po, cilat janë shanset që Balic të drejtojë këtë Ministri sërish?

“Ne kemi folur në mënyrë shumë serioze dhe shumë konstruktive dhe presim po ashtu një përgjigje shumë konstruktive dhe serioze. Tani nuk kam asgjë konkrete. Ne jemi në gjendje që të kontribuojmë në resoret që kërkojmë”, ka thënë Balic.

Ai pret edhe mbështetjen e LDK’së.

“Presim mbështetje të LDK’së dhe prej secilit grup. Në fund do të shikojmë interesin e Kosovës. Ne jemi një grup i vetëm që është multietnik këtu në Parlament”.

Balic ka folur edhe për partneritetin me LDK’në.

“Ne kemi bërë një lloj partneriteti me LDK’në me insistim të deputetit Grbic. Kjo është njëra anë e kësaj pune, por çështja tjetër se ne si grup dhe unë si shef i grupit kam folur me Kryeministrin dhe kemi folur për kyçjen në qeveri dhe mbetet të shihet se çka do të ndodhë”, ka thënë ai.

LDK’ja tash e disa muaj ka lidhur një koalicion me Grupin për Integrime, që përbëhet nga shtatë deputetë nga radhët e komuniteteve. Partia e Fatmir Sejdiut e llogarit si partner strategjik Grupin për Integrime, pasi që kështu ata kanë pas vete edhe shtatë vota në Parlament. Por gjasat për përfshirjen e këtij grupi në Qeveri duken të vogla, për shkak se aktualisht dy ministri drejtohen prej partive minoritare – ajo e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ajo e Komuniteteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›