E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leksioni i fundit



Altin HAXHINASTO

“Po vjen”, shfryu Juban Morales, pa i hedhur sytë as nga e shoqja, që rrinte dy hapa larg tij, as nga i biri nëntëvjeçar, të cilin e shtrëngonte për dore. Me një nervozizëm të përmbajtur, futi në xhep celularin. Në bisedë e sipër, ndonëse ishte përpjekur ta ulte zërin, të birit s’i kishin shpëtuar shprehjet: “nxito, hajvan” dhe “idiot”. Ishte hera e tretë që i telefononte shoferit të tij. “Do ta pushoj. Përnjëmend që do ta pushoj”, e ngriti zërin që ta dëgjonte e shoqja.
“E ke thënë kaq herë e s’e ke bërë”, ia ktheu ajo buzëvarur.
“Po kë të marr? Ndonjë batakçi tjetër, që të ma plasë buzën më keq se ky?!”
“Babi, po ti pse nuk bëhesh vetë shofer?”, e pyeti i biri, duke ngritur kokën. “Ti je vetë i zoti. Më i zoti nga të gjithë.”
“Sepse babi bën punë tjetër. Është drejtor”, ndërhyri e ëma.
“Po të mësosh shumë, të bëhesh i ditur, jo vetëm shoferët, por dhe shumë të tjerë do t’i urdhërosh vetë”, u mundua të bëhej më bindës Jubani.
“Epo, në dorë të shoferit ngelëm përsëri. Ja, ai s’po vjen”, ngulmoi në të vetën djali.
“Ecim pak. Afrohemi tek unaza”, i bishtnoi burri sqarimit,duke i futur krahun së shoqes. “Këtu ku jemi, makina s’vjen dot të na marrë. Është rrugë vetëm për këmbësorë.”
Të tre u drejtuan nga trotuari i krahut tjetër, prej ku rruga për makinat ishte më pranë. Kishin arritur thuajse në mes të shëtitores, kur dëgjuan një uturimë, që vinte nga larg e dukej si zhurmë avioni. Kthyen kokat dhe panë fuoristradën e tyre të afrohej me shpejtësi plumbi, pa përfillur tabelat rrugore. Juban Morales ngriti dorën, duke bërë një shenjë, që donte të thoshte: “Ndalo!”, por makina kishte marrë rrokopujë drejt tyre dhe duket se frenat s’i bindeshin. Instinktivisht, arriti të shtynte të birin përpara se goditjepritësi i makinës ta ngrinte në ajër, për ta përplasur së pari mbi xhamin e përparmë e pastaj ta hidhte pas. Pamja e fundit që i panë sytë ishte i biri, rrëzuar bythazi. Të shoqen s’e pa kund. Bëri të ngrihej, por asfalti e shtrëngonte dhimbtazi, sa s’mund të lëvizte. Në gojë ndiente një shije të veshtullt, turbulluese gjaku. Më tej, gjithçka iu nxi.

*
* *

- Babi, babi. Thuaji këtyre xhaxhi doktorëve ta sjellin edhe mamin te ky spitali, që ta shërojnë. Pse e kanë çuar te spitali tjetër, që ka më shumë policë? Pse s’më lënë ta shoh edhe mamin? Babi! Pse s’më flet?
Juban Morales i dëgjoi si në kllapi këto ngashërima, pa mundur t’i lëvizte qepallat. Pastaj u bë qetësi. I pëlqeu të besonte se ishte vetëm ëndërr.

*
* *

- Emri?
- Juban.
- Mbiemri?
- Morales.
- Mosha?
- Kjo varet nëse jam ende mes të gjallëve.
- Gjendja civile?
- Ç'bëhet me time shoqe? Ku është ajo?
- Hihihi... E kishte grisur si gazetë, më dysh... - u zgërdhi dikush. - E njihni autorin? - vijoi zëri i parë.
- E njoh. Ishte shoferi im prej vitesh. I ati i tij, po ashtu, ishte shofer i tim eti.
- Keni pasur ndonjë grindje, mosmarrëveshje së fundmi?
- Jemi rritur bashkë. Çfarë kam pasur unë, e ka pasur edhe ai. Mendoni se mund të ketë qenë diçka e qëllimtë? Përse duhej ta bënte?
- Atë po mundohemi të kuptojmë. Mund të na e shpjegosh, ç'do të thuash me: “çfarë kam pasur unë, e ka pasur edhe ai”?
- Kur babai u transferua në ministri, e tërhoqi me vete edhe shoferin që kish pasur, të atin e tij. I dha shtëpi, punë. Ne ishim shokë që në shkollë. E ndihmoja gjithmonë për mësimet. Deri në gjimnaz ishim bashkë. Më tej, unë vazhdova fakultetin. Ai shkoi ushtar. Kur u kthye nga ushtria, babai e rregulloi në punë në një ndërmarrje, si shofer. Sapo u bëra drejtor, e mora shofer.
- Ishte njeriu juaj i besuar?
- I kisha besuar timonin, domethënë kokën time. Çfarë besimi mund t’i jepja më shumë.
- Konsumonte alkool ndërkohë që ishte në shërbimin tuaj?
- Kisha vënë re se po pinte ca si shpesh së fundmi. I pata tërhequr veshin, se s’ia duroja dot duhmat, kur hipja në makinë.
- Kishte ndonjë pakënaqësi me ndonjë familjar tuajin? Me gruan tuaj, për shembull.
- Nuk e besoj.
- Po ju, keni pasur ndonjë problem me pjesëtarë të familjes së tij?
- Edhe kur u martua, ime shoqe u bë shkesë. Nuk qe fort e bukur, por ishte grua e urtë.
- Gruaja juaj... ishte e bukur, apo jo?
- Ishte? Domethënë nuk është më?
- Përse mendoni ta ketë bërë?
- S’ka parë kurrë keq prej meje. Hë, pra, më thoni ju, përse?
- Ndoshta zilia. Lakmia. Urdhërimi i dhjetë i timzot Jezusit...
- Ju bëni moral?
- Zoti Juban, po ju lëmë të merrni veten, të qetësoheni. Do ju kontaktojmë përsëri.

*
* *

- Emri?
- Ju... ban, - belbëzoi, duke e ndarë fjalën në rrokje.
- Ju... ban, çfarë?
- Moral... - zëri iu shkrimb nëpër dhëmbë.
- Profesioni?
- ...
- Jeni në gjendje të vazhdojmë?
- Qërohuni! Nuk dua t’ju shoh më!

*
* *

- Babi, kush do më çojë nesër në shkollë?
- Nesër? Në shkollë? Tani kemi gjëra më të rëndësishme për të bërë.
- Ti vetë më ke thënë se, po të mësoj shumë e të dal mirë në shkollë, mund të bëhem ç'të dua e mund të arrij gjithçka. Çfarë qenka tani më e rëndësishme.
- Koka.
- Ç'do me thënë kjo?
- Të ruash kokën. Të ruash shëndetin.
- Po ti më ke thënë se, po ta mbajmë fort njëri-tjetrin, asgjë s’mund të na bëjë keq.
- Ashtu kujtoja. Por, po mos ta kisha mbajtur mamanë aq shtrënguar pas vetes, përkrahu, ndoshta... nesër do të të çonte ajo në shkollë.
- Babi, më ke thënë se ti do jesh krah meje e do më ndihmosh në çdo rast, për çdo problem që mund të kem. Kështu i ke thënë edhe mamit.
- Ashtu kujtoja.
- Mund të më çojë xhaxhi...?
- S’ka më asnjë xhaxhi që të të çojë e të të marrë. Kokën tënde duhet ta mbajnë veç këmbët e tua.
- Domethënë, s’do mund të urdhëroj si ti, kur të rritem, kë të dua, boll që të bëhem i ditur dhe me shkollë?
- Dija duhet të të mësojë të ruash kokën tënde e të atyre që ke më të dashur.
- Po ti, babi, je i ditur?
- Ashtu kujtoja.
- Babi, paguaji me shumë para, që ta shërojnë mamin dhe ty! Ti më ke thënë se paraja është ledhi që ndal edhe vdekjen.
- Ashtu kujtoja. Por, me sa duket, vdekja i paska këmbët më të shpejta se paraja.
- Dua të ikim që këtu! E mban mend, kur ishim në plazh? Më pate thënë se, po të mos më pëlqente mua, s’do rrinim asnjë minutë. Këtu s’më pëlqen. S’më pëlqen fare.
- Do e jepja edhe jetën për të ta plotësuar dëshirën. Nëse më ka mbetur jetë. Shko tani! Doktorët janë jashtë.
- Ata janë të panjohur për mua, babi. Ti më ke thënë mos rri kurrë me të panjohur.
- Ashtu kujtoja.
- Babi, po më lë vetëm?
- Gjithkush jeton jetën e vet dhe provon vetëm dhimbjet e veta. Më fal, bir! Kujtoja se do të ta kurseja këtë dhimbje. Më fal!

*
* *

“U përmend”, u dëgjua zëri i infermieres, nga cepi i dhomës.
Dy mjekët, që rrinin jashtë, në korridor, u turrën brenda. Panë sesi Juban Morales hapi sytë, sa për të bërë të dukshëm një rrëke loti, që i mbeti në faqe edhe pasi lëshoi frymën e fundit.
Te recepsioni i spitalit, një sanitare i zgjati një shishe ujë djalit të vogël, i cili kishte orë të tëra që rrinte pa lëvizur, pa i folur kurrkujt.

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›