Udhëtarja me krahë të rëndë
Letërsia është pyetje për botën, është shtrimi i një çështjeje që të bën të mendosh e të emocionohesh; ajo është harmoni e tensioneve të kundërta, vegim dhe “ikje” nga realiteti drejt ëndrrës; ajo i ndez dritat e shpirtit, shkurt: është puna më serioze e më sublime që bën njeriu intelektual.
Pirro LOLI
E hipën poezinë në një avion modern. Thjesht si udhëtare me numër bilete 13. Udhëtarja enigmatike zuri vend pranë dritares, e kënaqur se kësaj radhe do shikonte ndenjur të gjitha bukuritë, që shihte kur fluturonte me krahët e saj.
Për çudi, avioni me të gjithë forcën e motorëve, kthehet e rikthehet i egërsuar në pistë dhe nuk shkëputet dot nga toka. Askush nuk e di se ç’po ndodh me avionin. Atëherë poeti Primo Shllaku, nga “Komanda e kullës së naltë”, jep urdhrin:
“Zbriteni udhëtaren me numër 13, asht shumë e randë. Ajo nuk fluturon dot në krahë të huaj.”
E zbritën udhëtaren enigmatike dhe, shpejt, avioni zuri qiellin e vet...
E kështu, “Fluturakja e rëndë”, e destinuar vetëm për të fluturuar me krahët e saj, bëhet një statujë nderi për të gjithë poetët. Ajo pra, Poezia, qenka një princeshë e veçantë dhe enigmatike veshur me pajime tepër të rënda, që s’e ngre dot as avioni supersonik. E rëndë dhe e lehtë, me pajime diamanti dhe argjendi, me krahë zogu e fluture, ajo nuk ka vend midis pasagjerëve të zakonshëm; nuk komandohet dot nga kulla e plotit, se ashtu, në mes të njerëzve, e padukshme si oksigjeni, ajo është produkt shpirtëror, e patrajtshme si shpirti, e pavarur si vetvetja, iluzive dhe mashtruese si ajo, zonjë fisnike në fronin e vet, përbuzëse dhe opozitare ndaj çdo froni tjetër, më e thjeshta dhe më “fodullja”, ajo të shtie në mendime e ta fisnikëron shpirtin.
Dhe brengën, dhe vdekjen ta bën më të lehtë.
* * *
Siç ka monumentet e veta, fjala poetike ka edhe gropat e saj, moçalishtet e, pse jo, edhe varret e saj.
Autorët e lartësive të fjalës poetike qëndrojnë si mësuesit e mençur të botës, pavarësisht nga janë, nga Greqia apo Franca, Argjentina apo Spanja, pavarësisht në kanë jetuar para apo pas Krishtit, ose e pinë kafen me ne. Mijëra e mijëra harrohen me të shumtët. Sepse të gjithë ata, të cilët hedhin fjalën në letër, janë të kërcënuar nga harrimi.
Fjala, si monedha, ka ligjet e veta të zhvleftësimit a inflacionit. Ka dhe vdekjen e saj. Parajsën. Dhe Ferrin. Nekrologjia e fjalës nuk shpallet. Fjala e pavlerë bashkëjeton me ne, si një send që s’ka të bëjë me ne deri në harrim të plotë, sikur s’ka qenë kurrë.
Sot kohët janë më komplekse dhe fjala poetike është e kërcënuar. Njeriu është i lirë më tepër për t’u hapur udhë alternativave. Njëtrajtshëmria, zvetënimi i fjalës, homogjenizimi i masmedias me urinë për fitim, cënon me agresivitet fjalën poetike, vlerat e vërteta dhe kulturën.
Italo Calvino, madje, ka paralajmëruar murtajën e gjuhës, epideminë katastrofike që kërcënon këtë vlerë universale të njerëzimit. Fjala si grumbullim stok, fjala hipokrite dhe e pamoralshme, po merr pasaportë dhe kartëbankë.
Poezia (dhe në prozë) fillon atje, ku fjala synon të shprehë maksimalisht thelbin e marrëdhënieve njerëzore, pikërisht atje ku fjala takohet me vetveten në rrethana të tjera, atje ku ajo kthehet në verb figurativ. Kjo, fjalë që kalon nëpër filtra të hollë e të mundimshëm, është e zonja të japë saktësinë e abstraktes, të iluzionit, ëndrrës, dashurisë, urrejtjes e të shkojë deri te hiçi si substanca e tejme e botës.
Shumica dërrmuese e poezisë së botuar sot nuk e njeh metaforën. Verb i zakonshëm, pa ngjyrë, i rreshtuar nëpër vargje me ose pa rrima, me ose pa e strofa, nuk e ka aftësinë e ndërhyrjes në sekretet e realitetit kur s’ka forcë arti, nuk ndërton dot një realitet tjetër, send, objekt a veprin analogjik. Thelbi i poezisë së vërtetë është misterioz dhe gati hyjnor. Kishte të drejtë Odisea Elitis kur thoshte: “Të merresh me poezi, do të thotë ta mbash diellin në dorë pa u djegur.”
* * *
Poezia e sotme e inflacionit duket se shkruhet shumë lehtë; ajo e shpjegon botën dhe dëshiron të përgjigjet me amatorizmin e vet.
Bota mund të shpjegohet vetëm me pashpjegueshmërinë e saj. E nëse edhe mjetet më racionale nuk depërtojnë përtej mureve trashendente të Kantit, poeti është kirurgu i aftë, që mund të hyjë e të depërtojë në brendësi të thelbeve dhe enigmave, natyrisht, pa arritur t’i zgjidhë, por vetëm t’i përshkruajë e të na i japë edhe ato që nuk i sheh as mikroskopi i fuqishëm.
Letërsia është pyetje për botën, është shtrimi i një çështjeje që të bën të mendosh e të emocionohesh; ajo është harmoni e tensioneve të kundërta, vegim dhe “ikje” nga realiteti drejt ëndrrës; ajo i ndez dritat e shpirtit, shkurt: është puna më serioze e më sublime që bën njeriu intelektual.
Mediokriteti dhe amatorizmi ka një padurim tepër të guximshëm që, nga njëra anë, nënçmon e qesëndis atë që nuk e kupton, nga ana tjetër, duke qenë shumicë, ngacmon shijet vulgare të masave, duke spekuluar edhe me masmedian. Me sa duket, tranzicioni shqiptar, ndoshta, si shpërthim dufi të mungesës së dikurshme të lirisë, me ngut e me mungesë të plotë përgjegjësie po i shton antivlerat edhe në fushën delikate të kulturës.
Në bykun e sotshëm të botimeve është vështirë të gjesh kokrrat e grurit. Të vjen keq që libra tmerrësisht të dobët, jo rrallë për një dorë parà, shoqërohen edhe me parathënie, pasthënie e dedikime nga autorë të shquar, kritikë e profesorë. Kështu shtohen varrezat e fjalës. “Ka ardhur koha”, shkruan kritiku Filip Larkin, “që disa nga ju budallenjtë të kuptoni se poezia dhe leximi i saj është punë e rëndë.”
Vetëm lexuesi nuk merret me qira; sidoqoftë, ai është i çoroditur se “fjala e vdekur” nuk shpallet në shtyllat e qytetit, por bashkëjeton me të si ajër asfiksues. Ne vijmë nga istikamet dhe bunkerët e fjalës. E gjithë koha e stalinizmit ishte periudhë e një deliriumi kolektiv lirik. Për këtë letërsi vërehet një heshtje e plotë. Pa të qara e ulërima. Kalojmë përpara rafteve të asaj biblioteke kokulur, si nëpër korridoret e varreve. Është produkt i një mitre shterpë dhe shumica e fryteve të saj janë aguridhe. Më lehtë e kemi të mohojmë mitrën, që tashmë ka mohuar vetveten, e tepër të vështirë produktet që la pas.
* * *
Dihet se poezia ka karakter të theksuuar intim. Ajo lind nga një “grindje e brendshme”, si kënaqësi e veçantë për t’ua dhënë të tjerëve, me mjetet e veta të veçanta. Ajo servir të mirën, të bukurën ose të shëmtuarën si kategori estetike, një gjendje të ndezur shpirtërore, por jo për kërkesa utilitare e shoqërore. Mbartëse e ideve të fuqishme, ajo nuk synon as të luftojë, as të hedhë masat atje ku do politika, e ajo e partishmja “bombë e flamur”, tashmë rezulton e tejkaluar.
Ajo udhëtarja me krahë të rëndë është e patrajtshme dhe ka mundësinë e zëshme të krijojë ndjeshmërinë emocionale në një formë të veçantë, me ritëm apo me muzikalitet, me rimë, pa rimë, në strofa simetrike apo josimetrike, ku mendimi i brendshëm dhe i befasishëm të vjen si me shkarkime të shpejta elektrike për ta tjetërsuar objektin.
Një puhizë, një fërfërimë mes pemëve dhe Emil Dickison bëhet trëndafil. E lehtë si zogu, po jo si pupël, poezia ka pavarësi të brendshme gati virgjërore, një lloj si “lejleku që e ndërton çerdhen e vet pa bërë pazar me qiparisin”. Arti është ndjenjë, emocion, drithërimë e njëkohësisht në krijimin e një gjendjeje të ndezur shpirtërore, të jep edhe një informacion të ri e të paditur më parë, ku fshihet një mendim i beftë alternativ.
* * *
Poetit, që t’i qëndrojë kohës, i kërkohet një vokacion a një timbër vetjak, si domosdoshmëri elementare. Vetëm nëpërmjet vetjakësisë, origjinalitetit krijues, mund t’i bashkohet lumit prej drite të poezisë më të mirë shqiptare apo botërore. Çdo poet, edhe më i miri, i bashkohet këtij lumi me pozicionin e tij në relativitet me të tjerët. Dhe majat janë relative. Askush nuk mund të jetë i vetëm “lumë drite” e shumë rrëkera e përrenj s’arrijnë dot t’i bashkohen këtij lumi.
Poeti lind e rilind në kërkim të pandërprerë të fjalës së figurshme, me vullnet e ankth, me ethe e sfilitje, deri në vetëmohim; e kjo fjalë gjendet nëpër të përpjetat e thikta, atje ku njeriu takohet me njeriun, që dëshiron të humbasë, i ndërgjegjshëm si Prometeu që vodhi zjarrin dhe diturinë.
11 Maj 2009