E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faktive dhe Fiktive



Salajdin SALIHU
Letërsia, për dallim nga gazetaria, është ndryshe. Ndërhyrësit meskinë diktohen menjëherë, sapo fusin hundët në krijimin e një shkrimtari. Këtyre meskinëve u mungon zjarri i brendshëm që ka shkaktuar djegien te shkrimtari, ndërkohë që nga ajo djegie ka mbetur vetëm hiri – vepra, e cila është aq e ngjeshur dhe mëvetësisht e sistemuar, sa çdo ndërhyrje e vogël e jashtme diktohet. Ka patur plot kësi tentimesh, por zbrazëtira kurdoherë është hetuar, për dallim nga gazetaria ku këto gjëra edhe mund të ndodhin. Gazetaria dhe letërsia kanë të përbashkët vetëm fjalën. Përderisa gazetaria është faction, letërsia është fiction.
Ndërsa gazetaria nuk e duron dot fiksionin, letërsia mund të durojë faktin. Apo siç e thoshte Anton Pashku: faktiv - fiktiv.
Në letërsi gjithçka është e mundshme. Bota e krijimit është e çuditshme, tepër e çuditshme, e paskajshme si gjithësia... Shkrimtari krijon tejbotën. Niset nga asgjëja. Nuk e di se çfarë do të dalë nga puna e tij. Nuk ka orar të caktuar. Edhe kur punon nën trysninë e afateve, siç ndodhte me Balzakun a Dostojevskin, për të koha ka kuptim krejt tjetër. Gjërat, që janë aq të gërshetuara sa e djeshmja, përzihen me të sotmen. E nesërmja është gjithsesi aty.
Kur ulet e shkruan (kështu besoj se ka ndodhur edhe me Balzakun a Dostojevskin), harron se botuesit do t’i shfaqen në derë pas një jave apo një muaji. Koka e tij bluan diçka tjetër, bluan materialin me të cilin ndërtohet diçka e përjetshme.
Për shkrimtarin shkrimi është shpëtim, zhvendosja e përkohshme në rrathë të tjerë koncentrikë, një ikje lehtësuese nga përditshmëria, nga zhurma, nga disa gjëra që në atë botë të epërme janë fare të rëndomta, të pavlefshme.
Shkrimtari ka raporte pasionante me letërsinë, si me një të dashur, ndërkohë që mund të ketë edhe raporte detyrimi me gazetarinë, përmes së cilës ai mund të zgjasë ekzistencën fizike, për të mundur pastaj të krijojë formën tjetër të ekzistencës, pra për të krijuar tejbotën. Disa gjëra që në botën e poshtme atij mund t’i duken shumë interesante, atje lart në botën e epërme mund të mos i hyjnë fare në punë.
Në botën e poshtme mund të kenë ndodhur përmbysje të mëdha, por mund të mos jenë nxitje për të ndërtuar kështjellën e përjetësisë. Po shpesh i ndodh që disa gjëra krejt të parëndësishme në botën e poshtme, të bëhen bazament për ndërtimin e botës së epërme, botës pa dimensione, asaj bote të pafundme që e quajmë botë e artit, tejbotë.
Kur fillon e shkruan, krijuesit i hapen shumë dyer, madje edhe të vdekjes. Për ndonjë njeri, që nuk ka hyrë kurrë nëpër këto “dyer”, do të dukej i çuditshëm dialogu antologjik i poetit me ushtarin:
“Ku po vemi?”, pyeti poeti.
“Mbase shkojmë të vdesim”, ia kthen ushtari.
“Nuk qenka gjë e tmerrshme”, tha poeti, “unë sapo u ktheva së andejmi.”

11 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›