Leku fiton terren zbutet euro
Ekspertët gjykojnë se zbutja monedhës unike vjen si pasojë e lëvizjeve nga sektori i turizmit. Megjithatë, kjo është njëra anë, pasi euro po dobësohet edhe ndaj monedhave të tjera. Shkak për këtë është bërë kriza në Greqi, borxhet e së cilës kanë krijuar pasiguri për vendet e tjera të Eurozonës.
Një zbutje e monedhës europiane padyshim që reflekton pozitivisht në disa sektorë të ekonomisë, duke filluar me importet, ku mallrat e blera nga jashtë vijnë me çmime më të lira. Sikurse është konfirmuar nga BSH-ja, një pjesë e nivelit aktual të inflacionit, prej 4.2 përqindësh i dedikohet presioneve që vijnë nga jashtë, si bursa dhe kursi i këmbimit.
Ulja e euros i jep mundësi konsumatorit të shkëmbejë mallra dhe shërbime në tregun vendas me çmime më të lira. Këtu kemi parasysh sektorin e ndërtimit, i cili i ofron hapësirat me euro, pajisjet elektronike dhe deri te paketat turistike.
Tjetër ndikim jo pak i rëndësishëm, pozitiv është edhe ai i kësteve të kredisë, që shlyhen në monedhën europiane.
Nga ana tjetër, qeveria mbledh më pak të ardhura nga taksa e mallrave të importit. Shqipëria kryen tregti me rreth 65 për qind ndaj totalit me vendet e Bashkimit Europian. Kjo do të thotë se presioni i monedhës europiane ndaj ekonomisë shqiptare është tejet i madh. Kujtojmë se Shqipëria rrethohet tërësisht nga vende që përdorin euron, përjashto Maqedoninë.
Debati mbi eurorizimin ka përfshirë shumë ekspertë të ekonomisë, ku një pjesë e shikojnë të ardhmen e vendit si pjesë e Eurozonës. Vetë Kryeministri Berisha deklaroi pak kohë më parë se e ardhmja e Shqipërisë është euro, por Banka e Shqipërisë sqaron se përdorimi i kësaj monedhe kërkon realizimin e disa kushteve të forta. Rasti me Greqinë e bën edhe më të vështirë kalimin e vendit tonë në euro, sikurse shumë vende të BE-së nuk kanë pranuar ta përdorin monedhën si mundësi për t’u mos u përfshirë nga kriza.