Tirana blu i bashkohet Evropës blu
Gjatë samitit për 35-vjetorin e krijimit të Partisë Popullore Evropiane, kryeministri Sali Berisha ka informuar personalitetet e pranishme, për votëbesimin që kryeqyteti dhe e gjithë Shqipëria i ka bërë alternativës së qendrës së djathtë, alternativës që gjen mishërim edhe tek popullorët evropianë, të cilët tani qeverisin 23 nga 27 vendet anëtare të BE-së
Kronika e samitit/Berisha takohet me kryeministrat Merkel, Berluskoni, Orban e Leterme
Kryeministri Berisha merr pjesë në Samitin e PPE-së, në Bruksel, takon personalitete të rëndësishme Evropiane si kancelaren Merkel, homologun italian, Berluskoni, Presidentin e KE, Barroso, kryeministrin e Hungarisë Orban, kryeministrin belg Leterme, etj,. Berisha merr mbështetjen e liderëve Evropianë për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Kryeministri flet edhe për rezultatin zgjedhor të Tianës, duke u shprehur se shteti ligjor tregoi funksionalitetin e tij Në vijim të qëndrimit të tij në Bruksel, kryeministri Sali Berisha mori pjesë në punimet e Samitit të Partive Popullore Evropiane (EPP). Pas Samitit, u mbajt sesioni akademik me rastin e 35 vjetorit të themelimit të PPE-së dhe gjatë këtij aktiviteti Kryeministri Berisha zhvilloi takime e biseda të përzemërta me Kancelaren gjermane Angela Merkel, me Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, me Presidentin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, me Kryeministrin hungarez Viktor Orban, me Kryeministrin e Belgjikës Yves Leterme, me Kryeministrin e ri të Portugalisë Pedro Passos Coelho, me Kryeministrin e Irlandës Enda Kenny, Kryeministrin e Finlandës Jyrki Katainen, Kryeministrin e Suedisë Fredrik Reinfeldt, me zëvendëskryeministrin e Danimarkës Lars Barfoed. Gjithashtu, Kryeministri Berisha zhvilloi takime të veçanta edhe me Presidentin e PPE-së Wilfried Martens, me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian Antonio Tajani, me kryetarin e grupit parlamentar të PPE-së, Joseph Daul, me Presidentin e Parlamentit Evropian Jerzy Buzek. Në përfundim të takimeve, kryeministri Berisha dha një prononcim për mediat, ku u shpreh se, “kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme, 35 vjetori i themelimit të forcës promotorë që ndërtoi Evropën, Partisë Popullore Evropiane, e cila me vlerat që mbrojti dhe zhvilloi u shndërrua në një faktor përcaktues të përmbysjes së perdes së hekurt dhe të lirisë së kombeve të shtypura nga diktaturat totalitare. Ishte themelimi i Partisë Popullore Evropiane, që mund të konsiderohet themelimi i dytë i Bashkimit Europian. Pasi të gjitha ngjarjet e mëdha, nga Traktati i Nices te Traktati i Lisbonës, Nga Traktati i Mastrit te çdo zhvillim tjetër madhor qëndron prapa Partia Popullore Evropiane, korifenjtë e kësaj partie, Helmut Kohl, Zhak Santer, aktualisht janë drejtuesit kryesorë si Angela Merkel. Por figurë qendrore e të gjithë suksese të Partisë Popullore Europiane mbetet Wilfried Martens, i cili mund të konsiderohet si lideri legjendar i kësaj force politike që sot grupon 75 parti të 39 vendeve dhe 17 kryeministra. Në Samitin që sapo përfundoi u ulën 17 kryeministra të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Nga qytetarët e Europës ka një pasion të madh për qendrën e djathtë, për programin e saj. Ka besim të palëkundur te kapacitetet e gjithanshme të këtyre forcave politike për t’u përballur me krizën më të egër që Europa ka njohur që nga vitet ‘30 të shekullit të shkuar. Pra ngjarja ishte frymëzuese, emocionale. Fjalimet e oratorëve ishin të shkëlqyera. Elozhet ndaj udhëheqësit, Presidentit të Partisë Popullore Evropiane, Wilfried Martens, në 20 vjetorin e vendosjes së tij në timonin e kësaj partie, ishin tërësisht të merituara, u shpreh kryeministri Berisha, duke shtuar se, mund të them se dita e sotme është një ditë e shënuar në memorien e të gjithë atyre që u besojnë programit të vlerave të Partisë Popullore Evropiane. Ishte një ngjarje emocionuese dhe frymëzuese. Nisem për në Tiranë i frymëzuar edhe më shumë për të gjithë vizionin e kësaj force politike”.
Në Tiranë do të gjeni përfundimin e numërimit të votave të hedhura gabim, ku kandidati i Partisë Demokratike, zoti Basha, është në avantazh...?
Pata rastin të informoja gjerësisht bashkëbiseduesit e mi për transparencën absolute të numërimit dhe të nxjerrjes së çdo vote në televizion. Diskutuam gjerësisht. I njoha me vendimet e Kolegjit Zgjedhor, me zbatimin me përpikëri të këtyre vendimeve dhe provën e shkëlqyer në të cilën kaloi shteti ligjor. Garat e ngushta, për çdo vend dhe demokraci, janë para së gjithash provë e shtetit ligjor. Mendoj se shteti ligjor në Shqipëri dëshmoi funksionalitet të plotë, dëshmoi maturi të plotë. Natyrisht, nuk mund të mohohet gëzimi që krijoi tek të gjithë bashkëbiseduesit e mi lajmi që Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, u bë blu. Pra në hartën e fitoreve të qendrës së djathtë në Evropë u shtua fitorja e qendrës së djathtë në Shqipëri në tërësi dhe fitorja në Tiranë në veçanti.
Këto dy ditë Evropa diskuton për krizën greke. Ju si jeni ndjerë për ekonominë shqiptare sot?
Ekonomia shqiptare në të gjitha vlerësimet nuk ka njohur dhe nuk do të njohë recesionin. E vërteta është që kriza aktuale e borxheve, le ta quajmë kështu, është një krizë shumë problematike. Një krizë, e cila në Samitin që sapo përfundoi mori një pjesë të gjerë të diskutimit. Por shqiptarët dhe Shqipëria, në saj të modelit ekonomik të aplikuar nga qeveria, janë tërësisht jashtë krize. Në rast se këto do të kishin qenë biseda të hapura, ju do të dëgjonit kryeministra të raportonin se “shkurtuam rrogat me 25 për qind”. Këtë e deklaronin për t’ia ofruar si model kolegut tjetër që kish probleme. Ata raportonin se “duhet të ulen pensionet në këtë masë, se duhen shkurtime të tjera shumë të dhimbshme”. E vërteta është se kjo krizë ka imponuar shkurtimet më të dhimbshme të shpenzimeve të njohura ndonjëherë. Sikundër, edhe rritje të madhe të taksave. Edhe kjo është po kaq e dhimbshme. Fatmirësisht Shqipëria po performon në mënyrë të qëndrueshme. Ka pasur vitin e kaluar një rritje prej 4 për qind, këtë vit kemi parashikuar një rritje prej 5 për qind. Pra mund të themi se projektet e qeverisë në transformimin e infrastrukturës, në konsolidimin e një sistemi arsimor që të mbështesë fuqishëm ëndrrën e shqiptarëve për një Shqipëri të zhvilluar, projektet e Shqipërisë në moshën dixhitale, projektet e mëdha kombëtare për shndërrimin e Shqipërisë në kopshtin më të bukur të Europës, që po ndodh çdo ditë, vazhdojnë të subvencionohen në mënyrë të pandërprerë. Gjatë Samitit, unë para rastin të bisedoj me të gjithë të pranishmit, si për zhvillimet ashtu dhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë, për përpjekjet e qeverisë për Shqipërinë vend të zhvilluar në vitin 2017.
16 ligje që kërkojnë 3/5 e votave nuk janë miratuar në Parlament, çka ka frenuar edhe reformat e integrimit. Si do ta zgjidhni këtë problem nëse opozita do të vazhdojë të bojkotojë?
Unë mendoj se përdorimi i fuqisë dhe i pushtetit që të kanë dhënë zgjedhësit për të bllokuar dhe jo për të votuar, sigurisht që ka një çmim për vendin, por çmimin më të madh e ka për atë që e përdor në këtë mënyrë. Uroj dhe dëshiroj që në ofertën e bërë nga qeveria edhe para 3 ditës, dhe që sërish do të përsëritët, opozita të përfitojë për të dhënë kontributin e saj real në proceset e integrimit. Shteti ligjor është kushti më themelor për funksionimin e një shoqërie të lirë, është kushti më themelor për veprimtarinë normale të një opozite, por është njëkohësisht dhe kushti i të gjitha kushteve për suksesin e reformave. Ndaj në kuadrin e këtij parimi të madh mendoj se të gjitha zgjidhjet janë të mundshme. Opozita është e ftuar të bëj të gjitha amendamentet. Opozita është e ftuar të bëjë të gjithë propozimet e të gjitha kandidaturave që janë më 3/5. Uroj dhe dëshiroj që ta lexojnë mesazhin siç duhet. Opozita e lexon, por ca të tjerë që donin të përfitonin nga kjo lloj ofertë ngatërruan edhe mediat, mirë të tjerat.
Opozita ka deklaruar sërish se do ta ankimojë rezultatin e Tiranës. A ju shqetëson ky fakt, i cili më së pakti do ta zvarrisë procesin?
Aspak nuk më shqetëson. Opozita dhe çdo qytetar ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës. E rëndësishme është që duhet t’i shprehim besim gjykatës dhe jo një vendim që na pëlqen e duartrokasim, vendimin tjetër që s’na pëlqen e anatemojmë. Opozita dhe kushdo ka të drejtë t’i drejtohet, në përputhje me ligjin. Kjo është normale.
...