E Diel, 1 Nëntor 2026

Leku përjeton javë të keqe

Financat PersonaleLeku përjeton javë të keqe

Monedha shqiptare u dobësua për ditën e gjashtë rradhazi kundrejt dollarit dhe euros, duke shënuar nivelin më të ulët që prej një viti kundrejt monedhës amerikane si dhe nivelin më të ulët në shumë muaj kundrejt asaj europiane. Dollari kushtoi dje 88.42 lekë, për herë të parë që nga shtatori i vitit të kaluar, ndërkohë që euro u ngjit në 122.96 lekë. Që nga fillimi i shtatorit, leku ka humbur 6.2% kundrejt dollarit dhe 1.2% kundrejt euros.

Disa ekspertë mendojnë se kjo është pika e kthesës për lekun shqiptar dhe se tendenca e përgjithshme afatmesme është për dobësimin e lekut. Leku shqiptar u forcua vazhdimisht që nga viti 2003 deri në vitin 2006, ndërsa ka filluar të dobësohet gjatë vitit 2007, për shkak të rritjes së deficitit të llogarisë korrente të vendit. Deficiti parashikohet në rritje edhe për këtë vit, gjë që do të ushtrojë presion mbi lekun. Importet e larta të energjisë dhe ushqimeve, si dhe ulja e prurjeve valutore nga emigrantët kanë qenë shkaktarët e thellimit të deficitit të llogarisë korrente të vendit, që këtë vit pritet të kapërcejë kuotën e 1 miliardë eurove. Gjatë vitit të kaluar, deficiti u kompensua pjesshëm me hyrjen e investimeve të huaja, por këtë vit, një gjë e tillë nuk po përsëritet.

Kreditë në valutë shtrenjtohen

Gjatë gjithë kësaj jave monedha vendëse lek ka vazhduar që të humbasë pikë ndaj dollarit amerikan dhe ndaj euros. Monedha amerikane një situatë të tillë e ka shtirë në kohë prej disa javësh dhe efekti nuk vjen nga tregu vendës por ai ndërkombëtar. Por ndaj lekut gjatë kësaj jave është konstatuar se edhe euro ka patur një mbiçmim të ndjeshëm. Ende nuk dihet nëse kjo sjellje e valutave ndaj lekut do të jetë një fenomen javor apo do të shtrihet më tej

Kreditë

Ekonomia shqiptare mbetet tepër e brishtë ndaj lëvizjeve të tilla në kursin e këmbimit. Zhvlerësimi i lekut ndaj euros dhe dollarit është edhe situata më pafavorshme. Nëse në një ekonomi tjetër që do të kishte një eksport relativisht të lartë, efektet do të ishin më të minimizuara, në rastin e ekonomisë shqiptare, një zhvlerësim i lekut do të ishte i vështirë për t’u menaxhuar. Kjo pasi 80% e kredisë është e dhënë në valutë dhe pjesa më e madhe e klientëve të bankave që kanë marrë këto kredi i kanë të ardhurat në lekë. Nëse do të merrnim shembullin e monedhës amerikane, ajo është mbiçmuar ndaj lekut me 1.2 lekë të reja gjatë javëve të fundit. Pra, nëse i referohemi kursit të këmbimit që për dollarin ishte disa javë më parë 76 lekë, tashmë ai ka shkuar në 88.4 lekë. Një kredi në dollarë, ku klienti të ardhurat i ka në lekë ka në shtrenjtim që shkon në rreth 16 për qind.

Ndërsa përsa i përket monedhës evropiane, mbiçmimi i saj ndaj lekut gjatë kësaj jave është i kontrolluar. Euro mbetet edhe monedha kryesore në të cilën janë importet shqiptare dhe kredia e dhënë nga ana e bankave të nivelit të dytë. Një ndryshim i ndjeshëm i kursit të këmbimit të euros me lekun do të kishte pasoja të paparashikuara në ekonomi. Pasojat negative do të ishin në rastin e një zhvlerësimi, pasi ekonomia shqiptare mbetet e orientuar në drejtim të importeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›