E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja një test fare i thjeshtë për ndershmërinë e Kryeministrit

Disa ditë më parë një gazetar i njohur i bëri një apel Kryeministrit për të testuar ndershmërinë e tij në luftën kundër korrupsionit. Mendoj se është një test fare i thjeshtë dhe i qartë. Më pastër së kaq nuk ka si bëhet. Kështu që edhe Kryeministri lahet nga të gjitha akuzat dhe ne si qytetarë biem rehat dhe marrim vesh kush gënjen e kush thotë të vërtetën në këtë histori. Ja përmbajtja e tij:

“…Unë po provoj të vë në provë ndershmërinë e Kryeministrit tonë në një rrugë të veçantë. Nëse do, le të vazhdojë me telefonin e hapur e me spotet televizive, por për ta shfryrë pak tollumbacen e legjendës metropolitane, që flet për kusaritë e fëmijëve të vet (për këtë duhet të jetë absolutisht i interesuar), le të autorizojë autoritetet e aeroportit të Rinasit të publikojnë të gjitha të dhënat mbi udhëtimet e djalit të vet jashtë Shqipërisë në harkun e dy viteve të fundit, d.m.th., datat, destinacionin, personat që e kanë shoqëruar e që janë ulur pranë tij në avion; le të autorizojë gjithashtu autoritetet e kompanive celulare të publikojnë tabulatet e bisedave telefonike të djalit të vet, në mënyrë që ne të marrim vesh, nëse ka folur ndonjëherë me Devirolin, me Delijorgjin, apo me persona të tjerë të nakatosur me tragjedinë e Gërdecit, etj., etj.; le të autorizojë më në fund autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes, që të bëjnë publike librin e vizitave në këtë ministri të personave të jashtëm, në mënyrë që të marrim vesh, nëse djali i tij ka hyrë në këtë ministri e sa herë ka hyrë.

Nëse Berisha do të ishte në rregull dhe i qetë lidhur me veten e me familjen e vet, ai nuk do të kish arsye të mos e lëshonte këtë autorizim në adresë të këtyre autoriteteve. Le ta marrë këtë apel që unë po ia bëj publikisht si një telefonatë tek ai numri i telefonit të hapur, dhe le të vihet në veprim.

Nëse e plotëson këtë kërkesë minimale e krejt të pakushtueshme, unë do të jem i gatshëm të luftoj me këdo që e akuzon atë për korrupsion. Po afërmendsh, nuk është ky qari. Qari është që do t’u mbyllet goja shumë njerëzve. Do ta bëjë, thoni?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›