"Për njeriun që e themeloi atë parti dhe u vra në emër të saj
Dhjetë vite pas vrasjes së tij, shteti shqiptar dhe mbi të gjitha drejtësia shqiptare nuk ka marrë kurajën të hetojë dhe të shpallë publikisht, motivin përse është vrarë Azem Hajdari dhe të zbardhë motivuesit. Ajo që kemi në dorë deri tani është dosja e një gjyqi ordiner, që ka shpallur fajtorë disa vrasës thuajse me pagesë, shumica e të cilëve janë zhdukur më pas.
Premtimi i madh i PD dhe vetë zotit Berisha ka qenë hetimi dhe zbardhja e motiveve të kësaj vrasjeje politike, të më të rëndës në historinë e shtetit shqiptar. Autorët fizikë të vrasjes u identifikuan dhjetë minuta pas vrasjes, por dhjetë vjet më pas ne ende nuk kemi një histori të gjykuar të kësaj vrasjeje politike. Dekorimi i djeshëm i Azem Hajdarit me Urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, dekorata më e madhe e shtetit shqiptar, është një respekt formal për të.
Biografia e tij politike është një leksion i rëndë dhe pesimist për të gjithë ata që kanë keqkuptimin se në Partinë Demokratike ka një sistem të vlerësimit të vlerave politike.
Njeriu që e themeloi atë parti dhe u vra në emër të saj, nuk arriti të bëhej asnjë ditë ministër, nuk arriti të kishte asnjë post në parti, përkundër ngrirjeve dhe përjashtimeve, ndërsa të tjerë nga rruga u thirrën në pushtet në vend të tij dhe i bënin gjyqin atij.
Kjo sëmundje vazhdon të mbetet e pashëruar në partinë që Azemi themeloi, me shpresë se do të vendoste rregulla loje demokratike për të gjithë.