E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta, çmimi bie me 32%, tregu vendës nuk reagon

Çmimi i naftës ka rënë poshtë 100 USD për fuçi gjatë ditës së djeshme në bursat ndërkombëtare

Në tregun vendës, nafta vazhdon që të shitet me çmim që është më shumë se 150 lekë

Tregu vendës i karburanteve vazhdon që të ruajë çmime të larta, ndërsa në bursat ndërkombëtare gjatë ditës së djeshme çmimi ra poshtë 100 dollarë për fuçi. Ky është çmimi më i ulët që prej muajit prill për naftën. Për 4 muaj me radhë tregu vazhdoi që të shënonte rritje të njëpasnjëshme duke kapur nivelin prej 147 dollarë për fuçi, që ishte edhe niveli më i lartë. Nafta D2 shitet me 155 lekë në Tiranë, ndërsa D1 ka një çmim prej 162 lekësh. Sipas të dhënave në bursa, nafta D2 ka patur një çmim dje prej 900 dollarë për ton, ndërsa nafta D1 952.75 dollarë për ton. Por tregtarët e hidrokarbureve në vend tregojnë se rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtar nuk mund të pasqyrohet në të njëjtin nivel në tregun shqiptar, për shkak se leku po dobësohet dukshëm kundrejt dollarit amerikan, monedha me të cilën blihet nafta. Dje dollari kushtoi 88.42 lekë, me forcim prej rreth 6.2% që nga fillimi i këtij muaji. Dobësimi i lekut gjatë dy javëve të fundit ka qenë me ritëm më të lartë sesa rënia e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar. Në tregun shqiptar, çmimi i naftës është ulur me rreth 14.6% që kur arriti kulmin në 172 lekë për litër. Tregu shqiptar vlerësohet se është shumë pak fleksibël. Ministri i Financave, Ridvan Bode premtoi se do të luftojë spekulimit në këtë treg, duke taksuar çmimin final të naftës. Burime nga tregtarët e naftës, bëjnë të ditur se një nga shkaqet e mos uljes së çmimeve të karburanteve në Shqipëri, është edhe vonesa e autoriteteve në uljen e referencës doganore për këto produkte. Edhe Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim për këtë treg, por ende nuk është nxjerrë asnjë konkluzion për kushtet në të cilat operojnë tregtarët e naftës. Me anë të një vendimi, Ministria e Financave vendosi që të gjitha çmimet e naftës me pakicë të vendosen me anë të një kontrate midis shitësit me pakicë dhe grosistit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›