E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku vazhdon forcimin ndaj monedhave të huaja

Leku vazhdon të forcohet kundrejt monedhave të huaja, që nga fundi i muajit të kaluar dhe fillimi i këtij muaji, sidomos ndaj dollarit dhe euros dhe tendenca është drejt forcimit të mëtejshëm.
Në tregun e këmbimit valutor,një dollar është blerë me 90,4 lekë dhe është shitur me 90,9 lekë, duke patur një rënie prej 2 pikësh kundrejt lekut në krahasim me dy javë më parë. Ndërkohë, para një muaji një dollar është blerë me 98 lekë dhe është shitur me 98,5 lekë, ndërsa para tre muajsh një dollar ështe blerë me 101 lekë dhe është shitur me 101,5 lekë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për kursin e këmbimit të lekut me monedhën evropiane, euro, ku ka patur tendencë të forcimit të lekut. Sot një euro është blerë me 127,7 lekë dhe është shitur me 128,3 lekë, ndërsa para dy javësh një euro është blerë me 130.3 lekë dhe është shitur me 130,9 lekë.
Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, leku ka paraqitur qëndrueshmëri edhe ndaj valutave të tjera, një situatë favorizuese që ka ardhur si pasojë e efekteve te sezonit veror, që ndikojnë në forcimin e monedhës vendase, që është më e kërkuar nga emigrantët që vijnë për pushime pranë familjeve të tyre apo turistët e shumtë, sidomos nga Kosova dhe Maqedonia.
Gjatë dy javëshit të dytë të muajit korrik dhe ditëve të para të muajit gusht ka qënë në rritje numri i turistëve kosovarë që kanë ardhur për të kaluar pushimet në Shqipëri, sidomos në plazhet e bregdetit Adriatik, fluks që është rritur sidomos pas shkurtimit të ndjeshëm të udhëtimit pas ndërtimit të autostradës Durrës-Kukës-Morinë. Po ashtu, në pikat kufitare në jug të vendit si, në Kakavijë, Kapshticë, apo ato në veri të vendit, çdo ditë hyjnë me mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët kthehen pranë familjeve për të kaluar pushimet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›