Leku vazhdon zhvlerësimin ndaj euros dhe dollarit
Që prej fillimit të vitit, monedha shqiptare ka pësuar zhvlerësim. Fullani vlerëson tregun e këmbimit
Leku ka vazhduar të zhvlerësohet ndaj monedhave kryesore edhe gjatë kësaj jave. Ditën e djeshme, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar i është afruar këmbimit me 100 lekë, duke fituar më shumë se 1 lekë nga një ditë më parë. Në fund të javës së kaluar, monedha amerikane këmbehej me 98.1 lekë.
Monedha shqiptare është zhvlerësuar në mënyrë graduale edhe ndaj monedhës së përbashkët evropiane, euro. Kështu, në fund të javës, euroja u këmbye me 127.2 lekë, rreth 0.8 lekë më shumë se një ditë më parë, ndërsa krahasuar me fundin e javës së kaluar, ajo është vlerësuar me rreth 1 lek. Ndërkohë që, paundi britanik ka qenë monedha që ka pësuar forcimin më të madh ndaj lekut. Dje, një paund, sipas kursit zyrtar është këmbyer me afro 146 lekë, duke fituar një terren prej më shumë se 3 lekësh ndaj një dite më parë. Brenda një jave kjo monedhë ka fituar më shumë se 5 lekë. Në ditët e fundit të vitit të kaluar, kjo monedhë arriti të këmbehej deri në 130 lekë. Zhvlerësimi i lekut, sipas specialistëve ka ardhur si shkak i ofertës së ulët për valutë. Ndërkohë, guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka zhvilluar një takim me përfaqësuesit e zyrave të këmbimit valutor. Sipas tij, në ecurinë e kursit të këmbimit është reflektuar në mënyrë të vazhdueshme kërkesa dhe oferta, duke mënjanuar rrezikun e mospërputhjes së çmimit me kushtet makroekonomike në vend. Që prej vitit 2000, numri i subjekteve që kryejnë veprimtarinë e këmbimit valutor është 10-fishuar. Banka e Shqipërisë ka emetuar 227 licenca për zyra të këmbimit valutor, me një shtrirje territoriale gjithëpërfshirëse. Vetëm në periudhën qershor 2007 - dhjetor 2008 janë paraqitur dhe është dhënë miratimi për 136 raste licencimi të zyrave të këmbimit valutor. E. Hoxha
Përditësimi i fundit : 12:14:31 06.02.2009
Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollari amerikan USD 99.24 +1.07
EURO EUR 127.20 +0.80
Poundi britanik GBP 145.89 +3.13
Franga zvicerane CHF 84.73 +0.05
Jeni japonez (100) JPY 108.52 -0.93
Dollari australian AUD 65.38 +1.68