E Diel, 1 Nëntor 2026

Korridori 8, pesë vendet nisin lobimin në BE

Komisioni Evropian ka dhënë 225 miliardë euro për projekte infrastrukture, por pa përfshirë këtë korridor

Sipas studimeve të ekspertëve, Italia, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bullgaria, humbasin çdo vit 1 miliardë euro


TIRANË - Korridori i 8 vazhdon të mbetet prioritet i qeverive të Ballkanit Jugperëndimor dhe Italisë. Megjithëse ka disa vite që projekti diskutohet në qarqet evropiane, për arsye të lobeve të ndryshme dhe drojës së shpenzimeve të të mëdha, projekti, i konsideruar si njëri nga më të mëdhenjtë e infrastrukturës, mbetet ende në letër.

Prej vitesh, përfaqësuesit e qeverive të vendeve nga ku parashikohet të kalojë ky korridor lobojnë në Komisionin Evropian, për të marrë fonde, por pa ia arritur qëllimit. KE-ja, para disa vitesh miratoi financimin e 30 mega-projekteve infrastrukturore, me një kosto prej 225 miliardë eurosh, por Korridori 8 nuk bënte pjesë, me gjithë përpjekjet e zyrtarëve italianë, të cilët mbeten më të interesuarit për ndërtimin e tij.

Gjatë këtyre viteve, qeveritë kanë nënshkruar marrëveshje dhe memorandume për ndërtimin e tij. Ky korridor nuk përfaqëson vetëm një rrugë transporti automobilistik, por hekurudha dhe rrjet energjetik. Madje, në Itali është ngritur edhe një sekretariat për këtë vepër madhore dhe, sipas tij, çdo vit, vendet e përfshira në projekt, nga mosrealizimi i tij humbasin 1 miliard euro.

Në përpjekjet e përbashkëta për të përfituar financime, kryetarët e Komisioneve Parlametare të Transportit të Italisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bullgarisë, u mblodhën dje në Tiranë për të bërë të mundur koordinimin e hapave të mëtejshëm, deri në realizimin e tij.

Në pamundësi për ta realizuar me financimet e veta, kryetarët e parlamenteve të vendeve ku kalon gjurma e projektit, do të përpilojnë një letër të përbashkët drejtuar kryetarëve të parlamenteve te vendeve të Bashkimit Evropian, me qëllim marrjen e mbështetjes së tyre për këtë projekt.


Ky hap do të jetë një nismë konkrete e të katër vendeve për ecurinë e mëtejshme të ndërtimit të këtij korridori. Korridori lidh Italinë nëpërmjet portit të Durrësit me Detin e Zi, në portet e Varnës dhe Burgës, pika kyçe në tregtinë me Lindjen. Sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët e transportit, korridori prej rreth 1 mijë kilometrash do të shkurtonte me dhjetëra orë dhe me qindra kilometra rrugëtimin e kamionëve që vijnë nga Perëndimi drejt Lindjes.


Pjesëmarrësit në takim theksuan dhe idenë se ndërtimi i tij nuk duhet trajtuar vetëm si çështje infrastrukturore, por dhe si komunikim më i gjerë transporti, i kushtëzuar nga politikat doganore, sistemit të taksave dhe çështjeve të konkurrencës ekonomike mes vendeve të rajonit.

Duke vëne theksin në rëndësinë që paraqet ky projekt për vendet e rajonit, gjatë fjalimit përshëndetës, Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, tha se ky takim është një hap konkret që vendet tona po ndërmarrin, për t'u bërë apel vendeve të Bashkimit Evropian, të na mbështesin për t'i dhënë përparësi këtij projekti paneuropian. "Përshpejtimi i ndërtimit të këtij korridori merr rëndësi parësore për disa arsye.

Të tilla janë: rëndësia e komunikimit dhe e furnizimit nga burimet e energjisë nga rajoni i Detit të Zi, deri në rajonin e Detit Adriatik dhe Mesdheut, dhe nevoja urgjente për ndërtimin e një autostrade moderne, që lidh vendet e Europës Juglindore", - tha Topalli. Në qoftë se për Shqipërinë projekti mbart rëndësi ekonomike, me zhvillimet më të fundit politike midis Greqisë dhe Maqedonisë, Korridori i Tetë, për këtë të fundit, ka rëndësi jetike. Këtë gjë e ka theksuar edhe kreu i delegacionit parlamentar maqedonas, Jovan Lazarov. "Ky takim që po mbahet sot është një mbështetje e fuqishme për të ecur drejt realizimit të plotë të këtij projekti jetik për vendin tonë, por edhe më gjerë për gjithë rajonin", - tha ai.

-----------------------------------------------------------

Përfitimi, 400 euro për çdo kamion
Numri i kamionëve dhe trailerëve që vijnë çdo vit nga Bari dhe Brindizi drejt porteve shqiptare dhe greke, është në rritje.


Kështu, për vitin 2005, në vendin tonë numri i tyre ishte 48 mijë, ndërsa për vitin e kaluar ai arriti në 55 mijë.

Kamionët dhe trailerët drejt porteve greke, për vitin 2007 arritën në 267 mijë, ose 67 mijë më shumë se në vitin 2005. rritja e numrit të tyre tregon për përfitimet e mëdha ekonomike të ndërtimit të kësaj rruge. Sipas studimeve të ekspertëve, në rast se kamionët do të kalonin nga Bari në Durrës drejt Shkupit, do të kursenin plot 300 kilometra, dhjetë orë kohë dhe 400 euro për çdo kamion, krahasuar me variantin ekzistues Bari-Igumenicë-Shkup.
Korridori VIII-të, krahasuar me itineraret e tjera

Mënyra transportit Rruga Km Kosto/kamion Udhëtimi/orë
Det + Rrugë Bari-Igumenicë-Shkup 635 1600 euro 64
Det + Rrugë Bari-Durrës-Shkup 330 1200 euro 54


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›