E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika me foto, si Tabloja Sinoptike e Enver Hoxhës

01-03-2013 / Gazeta 55

Turri për të bllokuar hetimin për vrasjen e Dritan Lamajt, përmes instrumentalizimit të një fotoje, është një sjellje qesharake e opozitës, e cila ka si model tablonë sinoptike të diktatorit Enver Hoxha, kur donte të shpallte poliagjent Mehmet Shehun. Përqendrimi tek fotoja veç synon të baltosë punën e policisë. T’i marrësh seriozisht lidhjet me foto, është njëlloj sikur të bëjmë përgjegjës Edi Ramën pse ka dalë në foto (fjala vjen) me Saimir Tahirin apo Taulant Ballën, nëse ata nesër do të shpallen si të dyshuar për ndonjë vepër kriminale

Një fotografi e cila ishte bërë publike në rrjetin social të “Facebook”-ut që prej muajit prill të vitit 2011, prej dy-tre ditësh ka fituar vëmendjen e pamerituar. Fotoja ku Arben Frroku, i akuzuari për vrasjen e Kryekomisarit Dritan Lamaj, ndodhej në një ambient privat nën shoqërinë e disa drejtuesve të Policisë së Shtetit, deri para orës 18.20 të mbrëmjes së 24 shkurtit, askujt nuk i kishte tërhequr vëmendjen. Pas këtij afati, ajo, jo thjesht si një prej miliardave foto që postohen në “Facebook”, por për shkak të prezencës në atë foto të të akuzuarit për vrasjen e Kryekomisarit, ka fituar qytetarinë..., e pamerituar. Kjo falë trumbetimit prej “facebook-mediave”, por për më tepër të amplifikatorëve, pse jo dhe pretencës së të tipit Taulant Balla apo Saimir Tahiri. Sipas këtyre tellallëve të Edi Ramës, sot të drekosh a darkosh me dikë, që pas dy vjetësh mund të dalë “kriminel i dyshuar”, rezervon për këdo etiketimin “kriminel”... Po të hyjmë pastaj në sajesat e tipit të “të afërmit” të Kryekomisarit, me zë por pa figurë të një të vetëquajturi si Altin Hyseni, i cili hodhi një shashkë për “datëlindjen” e asaj foto në vitin 2012 dhe kur u pa “që nuk ngjiti” si sajesë, u zhduk, duke na lënë si surratin e tij, një “clipart”, atëherë, të shumëdëshiruarit për të lidhur një foto të dy viteve më parë, me një krim të dy viteve më pas, përveçse më e pakta instrumentalizimit apo një sjellje qesharake dhe më e shumta baltosja e policisë apo prishja e hetimit për këtë ngjarje, nuk lënë mundësi tjetër të ngritjes në “institucion” të një fotoje... Opsioni “kohështrirje” i “Facebook”-ut, nuk e la për një kohë të gjatë të endej në eter “datëlindjen” e shumëdëshiruar dhe e sajuar si e vitit 2012, për atë foto, e cila e kishte “të stamposur” datën e “postimit” të saj në prill të vitit 2011...
Të mësuar e të bërit politikë me foto, sikurse bie fjala, Edi Rama me fotot e tij lakuriq në plazh, ku ende sot “krenohet” për pafytyrësinë e lakuriqësisë së tij, apo Erion Veliaj me fotot e “Mjaft”-ucëve të veshur si femra, për disa fonde më shumë nga projekte të ndryshme ndërkombëtare, për Edi Ramën, suflerin e Taulant Ballës e Saimir Tahirit, një foto e të dyshuarit për vrasjen e Kryekomisarit, nuk ka si të mos përdoret për politikë..., paçka se 10 ditë apo dy javë para vrasjes së Dritan Lamajt, edhe suflerë e aktorë të zhurmnajës për “politik-foton” më të fundit, darkonin me Arben Frrokun..., ndërsa sot “lajnë bythën me shurrë”.
I gjithë ky tur i të bërit politikë me një foto, ka një qëllim të vetëm..., bllokimin e hetimit për vrasjen e Dritan Lamajt. Kjo sjellje, përmes instrumentalizimit të një fotoje, si një sjellje e radhës qesharake e opozitës, ka si model tablonë sinoptike të diktatorit Enver Hoxha, kur donte të shpallte poliagjent Mehmet Shehun. Këtë po bën edhe opozita me përqendrimin e saj te fotoja, e cila veç synon të baltosë punën e policisë. Por, t’i marrësh seriozisht lidhjet me foto, është njëlloj sikur të bëjmë përgjegjës Edi Ramën pse ka dalë në foto (fjala vjen) me Saimir Tahirin apo Taulant Ballën, nëse ata nesër do të shpallen si i dyshuar për ndonjë vepër kriminale.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›