Izraeli shi raketash, masakër në Rripin e Gazës
Rreth 205 të vrarë dhe qindra të plagosur në territoret e kontrolluara nga Hamasi
Si pasojë e sulmeve izraelite me raketa, në Rripin e Gazës janë vrarë të paktën 205 vetë, ndërsa janë plagosur qindra të tjerë. Supozohet se ndër të vrarët është edhe shefi i policisë së Hamasit. Hamasi është përgjigjur me kundërgoditje ndaj territoreve izraelite, prej nga njoftohet për një izraelit të vrarë. Presidenti palestinez Mahmud Abaz, ka dënuar sulmet izraelite dhe ka vendosur kontakte urgjente me disa prej homologëve të tij nga vendet e rajonit. Për shkak të gjendjes alarmante, Egjipti i ka hapur kufijtë për automjetet e ndihmës së shpejtë, në pjesën e kufirit me Rripin e Gazës. Ministrat e jashtëm të shteteve arabe paralajmëruan këshillime emergjente. Ndërkohë që, përfaqësuesi i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, Havijer Solana, u ka bërë thirrje palëve për ndërprerjen e menjëhershme të konflikteve. Britania e Madhe është shprehur e shqetësuar për shkak të sulmeve izraelite. Ndërsa SHBA-të kumtuan se Hamasi duhet t'i ndërpresë sulmet terroriste. Në anën tjetër, Izraeli ka paralajmëruar mundësinë e shtrirjes së sulmeve kundër islamistëve radikalë. Ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, tha se operacionet do të vazhdojnë "aq sa është e nevojshme", ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Jigal Palmor, deklaroi: "Në qoftë se Hamasi vazhdon agresionin e tij, ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Por ende nuk është vonë që palestinezët t'i bëjnë thirrje Hamasit që ta ndërpresë dhunën". Presidenti Izraelit Shimon Peres, me gjithë shkallëzimin e situatës, e konsideron të mundshme një marrëveshje me palestinezët vitin e ardhshëm. Mirëpo, mbajtësi i çmimit Nobel për paqen, ka përjashtuar bisedimet me Hamasin. Ministrja izraelite e Punëve të Jashtme mbrojti sulmet ajrore në Gaza, duke theksuar se e vetmja mundësi që Izraeli dispononte kundër Hamasit ishte ushtria. ''Jemi munduar të vetëpërmbahemi deri tani, por tashmë nuk ka zgjidhje tjetër, përveç një operacioni ushtarak kundër Hamasit'', - konfirmoi Livni për gazetarët. ''Vetëm këtë javë, qindra raketa dhe predha janë hedhur kundër lokaliteteve izraelite, 80 prej të cilave vetëm në një ditë'', - shtoi ministrja dhe shefja e partisë së qendrës së djathtë''Kadima''. ''Na duhet të mbrojmë njerëzit tanë nga sulmet, duke iu përgjigjur ushtarakisht infrastrukturave terroriste në Gaza'', - theksoi ajo, ndërkohë që shumë vende kanë kërkuar armëpushimin e menjëhershëm.
Lideri i qeverisë islamike të Hamasit në Rripin e Gazës u deklaroi palestinezëve se Gaza nuk do t'i dorëzohej kurrë Izraelit, çfarëdo lloj force që të përdorë ky i fundit kundër këtij territori.
''Ne nuk do ta dorëzojmë tokën tonë, ne nuk do ta ngremë kurrë flamurin e bardhë dhe nuk do t'i përulemi askujt, përveçse zotit'', - deklaroi Ismail Hanieh përmes një letre drejtuar palestinezëve, pas sulmeve të sotme izraelite, që kanë shkaktuar deri tani vdekjen e 205 palestinezëve.
''Ka gjak gjithandej, ka të plagosur dhe të vrarë në çdo shtëpi dhe në çdo rrugë..., por ne nuk do të dorëzohemi kurrë'', - shtohet në letër.
Disa ditë rresht mediat izraelite kishin informuar për ofensivën e planifikuar kundër Hamasit radikal islamik. Por, para se të fillonte, Izraeli lejoi që në rajonin e rrethuar të futen kamionë me mallra ushqimore dhe medikamente. Bëhet fjalë për një 'mision të kufizuar', i cili do të zgjasë disa ditë. Me këto fjalë e përshkruante gazeta “Ha’aretz”, në numrin e saj të së premtes, detyrën e ngarkuar për Forcat e Sigurisë të Izraelit. Operacioni i përbashkët ushtarak i trupave të këmbësorisë dhe aviacionit, drejtohet kundër Hamasit dhe grupeve tjera ekstremiste në Rripin e Gazës. Të enjten, ekstremistët palestinezë shkrepën në drejtim të territorit izraelit shtatë raketa Kasam. Sipas të dhënave izraelite, ato nuk shkaktuan dëme. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, paralajmëroi të premten hapjen e kufirit me Rripin e Gazës për kalimin e ndihmave humanitare. Sipas të dhënave të një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të premten kishin kaluar kufirin izraelito-palestinez rreth 80 kamionë të mbushur me ushqime, medikamente dhe drithëra. Po ashtu, u transportuan sasi të kufizuara nafte industriale për termocentralin në Gazë. Bëhet fjalë për ndihmat e para humanitare në dhjetë ditët e fundit. Sipas medias izraelite, Kryeministri Ehud Olmert dëshironte që popullsia palestineze të jetë e furnizuar me ushqime dhe medikamente para fillimit të aksionit ushtarak. Sipas gazetës “Ha’aretz”, Olmert nuk dëshironte që gjatë kohës së sulmeve të ketë një krizë humanitare shtesë. Edhe ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, i cili ditët e fundit u tregua shumë i përmbajtur, sqaroi të premten në mëngjes se: "Edhe sot herët ne i kushtuam vëmendje të posaçme jugut. Nuk janë vetëm fjalë që për ne janë të papranueshme, por është gjendja e krijuar së fundi, të cilën nuk mund ta pranojmë. E vetmja që mund të them sot, është se kushdo që sulmon qytetarët e Izraelit dhe ushtrinë e tij, do të paguajë një çmim të lartë", - shprehej Barak.
Reagimet
Moon: Ndal dhunës izraelito-palestineze
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, bëri thirrje për ndaljen e menjëhershme të dhunës në jug të Izraelit dhe në Gaza, ku izraelitët sulmuan me raketa pozicionet e Hamasit, nga ku gjetën vdekjen të paktën 205 persona. "Sekretari i Përgjithshëm i organizatës është tepër i shqetësuar në lidhje me dhunën dhe gjakderdhjen e sotme në Gaza, si dhe me vazhdimësinë e dhunës në jugun e Izraelit", - thuhej në deklaratën e OKB-së, që u publikua në faqen e internetit të organizatës.
Blair: Armëpushim i menjëhershëm
Përfaqësuesi i Katërshes për Lindjen e Mesme, Tony Blair, kërkoi sot armëpushimin e menjëhershëm për konfliktin izraelito-palestinez dhe, për më tepër, një strategji të re për Rripin e Gazës. ''Për ngjarjet e tmerrshme dhe humbjet tragjike të qenieve njerëzore në Gaza, nevojitet menjëherë një armëpushim, pasi sulmet me raketa po vrasin civilët izraelitë dhe goditjet e izraelitëve në Gaza të ndalojnë, pasi vuajtja e popullatës, që është më e rëndësishmja, duhet të përfundojë'', - deklaroi Blair në një komunikatë. "Së shpejti ne duhet të ndërmarrim një strategji të re për Rripin e Gazës, në mënyrë që të ndalet vuajtja e palestinezëve dhe siguria e Izraelit të jetë e mbrojtur'', - vazhdoi Tony Blair.
Rice: Hamasi, fajtor për dhunën
Sekretarja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Condoleezza Rice, fajësoi Hamasin për shkeljen e armëpushimit me Izraelin, i cili kreu një seri sulmesh ajrore, duke shkaktuar vdekjen e më shumë se 200 palestinezëve. ''SHBA-ja dënon ashpër sulmet e përsëritura me raketa dhe granata kundër Izraelit dhe e konsideron Hamasin përgjegjës për shkeljen e armëpushimit, si edhe për rifillimin e dhunës në Gaza'', - tha Rice me anë të një komunikate. ''Armëpushimi duhet të vendoset menjëherë'',- shtoi Rice
Kajro, notë proteste Izraelit
Egjipti i dërgoi ambasadorit izraelit në vend një notë proteste kundër sulmeve të Izraelit në Gaza, ku shtohej se Kajroja do të vazhdonte përpjekjet për rivendosjen e armëpushimit. Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme egjiptiane i komunikoi ambasadorit izraelit se Egjipti i dënonte sulmet e Izraelit. Ambasadori izraelit në Kajro fajësoi lëvizjen islamike, Hamas, dhe u shpreh se Izraeli ishte munduar të shmangte përkeqësimin e situatës. Një deklaratë e presidencës egjiptiane i dënonte gjithashtu sulmet izraelite dhe theksonte se Kajroja do të vazhdonte përpjekjet për rivendosjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Gazës. Në deklaratë theksohej se Egjipti fajësonte Izraelin për viktimat në Rripin e Gazës. "Egjipti do të vazhdojë punën për parapërgatitjen dhe rivendosjen e periudhës së qetësisë dhe paqes, si dhe për arritjen e afrimit të grupeve palestineze".
Irak, vdes në aksident shqiptari nga Tetova
Një shqiptar nga Tetova e Maqedonisë, ka humbur jetën në Irak, në kampin Summerall, në afërsi të qytetit Begji (rreth 200 kilometra në veri të Baghdadit. Mersim Ademi, humbi jetën kur një kamion shpërtheu në kampin Summerall. Lajmin e bëri të ditur Kompania Ecolog, punëtor i së cilës ishte i riu nga Tetova. “Me keqardhje të madhe informojmë opinionin se, më 24 dhjetor 2008, në kampin Summerall, në afërsi të qytetit Begji, (rreth 200 kilometra në veri të Baghdadit) në Irak, gjatë një fatkeqësie pranë stacionit të karburanteve brenda në kampin ushtarak të ushtrisë amerikane, punonjësi jonë i çmuar, Mersim Ademi, mori lëndime të rënda, thuhet në njoftimin e Kompanisë
Ekolog. Fatkeqësisht, edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për të tejkaluar lëndimet e marra, ato ishin fatale, thuhet në njoftim. “Rasti vazhdon të investigohet më tej nga strukturat e ushtrisë amerikane për t’u zbardhur në tërësi rrethanat që sollën këtë humbje të madhe. Nga ana e Ecologut, menjëherë u caktua një ekip emergjence, që bëri koordinimin dhe organizimin e transportit të kufomës për në Maqedoni. Varrimi i të ndjerit u bë dje në varrezat e qytetit në Tetovë. Mersim Ademi nga Tetova, ka punuar në këtë rajon të Irakut që nga viti 2005.