Pistoletë dhe municion luftarak në makinë, arrestohet 30-vjeçari në Lushnje

Një 30-vjeçar ka rënë në pranga të policisë së Lushnjes pasi qarkullonte me armë zjarri me vete.
Gjatë kontrollit, në makinën e tij tip “Benz” në të cilin udhëtonte u gjendën 1 pistoletë, 1 krehër me 7 fishekë dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale nga policia.
Shtetasi M. P., 30 vjeç, banues në Patos, rezulton i dënuar më parë për vrasje në rrethana të tjera cilësuese.
“Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 30 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë për vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, thuhet në njoftim e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/