Lëndohet Xhemajli

Blerim Xhemajli ka pësuar një lëndim në momentet kur po kalonte nëpër një formë të shkëlqyeshme, në Serie A, në fanellën e Parmës. 23-vjeçari lëndoi ligamentet e gjurit të majtë pas një përplasjeje me mesfushorin e Palermos, Giulio Migliaccio.
Mediat zvicerane dhe ato italiane shkruajnë se ylli i Parmës mund ta ketë përfunduar sezonin për shkak të një lëndimi të gjurit. Drejtuesit e Parmës i frikësohen më të keqes, pasi Xhemajli do t’i nënshtrohet një ekzaminimi detaj, për ta kuptuar seriozitetin e lëndimit që e pësoi në ndeshjen me Palermon.
Dyshohet se ai ka lënduar rëndë ligamentet, që do të nënkuptonte se ky sezon për të ka përfunduar. Nëse kjo ndodh, atëherë ish-anëtari i Boltonit do të humbë mundësinë që të luajë me Zvicrën në Kampionatin botëror Afrika e Jugut 2010.
“Pa dyshim se është një kohë e pafat”, ka thënë Xhemajli, i dëshpëruar për të përditshmen zvicerane, Blick.ch.
Kjo nuk është hera e parë që Xhemajli pëson një lëndim të tillë. Ai gjatë sezonit 2006/2007 sa ishte pjesë e klubit zviceran Zurich, lëndoi ligamentet e gjurit, të cilat e lanë jashtë fushës gati një vit.
Xhemaili në afatin kalimtar të verës që e lamë pas nga Torino u huazua te Parma, ku luajti një rol të rëndësishëm. Mungesa eventuale e Xhemajlit, vetëm sa do t’i përkeqësonte gjërat në Parma, që pas një fillimi shumë të mirë të sezonit, ka pësuar 5 humbje në 6 takimet e fundit.