Vështirë për Shqipërinë

Shorti i tërhequr të dielën në kryeqytetin polak, Varshavë, ka përcaktuar kundërshtarë jo edhe aq të lehtë për Kombëtaren shqiptare, për eliminatoret e kampionatit Evropian, Polonia – Ukraina 2012.
Kundërshtar i kuqezinjve në Grupin D, do të jetë ish-kampioni i botës dhe Evropës, Franca, Bosnja dhe Hercegovina që për pak nuk u kualifikua në botërorin Afrika e Jugut 2010, Rumania, Bjellorusia dhe Luksemburgu.
Tre përfaqësueset e fundit nuk janë të panjohur për Shqipërinë. Në eliminatoret e kaluara për kampionatin Evropian 2008, kuqezinjtë në dy ndeshjet me Luksemburgun kishin fituar derisa në përballjet me rumunët dhe bjellorusët kishin rezultate negative.
Selektori i ekipit kuqezi, Jospi Kuze, ka thënë se shorti nuk ka qenë edhe me shumë fat për përfaqësuesen shqiptare. Trajneri kroat, Grupin D e ka vlerësuar si shumë të vështirë.
“Është një grup i vështirë. Kundërshtarët në individualitetet e tyre janë të gjithë shumë të veçantë dhe të fortë. Mund të kishim shanse më të mira në vazot 3 dhe 4”, është shprehur trajneri Kuze.
Pavarësisht kësaj, trajneri i përfaqësueses shqiptare ka deklaruar se tashmë ndeshjet duhen vlerësuar të gjitha me të njëjtin seriozitet. “Do t’ i studiojmë një për një dhe do të kërkojmë të marrim më të mirën prej tyre”, ka theksuar Kuze, i cili preferon që ndeshjen e parë ta zhvillojë në Tiranë kundër Francës.
Ndërsa edhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala e ka vlerësuar si të vështirë Grupin D. Sipas mesfushorit të Hannoverit, në këtë grup janë tri skuadra pretendente Franca, Rumani dhe Bosnja Hercegovina.
Në anën tjetër, sulmuesi i Rapid Vienës, Hamdi Salihi, shpreson që Shqipëria në eliminatoret për Euro 2012 të bëjë një hap më shumë sesa kanë bërë viteve të kaluara.
“Mendoj se në cilindo grup të kishim rënë, do të kishte qenë grup i vështirë. Pak a shumë e kemi pritur se do jemi me ekipe të tilla, janë klube që duhet respektuar, por janë klube që të japin shpresë që të marrim edhe pikë. Shpresoj që të bëjnë një hap më shumë sesa vitet e kaluara”, ka deklaruar Salihi.
Cana i kënaqur për Francën
Lorik Cana është shumë i gëzuar që për kundërshtar në grup për eliminatoret e Euro 2012 i ka rënë përfaqësuesja e Francës. Kapiteni i Sunderlandit thotë se një gjë të tillë e ka pritur prej kur ishte pjesë e PSG-së.
“Më në fund do të përballem me Kombëtaren e Francës. Këtë e kam dëshiruar që kur isha në PSG. Në një eveniment kur nuk është e përfshirë Shqipëria, unë jam tifoz i Francës. Kam ende miq atje dhe disa lojtarë që i njoh mirë. Është një kënaqësi e madhe për mua. Përveç Francës, që është e nivelit më të lartë, grupi ynë është mjaft homogjen”, ka thënë Cana për mediat franceze.