E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëndohet sërish

Valon Behramin nuk po e lënë rehat lëndimet. Mesfushori kosovar është detyruar sërish ta lërë lojën para kohe të shtunën mbrëma, në miqësoren që e zhvilloi përfaqësuesja e Zvicrës ndaj asaj të Italisë (1:1).

25-vjeçari u largua në minutën e 56-të, pasi pësoi një zgjatje të muskulit në kofshën e djathtë. Në kontrollin e parë që ai bëri pas lojës, mjeku i përfaqësueses helvetike, Cuno Wetzel, nuk mendon se lëndimi i futbollistit të West Ham United është i rrezikshëm.

“Edhe pse kanë kaluar vetëm 12 orë që nga lëndimi, pamjet e para tregojnë se Behrami nuk ka lëndim serioz. Do të shohim në kontrollet e ardhshme dhe shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”, ka thënë mjeku i klubit, Wetzel.

Behrami ia lëshoi vendin bashkëlojtarit Tranquillo Barnetta, në ndeshjen që u zhvillua në Gjenevë të Zvicrës dhe që përfundoi baras, 1:1. Mesfushori kosovar, aq sa luajti, pati paraqitje shumë të mirë.

“Behrami po luante lojë mjaft direkte dhe dukej kërcënues. Shpresoj që lëndimi i tij të mos jetë serioz. Ai dëshironte ta vazhdonte lojën, por ishte doktori ai që e dërgoi jashtë fushës”, ka thënë selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld.

Sipas trajnerit gjerman, kontrolli që pritet ta ketë në ditët në vijim do të mund të konfirmojë nëse Behrami do të jetë në gjendje apo jo të jetë i gatshëm me kohë për ndeshjen e parë të Zvicrës në Botërorin 2010, kundër kampionit të Evropës, Spanjës, më 16 qershor.

Behrami kishte pushuar në ndeshjen miqësore ndaj Kosta Rikës, e cila u zhvillua më 1 qershor, për shkak të lëndimit, ndërsa me t’u kthyer në fushë, ai u lëndua prapë të shtunën. Pikërisht, lëndimi ishte ai që e kishte lënë jashtë Evropianit 2008, ku kishte luajtur vetëm tre minuta me Zvicrën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›