E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leon Çino tani edhe regjisor

Tripiku: “Amore, Sagapo, Dashuri”, “Femër” dhe “Pasion”, është spektakli që do të jepet më 24-25 shtator në Teatrin Grek të Romës, nën regjinë e Leon Çinos

Vitet e fundit programi i talenteve në Italia “Amici” është kthyer në një trampolinë për shumë të rinj që kanë arritur të evidentohen përmes këtij programi si këngëtarë, por dhe si balerinë. Mes talenteve më të mirë që ka nxjerrë ky program, mbetet padyshim edhe balerini shqiptar Leon Çino, që ishte balerini i parë që fitoi këtë program në edicionin e tij të tretë, duke ecur nën hijen e një tjetër balerini shqiptar, siç ishte Kledi Kadiu. Por në edicionin e fundit Leon Çino u largua nga programi e tashmë po përgatitet të punojë i pavarur, duke u lançuar në një program ku ai është protagonisti i një tripiku: “Amore, Sagapo, Dashuri”, “Femër” dhe “Pasion”. Spektakli që do të jepet më 24-25 shtator në Teatrin Grek të Romës, do të vijë nën regjinë e vetë balerinit Leon Çino. Emocionet e balerinit të ri janë të forta, sepse ai edhe do të kërcejë edhe do të “dirigjojë” spektaklin. “Do të kërcej për të sjellë dashurinë - shpjegon balerini për TGcom - por edhe miqësinë e thellë mes meshkujve. Janë momente ku unë kërcej vetëm me gjithë forcën e pasionit”. Por balerini ka edhe një ëndërr. “Të rikthehem në ‘Scala’”- thotë ai. Ashtu si në çdo kërcim ku do të shohim Leonin protagonist, ai do të përcjellë mesazhe të rëndësishme te publiku. “Përmes lëvizjeve dhe gjuhës së trupit, unë rrëfej lumturinë e jetës në çift: emocionet, energjinë, frymën, shpirtin, përqafimin. E këtë e realizoj bashkë me dy partnere. Në programin e kërcimit janë dhe meshkujt, ku flitet për dy ushtarë në betejë, ku rrëfehet dashuria e tyre e veçantë, një dashuri vëllazërore, lidhja që mund të kenë dy meshkuj që mbeten miq në përjetësi. Me sinqeritet mund të pohoj se nuk kam hasur asnjë vështirësi të bashkëpunoj me profesionistë dhe them se në çdo punë që ne bëjmë mësojmë diçka të re”- shprehet balerini shqiptar. Ashtu si çdo artist, edhe Leon ka projekte të rëndësishme për të ardhmen, por shpreson që një ditë të mund t’i realizojë ato. “Do të më pëlqente shumë të rikthehesha me lëvizjet e mia në ‘Scala’ bashkë me grupin e miqve të ‘Amici’ me të cilët dhe punoj. Më pëlqen që tani jam me ta dhe do të më pëlqente akoma më shumë që dhe në të ardhmen të ishim bashkë. Unë do të eci përpara bashkë me ta”. Në intervistën e tij balerini shqiptar zbulon më shumë detaje rreth spektaklit ku ai është protagonisti kryesor e njëkohësisht regjisor.

Si iu bashkuat Biagio Tambone-s, koreografit të spektaklit?

Ka qenë profesori im në shkollën e kërcimit të Teatrit “Scala” dhe koreografi im në sezonin e praktikës në vitin e fundit. Kam qenë dhe mbetem një nxënës i tij.

Mes kërcimit dhe regjisurës, cila do të ketë përparësi gjatë spektaklit?

Përmes lëvizjeve unë rrëfej me gjuhën e trupit atë çfarë përjetojnë një çift: emocion, energji, përqafim, puthje. Më pas kam një rrëfim edhe për meshkujt, ku sërish përmes lëvizjeve dhe gjuhës së trupit do i rrëfej spektatorit historinë e dy ushtarëve, që i lidh njëri me tjetrin një dashuri e veçantë, një dashuri vëllazërore; thjeshtësia me të cilën bashkohen dy meshkuj në miqësi të pafundme, që jetojnë marrëdhënien e tyre të pakushtëzuar. Por nga ana tjetër, nuk ndiej vështirësi të bashkëpunoj me profesionistë, dhe mendoj se në çdo përvojë të re që ke mëson diçka më shumë. Unë po mësoj nga profesionistët shumë “sekrete” edhe të profesionit të regjisurës.

Po në momentet që kërceni vetëm, çfarë doni t’i tregoni publikut?

Pjesët ku unë kërcej solo përfaqësojnë burrërinë, forcën, pasionin, komunikojnë mjeshtëri dhe jo vetëm… Nuk do të doja të zbuloja shumë nga detajet e spektaklit, në mënyrë që publiku ta shijojë vetë gjithçka që do të them përmes lëvizjeve të mia më 24-25 shtator në Teatrin Grek të Romës.

Cila është koreografia që ti e ndien më shumë si pjesë tënden?

I gjithë spektakli më përket dhe më përfaqëson mua plotësisht. Nuk ka një koreografi apo ndonjë pjesëz në veçanti që unë e ndiej timen më shumë se të tjerat. Vetë spektakli përfaqëson atë që unë jam dhe atë që unë bëj.

Në cilën skenë teatri ëndërron të kërcesh një ditë?

Më pëlqen shumë ideja që një ditë bashkë me hapat e mi të rikthehem në Teatrin “Scala”, deri në teatrin PNB (Pacific Northwest Ballet), por më pëlqen të shkoj edhe në teatro të tjerë, ku unë akoma nuk kam shkelur.

Po projektet për të ardhmen cilat janë?

Këtë grup miqsh nga ‘Amici’ me të cilët po punoj, do të më pëlqente shumë që dhe në të ardhmen të jem me ta e nëse projekti që unë kam do të ecë përpara, unë do të eci përpara bashkë me ta.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›