Zbulohen 8 spiranca rreth 1700-vjeçare
Ekspedita nënujore shqiptaro-amerikanë gjatë verës ka arritur të zbulojë në brigjet shqiptare 8 spiranca që mendohet se janë më të lashta se 1700 vjet. Gjatë ekspeditës nënujore janë zbuluar disa vendndodhje arkeologjike të anijeve të lashta në bregdetin shqiptar e mes tyre spirancat që përbëjnë elemente mjaft interesante për t'iu qasur historisë së lundrimit ilir dhe shqiptar. Nga kërkimet në bregdetin jugor janë zbuluar 8 spiranca, mosha e të cilave është më e lashtë se 1700 vjet, ndërsa janë më të shumta spirancat më të reja. Sipas arkeologëve, këto janë provat materiale për ekzistencën e flotës ilire dhe lundrimet e saj. Prova të cilat ndodhen pjesërisht në muzeun historik të Vlorës, ndërsa pjesa tjetër në muzeun arkeologjik të Durrësit. Gjatë këtij sezoni veror misioni arkeologjik shqiptaro-amerikan, i cili punon për hartën dixhitale nënujore, ka skanuar pjesën veriperëndimore të gadishullit Karaburun, ndërsa vitin e ardhshëm do të vazhdojë hetimin nënujor të gjirit detar të Vlorës. Tashmë janë zbuluar disa zona me materiale arkeologjike dhe disa relikte anijesh, të cilat datojnë që nga shekulli i 6-të para erës sonë.