E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonard Cohen fiton Princin e Asturias për letërsi

Poeti, këngëtari dhe kompozitori kanadez Leonard Cohen është shpallur fitues i çmimit Princi i Asturias për letërsi për vitin 2011. Nga Express më 06 qershor 2011 në ora 08:42

Çmimi letrar Princi i Asturias i është ndarë Cohen-it për ‘shëmbëlltyrën emocionale në të cilën poezia dhe muzika janë bashkëshkrirë në një vepër me vlera të përhershme’.

Juria në këtë qytet veriperëndimor spanjoll gjithashtu ka përmendur se vepra letrare e artistit 76 vjeçar ‘ka ndikuar në tri gjenerata të njerëzve anekënd botës’.
Ai i ka mundur autoren e tregimeve të shkurtra Alice Munro dhe romancierin anglez Ian McEwan, të cilët kanë qenë gjithashtu në mesin e 32 kandidatëve që ishin përzgjedhur si finalistë.

Cohen, vendas i Montrealit, që ka qenë gjithashtu edhe kandidat i këtij viti për çmimin Princi i Asturias për arte, i cili u fitua nga dirigjenti italian Riccardo Muti, është autor i përmbledhjeve me poezi ‘Flowers for Hitler’, ‘Parasites of Heaven’ dhe ‘Let Us Compare Mythologies’, të frymëzuara nga poeti dhe dramaturgu spanjoll Federico Garcia Lorca.
Ai gjithashtu ka shkruar romane si ‘The Favorite Game’ dhe ‘The Beautiful Losers’.

“Ikja e kohës, marrëdhëniet sentimentale, traditat mistike të Lindjes dhe Perëndimit dhe jeta e kënduar si një baladë e papërfunduar e përbëjnë krijimtarinë e tij të shoqëruar me momente të veçanta të ndryshimit vendimtar në fund të shekullit 20 dhe fillim të shekullit 21”, ka thënë juria.

Çmimi letrar, i cili vitin e kaluar i ishte akorduar shkrimtarit libanez Amin Maalouf, ndërsa para dy viteve i ishte dhënë edhe shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, është i pesti prej tetë çmimeve Princi i Asturias që është dhënë këtë vit, secili i shoqëruar me një shumë të hollash prej 50 mijë euro.

Pranuesit e çmimit gjithashtu marrin edhe nga një skulpturë nga Joan Miro, që përfaqëson dhe simbolizon shpërblimin, një diplomë dhe një shenjë dalluese që mbahet në pallto.
Fondacioni Princi i Asturias thotë se çmimi i tij për letërsi i jepet ‘një personi, një institucioni, një grupi të njerëzve apo një grupi të institucioneve vepra apo hulumtimet e të cilëve përbëjnë një kontribut ndaj kulturës universale në fushën e letërsisë apo linguistikës’.

Jose Hierro, Miguel Delibes, Mario Vargas Llosa, Camilo Jose Cela, Doris Lessing, Susan Sontag, Paul Auster, Amos Oz dhe Margaret Atwood janë gjithashtu në mesin e laureatëve të mëhershëm të këtij shpërblimi.

Çmimet, të cilat do t’i japë Princi Felipe, trashëgimtar i fronit spanjoll, do të jepen në fund të vitit në teatrin Campoamor në Oviedo dhe konsiderohen si ekuivalentë iberiko-amerikanë të çmimit Nobel.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›