E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkëlqimi i Shaqirit

Xherdan Shaqiri po e vazhdon rrugën e suksesit, me skuadrën e tij Basel dhe me përfaqësuesen e Zvicrës. Mesfushori kosovar thotë se po e shijon një ëndërr, por dëshiron të qëndrojë me këmbët në tokë. 19-vjeçarin e kanë lavdëruar pa kursim njerëzit që punojnë me të. Nga Express më 06 qershor 2011 në ora 08:35

Që nga debutimi i tij si 17 vjeç në sezonin 2009/10, Xherdan Shaqiri ka bërë përparime duke e stabilizuar pozitën e tij në klub dhe në Kombëtare. I lindur në Gjilan, Shaqiri e filloi karrierën e tij në ekipin e të rinjve të Baselit, duke e bërë ëndrrën realitet, duke fituar dy trofe, titullin e kampionit dhe Kupën e Zvicrës, në vitin e parë si futbollist profesionist.

Pasi luajti me Zvicrën U19 në sezonin 2009/10, Shaqiri e përfundoi sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme – me pjesëmarrje në Botërorin e Afrikës së Jugut 2010. Shaqiri doli në pah edhe më shumë me golin spektakolar të realizuar ndaj Anglisë në shtator të vitit, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012.

Shaqiri mund të luajë në disa pozita të mesfushës. Ai është i shkathtë, driblues i mirë, i shpejtë dhe ka gjuajtje të fuqishme. Ai impresionoi në rolin ofanziv, por edhe në atë defanziv.

Gjilanasi luajti edhe të shtunën mbrëma, në Wembley kundër Anglisë. Uebfaqja zyrtare e UEFA-s, uefa.com, ia ka kushtuar një tekst të veçantë përfaqësuesit zviceran, i cili ka rënë në sy të shumë klubeve evropiane. Shaqiri konsiderohet si njëri prej talentëve më të mëdhenj të momentit në futbollin evropian.

“Gjithçka është si një ëndërr. Të jem i sinqertë, gjithçka po shkon shumë shpejt. Por, për fat të mirë e kam familjen, e cila më ndihmon që të qëndroj me këmbët në tokë. Mentalisht jam i fortë dhe kurrë nuk bëhem nervoz kur vrapoj. Kur jam në fushë, dëshiroj ta dribloj çdokënd përreth meje. Ky është qëndrimi që unë e shfaqi në lojë”, ka thënë Shaqiri.

Trajneri i Baselit, Thorsten Fink ka merita të veçanta për përparimin e Shaqirit. Ai i besoi futbollistit kosovar në një moshë mjaft të re. “Ai jeton për t’u zbavitur në fushë dhe nëse nuk ka zbavitje, gjërat bëhen të vështira për të. Ai është një lojtar i vërtetë i rrugës”, tha Fink.

Edhe drejtori teknik i Asociacionit të Futbollit të Zvicrës, Peter Knabel, njëherësh ish shef i të rinjve të Baselit, ka fjalë miradije për gjilanasin. “Është kënaqësi ta shohësh atë duke luajtur sepse ai e gëzon pasionin për futbollin. Ai tashmë është lojtar i aftë, mjaft i mirë teknikisht, por edhe i përgatitur fizikisht”, deklaroi Knabel.

Selektori Ottmar Hitzfeld i befasoi të gjithë verën që shkoi, duke e grumbulluar Shaqirin në Kombëtare, e cila shkoi në Botërorin 2012. Trajneri gjerman e fton vazhdimisht futbollistin këmbëshpejtë në përfaqësuese.

“Shaqiri është një talent i jashtëzakonshëm. Kjo është arsyeja se pse vendosa që ta përfshij atë në skuadrën përfaqësuese. Ai është i fuqishëm dhe trim”, tha ish-trajneri i Bayern Munchen.

19-vjeçari vlerësohet lartë edhe nga shoku i skuadrës, Marco Streller, i cili u pensionua nga Kombëtarja. “Djaloshi i vogël është fenomen. Për moshën e tij, ai ka bërë rrugë të gjatë, më të gjatë se shumë futbollistë. Ai është i paturp, ka gjuajtje të fortë dhe është driblues fantastik”, nënvizoi sulmuesi i Baselit.

Man Utd e Aston Villa ia mësyjnë Shaqirit

Manchester United dhe Aston Villa po e përgatisin terrenin për ta transferuar gjatë verës mesfushorin shqiptar, Xherdan Shaqiri. Uebfaqja britanike caughtoffside.com shkruan se menaxheri Sir Alex Ferguson është i interesuar që ta sjellë në ‘Old Trafford’ talentin e Baselit.

Trajneri skocez po mundohet ta ndërrojë gjeneratën gradualisht tek ‘Djajtë e Kuq’ dhe Shaqirin po mundohet ta shtojë në skuadrën e tij, pas Chris Smalling, Javier Hernandez, Jack Rodwell, Jordan Henderson e Phil Jones.

Ndërkohë, edhe klubi nga Birminghami po e vështron futbollistin gjilanas. Sipas mediave angleze, Aston Villa e sheh përfaqësuesin zviceran si zëvendësues ideal të Ashley Young ose Stewart Downing, të cilët pritet të largohen nga ky klub gjatë verës.

Çmimi i Shaqirit është 10 milionë funte (rreth 13 milionë euro). Këtë shumë janë të gatshme ta paguajnë si Manchester United ashtu edhe Aston Villa. Përpos këtyre dy klubeve, për futbollistin e Baselit, i cili pritet të largohet gjatë verës, interesim kanë shfaqur edhe Liverpool, Juventus, Inter, Hamburg, Borussia Dortmund e Bayern Munchen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›