E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonardo: Të rinjtë pëlqejnë Kaka, jo Adrianon

MILANO- Nga Santiago Bernabeu në “Bentegodi”. Nga 3-2 kundër Realit, në transfertën e vështirë të Kievos. Ekspertët në Itali nuk kanë shumë dyshime: pas lavdisë së fituar në mesjavë, Milani duhet të ketë kujdes sot në mbrëmje kur të udhëtojë për në Verona, përballë Kievos së Bogdanit dhe Pelizier. Leonardos i duhet të zgjidhë shumë probleme, që lidhen me dëmtimin e Gatuzos dhe skualifikimin e Ambrozinit. Por, problem duket edhe porta. “Jo, Dida do të luajë, pasi ka besimin e plotë tonin. Një portier ka nevojë për vazhdimësi, - preu shkurt Leonardo ditën e djeshme. – Madridi na dha shumë gjëra, ndërsa fitorja me Romën ishte shkëndija pasi nxorri në pah Milanin ofensiv që doja”, u shpreh ai. Një tjetër temë është ajo e hapur nga Hoze Murinjo dy ditë më parë në lidhje me preferencat e të rinjve, që sipas portugezit e kanë mendjen te paratë dhe makinat Ferrari. Leonardo është dakord, por sipas tij gjërat po ndryshojnë. “Kjo gjeneratë po shkon drejt asaj që do Murinjo. Adriano sot luan te Flamengo dhe është 27 vjeç, por mund të ishte në skuadrën më të rëndësishme të botës. Kështu që unë mendoj se të rinjtë e sotëm e kanë kuptuar që më mirë të imitosh Kakanë se Adrianon. Bota e kupton kur Ronaldinjo nuk sillet si Ronaldinjo”, tha Leonardo.(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›