E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga, rikthehet Tirana, mund Teutën 2-0

TIRANE- Tirana është rikthyer te fitorja, duke mundur 2-0 Teutën në “Qemal Stafa”. Ndeshja e vlefshme për javën e tetë duket se çliroi kampionët e vendit nga një ngërç i vërtetë që i kishte mbërthyer në javët e fundit.
Pavarësisht shifrave, bardheblutë nuk e patën aspak të lehtë të fitonin. Abilaliaj humb një rast të artë në fillim të ndeshjes, kur me portën bosh e godet topin lart. I njëjti lojtar rrezikon sërish në minutën e 11-të, por Vashaku bën një mrekulli. Ndërsa Tirana kërkon golin, Teuta është munduar të kundësulmojë rrezikshëm, por pak raste janë regjistruar për këtë skuadër. Muzaka godet edhe shtyllën në një moment, megjithatë pjesa e parë përfundon pa gola. Fraksioni i dytë nis me një mundësi të artë të durrsakëve me Milen, që godet lart me kokë. Tirana gjithsesi mbetet më e rrezikshme në sulm, por goli do të vinte vetëm 14 minuta para përfundimit me autor Gjergji Muzakën. Pas një kombinimi të bukur me Osmanin, ai hyn në zonë dhe mposht Vashakun. Më pas Muka tenton një gol nga goditja e këndit, por që pritet nga portieri. Vetëm 3 minuta para përfundimit, mesfushori Bledar Devolli mbyll llogaritë me këtë takim duke shënuar golin e dytë. Në fund Teuta mbetet me 10 vetë pas kartonit të kuq të marrë nga Jakupi. Fitorja e ngjit Tiranën në kuotën e 11 pikëve pas 8 javësh, me 3 fitore, 2 barazime dhe 3 humbje.
Ndërkohë në takimet e tjera të luajtura të shtunën Laçi fitoi 3-1 me Vllazninë në shtëpi, ndërsa Gramozi barazoi 0-0 me Kastriotin. Të dielën do të luhen sfidat Flamurtari-Shkumbini dhe Skënderbeu-Dinamo, ndërsa java e 8-të mbyllet me ndeshjen Besa-Apolonia ditën e hënë.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›