E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leonardo tregon sekretin: Marr këshilla nga Murinjo

KATANIA-Interi do të luajë sot ndeshjen e dytë zyrtare nën drejtimin e Leonardos, ndërsa do të udhëtojë për në Katania, ku do të ketë një transfertë tepër të vështirë. Për zikaltërit do të rikthehet Samuel Eto, tek i cili duket se trajneri brazilian ka shumë besim. "Samu nuk ka nevojë të bëjë asgjë të veçantë, duhet të jetë vetëm vetvetja. Ka qenë në formë që prej fillimit të sezonit dhe duhet të vazhdojë kështu", komentoi Leonardo në prag të kësaj sfide. Interi shkon në Siçili pas fitores 3-1 me Napolin, ndërsa përballë do të ketë një skuadër që ka pësuar 3 humbje në 4 ndeshjet e fundit, por që në shtëpi është mundur vetëm njëherë, nga Juventusi. "Pas fitores së parë ka shumë eufori, nuk mund ta fsheh, - deklaroi Leonardo në konferencën e djeshme për shtyp. - Skuadra ishte e jashtëzakonshme ndaj Napolit, jo vetëm për entuziazmin, por edhe për faktin se pati inteligjencën të administronte shumë qetë rezultatin. Por, tani duhet ta përsërisim këtë performancë". Ardhja e trajnerit brazilian duket se ka sjellë edhe atmosferën e mirë në ekip, gjë që u pa edhe në përqafimet mes tij dhe lojtarëve pas ndeshjes me Napolin. "Ishte një gjë e natyrshme dhe për këtë arsye nuk ka nevojë të shpjegohet. Duhet të dimë diçka, pavarësisht ecurisë deritanishme, vlera që ka Interi nuk diskutohet", u shpreh më tej Leonardo.
Përmbysja
Dy ditë më parë presidenti i Interit Masimo Morati u shpreh optimist për një përmbysje të diferencës me Milanin në kampionat dhe për fitimin e titullit kampion. Të njëjtin objektiv duket se ka edhe Leonardo, që nuk e fsheh se dëshiron të fitojë një trofe si trajner. "Unë mendoj vetëm për fitoren, në çdo ndeshje. As skuadra nuk duhet të mendojë për rezultat tjetër, - deklaroi ai. - Kemi shumë ndeshje dhe do të provojmë t'i fitojmë të gjitha, kështu që përmbysja mendoj se do të vijë vetë. Megjithatë, kemi shumë etapa për të kaluar. Nuk vendos limite për objektivat tanë. Sa herë zbret në fushë dhe nuk fiton, krijohet zhurmë e madhe. Unë nuk do të bëj kurrë një formacion duke menduar për ndeshjen e radhës. Kam 24 lojtarë që mund të luajnë gjithnjë", shtoi tekniku brazilian.
Murinjo
Leonardo zbuloi dje se vazhdon të flasë në telefon me Zhoze Murinjon në lidhje me Interin. Në konferencën e prezantimit braziliani pohoi se përpara se t'i thoshte "po" Moratit, u këshillua në fillim me teknikun portugez. "E dëgjoj shpesh në telefon, Murinjo me mua ka qenë shumë i hapur. Kemi folur për shumë gjëra, ndonëse ai nuk e di se çfarë ndodh këtu ditë pas dite. Më ka qëndruar shumë pranë dhe më ka ndihmuar. Për këtë i jam mirënjohës", rrëfeu Leonardo. Në lidhje me kundërshtarin e sotëm, Katanian, braziliani u shpreh optimist. "Katania është mirë, e kam parë në ndeshjet e fundit. Kanë dy linja shumë të firta në mbrojtje, ndërsa në sulm Maksi Lopez bën një repart më vete. Kanë një identitet të tyrin dhe dinë ta ndryshojnë shpesh modulin gjatë ndeshjes. Katania është një skuadër me shumë energji, kështu që do të jetë një ndeshje shumë e vështirë", komentoi trajneri i Interit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›