E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malakarne braktis Dinamon, i ha qeni pasaportën

TIRANE-Një histori e tillë do të ishte e denjë për libër barcaletash. Lukas Malakarne, mbrojtësi i Dinamos, nuk ka mundur të udhëtojë dje drejt Shqipërisë për të luajtur për pjesën e dytë të sezonit për shkak të një incidenti që i ka ndodhur në shtëpi. Në një pamje të parë mund të mendohet për ndonjë aksident apo për ndonjë problem jetik, por në të vërtetë, atij i ka ngrënë qeni pasaportën dhe kësisoj nuk mund të udhëtojë drejt Tiranës. Drejtuesit e klubit Dinamo kanë bërë të ditur dje se kafsha shtëpiake e ka kafshuar dokumentin, duke e bërë të papërdorshëm, gjë që e ka lënë Malakarnen në shtëpi. Argjentinasi ka njoftuar klubin shqiptar, duke thënë se ka aplikuar për një tjetër pasaportë, por ajo do pak kohë sa të dalë. Në këtë mënyrë, Dinamo rrezikon të humbasë për ndeshjet e para të sezonit një nga lojtarët e saj kryesorë. Malakarne vështirë se do të vijë për një muaj, duke qenë se në Argjentinë nxjerrja e pasaportës nuk është një procedurë shumë e thjeshtë. "Malakarne na ka njoftuar për incidentin me qenin dhe ne jemi në pritje që atij t'i dalë pasaporta e re. Natyrisht, nuk është aq e thjeshtë, pasi i duhet një kohë relativisht e gjatë për të ndodhur kjo, kështu që nuk kemi çfarë të bëjmë", tha një burim zyrtar në klubin kampion në fuqi. Incidenti ka shkaktuar jo pak ilaritet edhe në radhët e futbollistëve të Dinamos, ndërsa më i shqetësuari ka qenë trajneri Ilir Daja, që nuk do të ketë në dispozicion një nga anësorët më të mirë që luajnë në Shqipëri.
Martinena
Ndërsa Malakarne nuk ka mundur të vijë, dje Dinamos i është bashkuar argjentinasi tjetër, Nestor Gabriel Martinena. Ashtu si mbrojtësi i majtë, sulmuesi duhet të ishte në kryeqytetin shqiptar që ditën e premte, por është vonuar për 24 orë, duke shkaktuar jo pak panik në radhët e klubit dinamovit. Në fakt, dyshimet e drejtuesve lidheshin me faktin se dy argjentinasit kishin deklaruar se në rast largimi të Luis Manuel Blankos nga pankina, ata nuk do të riktheheshin më. Megjithatë, fakti që ata kanë një kontratë me Dinamon, i ka detyruar t'i bashkohen sërish këtij ekipi. Me rikthimin e Martinenës trajneri Ilir Daja ka tashmë një skuadër të kompletuar në dispozicion. Sulmi ishte kthyer në repartin më problematik pas ikjes së Fation Sefës, por blutë kanë tashmë tre futbollistë të një kalibri shumë të lartë si Elis Bakaj, Mlladen Bërkiç dhe Nestor Martinena. Dinamo ndërkohë është nga skuadrat e vetme shqiptare që nuk zgjodhi ta zhvillonte fazën përgatitore jashtë Shqipërisë, por është duke u stërvitur në kompleksin e saj, pranë liqenit artificial. Blutë e nisin fazën e dytë pas një krize të rëndë që i pati goditur në javët e fundit, duke mos njohur fitore për 7 ndeshje.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›