Lepuri i muzikës

E.B dhe planet e tij janë të mëdha. Një ndër to është që të shkojë në Hollywood për të realizuar ëndrrën si muzikant.
Por, pas një aksidenti të vogël, ai takohet me Fred, një i ri i papunë që po ashtu ka ëndrra të mëdha. Kështu fillon aventura e tyre e paharruar, që do t’u mësojë të dyve se vjen një ditë kur çdokush duhet të përballet me përgjegjësitë e jetës...
Filmi Hop është një lepur i ëmbël, edhe pse i krijuar artificialisht. Ai është një patriark i lepujve sepse mbi supe ka edhe traditën 4000 vjeçare. Edhe pse ky është një gabim matematikor i tij, prapë e bën atë edhe më të këndshëm për shikuesin, sidomos ata të vegjlit.
“Hop” është punuar me regji të Tim Hill, i cili punoi edhe filmin e njohur për fëmijë “Alvin and the Chipmunks”!
Në këtë film është shumë mirë e ndërthurur kultura e luftës dhe e dëshirës si dhe loja e mirë e aktorit dhe humoristit Russell Brand, i cili luan rolin kryesor në film.
Karakter i Brand është ai i E.B, në të cilin ai paraqitet si trashëgimtar i njërit prej tupanxhijve të rock n rollit.
Në krah a ka “haverin” e tij me emrin Fred (luhet nga James Marsden), me të cilin fillon një aventurë të këndshme pasi që ky i fundit aksidentohet më parë. Edhe aktorët e tjerë në këtë film bëjnë një lojë të mirë.
Kur kësaj i shtohen edhe ninxhat lepuj dhe paraqitja e Chelsea Handler, atëherë do të kënaqemi duke parë një humor lepujsh, ku fëmijët tuaj do të mund të kënaqen së qeshuri me aventurat e E.B-së. Në film kemi edhe tunele, intriga, por edhe teletransportime të befasishëm që e bëjnë këtë film të të lë në ethe nga fillimi i tij e deri në fund.
Pavarësisht se është një film për fëmijë, psikologët kanë sugjeruar që filmi të përcillet nga fëmijët më përcjelljen e prindërve për shkak të gjuhës së rëndë dhe humorit të zi që në këtë rast e bën vetë E.B.
HOP
Regjia: Tim Hill; skenar: Cinco Paul, Ken Daurio dhe Brian Lynch, bazuar në tregimin e Paul dhe Daurio; montazha: Peter S. Elliot dhe Gregory Perler; muzika: Christopher Lennertz; dizajner: Richard Holland; Kostumograf: Alexandra Welker; producent: Chris Meledandri dhe Michele Imperato Stabile; distributor: Universal Pictures. Kohëzgjatja: 1 orë 30 minuta.
Aktorë: James Marsden (Fred), Russell Brand (E. B.), Kaley Cuoco (Sam), Hank Azaria (Carlos/Phil), Gary Cole (Mr. O’Hare), Elizabeth Perkins (Mrs. O’Hare), Hugh Laurie (E. B.’s dad), Chelsea Handler (Mrs. Beck), David Hasselhoff (himself) dhe zëri i Hugh Hefner.