“Pranon” të martohet me dhunuesin

Presidenti Karzai, i cili së shpejti do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare për Afganistanin, që do të mbahet në Bonn të Gjermanisë, ku për shtetin e tij do të kërkojë ndihmë financiare nga donatorët, ditë më parë urdhëroi lirimin e Gulnaz (21), me kusht që ajo dhe dhunuesi e saj të arrijnë një marrëveshje të ndërmjetësuar për martesë.
Ndërkohë, në një kumtesë të lëshuar të enjten mbrëma, qeveria afgane thekson se gruaja e liruar është pajtuar të martohet me mashkullin që e dhunoi, njoftoi televizioni britanik BBC. Televizioni transmetoi edhe deklaratën e avokates së gruas së dhunuar, sipas së cilës, klientja e saj në të vërtetë nuk dëshironte të martohej me atë njeri, por e detyrua ta bënte një deklaratë të tillë.
Gruaja e dhunuar afgane, Gulnaz, lindi në vajzë derisa ndodhej në burg.
Kimberly Motley, avokatja e gruas afgane që qëndroi në burg nën akuzën se kishte mashtruar burrin e saj, megjithëse ishte dhunuar, i tha televizionit britanik se shpresoi që qeveria afgane do të lejonte klienten e saj që të vendoste vetë se për kënd do të martohej.
"Në bisedë e sipër me Gulnaz e kuptova se, po të ishte e lirë të zgjidhte, ajo nuk do të martohej me njeriun që e dhunoi”, theksoi përfaqësuesja e saj ligjore.
Motley, megjithatë, nënvizoi se vendimi për lirimin e Gulnaz nuk u kushtëzua me atë që ajo të martohej me njeriun që e kishte dhunuar.
Rasti i Gulnaz, e cila ishte akuzuar për mashtrim të bashkëshorti të saj, e pastaj edhe ishte burgosur, kishte tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar, duke nxjerrë në pah pozitën e rëndë të grave në Afganistan, edhe pas dhjetë viteve të rënies së regjimit taliban. Gjysma e grave afgane që aktualisht qëndrojnë nëpër burgjet lokale, akuzohen për “krime morale”, që në Afganistan njihen si “zina”.
Aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thonë se disa mijëra gra afgane të gjykuara dhe të burgosura, në të vërtetë janë viktima të dhunës brutale brenda familjes dhe të ligjeve të prapambetura fisnore. Organizata Amnesty International ndërkaq nënvizon se është tejet e rëndësishme që “të çilet kapaku i njërës prej praktikave më të turpshme juridike”.
Kohë- më parë, Bashkimi Evropian stopoi shfaqjen e një filmi dokumentar për afganen që ishte futur në burg për shkak të të ashtuquajturave “krime morale”. Sipas zyrtarëve të BE’së, edhe pse e kishte financuara vetë, Unioni kishte vendosur të tërhiqte atë film për shkak “të brengosjes së madhe për sigurinë e gruas fati i së cilës trajtohet në të”.
Rrëfimi tragjik i kësaj gruaje është tipik për Afganistanin pohon Heather Barr, hulumtuese e organizatës Human Rights Watch për Afganistanin, e cila ka bërë një sërë hulumtimesh për gratë e burgosura në Afganistan.
“Do të ishte inkurajuese të mendohej se rrëfimi që po e dëgjojmë dhe shohim në këtë film paraqet vetëm një rastësi ose një rast ekstrem”, thotë ajo.
“Fatkeqësisht, kjo është shumë larg së vërtetës”, konkludon Barr.
Ajo ka intervistuar shumë gra që ndodhen prapa grilave, dhe të cilat janë viktima të dyfishta të keqtrajtimeve; fillimisht nga ana e burrave ose e familjeve të tyre, e pastaj edhe nga ana e atyre që do të duhej t’i mbronin.
“Secilën herë që flisni me ndonjërën prej tyre ju dëgjoni të njëjtin rrëfim nga fillimi – atë për një grua që shkon në polic për të kërkuar ndihmë, dhe në vend se t’i ofrohet kjo ndihmë, ajo përfundon në burg”, sqaron Barr.
Kështu, edhe pas dekade të rrëzimit të regjimit taliban, gratë nga Afganistani ende mbesin në pritje të drejtësisë për to, pohojnë aktivistët.