E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëshohet urdhër arresti për Kryetarin e Sudanit

Hagë - Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve ka lëshuar urdhër arresti për Kryetarin e Shtetit të Sudanit, Omer El Beshir, me akuzën për krime lufte dhe kundër njerëzimit në zonën e Darfurit. Vendimi ngjalli reagime të ndryshme në të gjithë botën.

Omer El Beshiri është qeveritari më i lartë, ndaj të cilit Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve, që nga viti i krijimit të saj në 2002-shin e deri më sot, ka nxjerrë urdhër arresti. Gjykata e fajëson Beshirin me gjenocid në krahinën e Darfurit, që nga viti 2003 e deri më sot, si dhe me akuzat e torturimit, përdhunimit dhe spastrimit etnik.

Kryetari i Shtetit të Sudanit, El Beshir, e cilësoi vendimin e Gjykatës si një pjesë e një plani të ri kolonial. Edhe qeveria e Sudanit e quajti këtë vendim, "komplot".

Ministri i Jashtëm i Sudanit ka bërë të ditur se pavarësisht vendimit, El Beshiri do të marrë pjesë në Samitin e Ligës Arabe, që do të zhvillohet këtë muaj në Katar.

Sudani si një reagim ndaj kësaj, vendosi të përjashtonte si të padëshiruar punonjësit e 10 institucioneve humanitare ndërkombëtare. Edhe në kryeqytetin Hartum, mijëra njerëz protestuan kundër vendimit të Gjykatës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështetën këtë vendim, kurse Rusia e quajti si një hap të rrezikshëm. Kina i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ta ngrinte këtë vendim. Kurse Unioni Afrikan bëri të ditur se një vendim i tillë nuk do të sillte paqen në kontinent.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›