Tekstet shkollore shpërndarja nis më 25 gusht

Ministra e Arsimit i ka hequr të drejtën e shitjes librarive. Tekstet shkollore do të shpërndahen në shkolla
Për subvencionimin e nxënësve që vijnë nga familje me probleme, MASH ka vendosur një fond prej 250 mln lekë
Shpërndarja e teksteve për shkollat 9-vjçare dhe të mesme do të nisë më 25 gusht. Për arsye se këtë vit shkolla do të nisë pak më herët në 6 shtator, Ministria e Armimit ka vendosur që edhe shpërndarja e teksteve të nisë më herët.
Këtë vit, sipas këshilltarit të ministrit, Jovan Kristiqi, ka ndryshuar skema e shpërndarjes së teksteve shkollore. Prindërit dhe nxënësit nuk do t'i blejnë më librat në libraritë e përcaktuara nga MASH, por në shkollat ku ata ndjekin mësimin.
Sipas Kristiqit, ky vendim është marrë për disa arsye. Së pari, nëpërmjet kësaj formule të re Ministria e Arsimit ka mundësi që të kontrollojë shtëpitë botuese që do të merren me shpërndarjen e teksteve në shkolla.
Gjatë viteve të kaluara, libraritë në rastet kur përfundonte një tekst mësimor, nuk kishin fuqi që të detyronin shtëpitë botuese t'i furnizonin me tekste të reja, dhe për pasojë ata fëmijë që kishin ngelur pa libra i gjenin tekstet në tregun e zi më një çmim shumë herë më të lartë. Arsyeja e dytë është shmangia e radhëve të stërzgjatura në dyert e librarive, si dhe eliminimi i abuzimeve gjatë shitjes së teksteve.
Shpërndarja në shkolla
Të gjitha shkollat e vendit do të venë në dispozicion bibliotekat, libraritë apo ambiente të tjera për të bërë të mundur shitjen e teksteve shkollore. Prindërit dhe nxënësit do të kenë mundësinë të tërheqin pranë shkollave tekstet mësimore që vetë shkollat kanë përzgjedhur për këtë vit shkollor.
Procesi i përzgjedhjes së librave nga vetë shkolla, krijonte edhe një ngatërresë të madhe, pasi një shkollë mund të përzgjidhte tekstin e një shtëpie botuese, por nuk zgjidhte fletoren e punës që shtëpia botuese kishte përgatitur për të shoqëruar këtë tekst. Shpesh ndodhte që prindërit blinin të dy tekste edhe pse një prej tyre nuk u duhej. "Kjo është një nga arsyet se përse ka ndryshuar skema e shpërndarjes së librave.
Shkollat do të shesin vetëm ato libra që kanë përzgjedhur për vitin shkollor 2010-2011 dhe asnjë tekst tjetër" shpjegon këshilltari Kristiqi. Nxënësit mund t'i blejnë librat në ambientet e shkollave deri më datë 15 shator, pas kësaj date tekstet shkollore do të tërhiqen nga ambientet e shkollave dhe do të shiten në libraritë publike.
Subvencionimi
Edhe për këtë vit do të ketë kategori fëmijësh, të cilët do të përfitojnë me një çmim më të ulët së moshatarët e tyre, librat e shkollës. Do të jenë tri kategori që do të përfitojnë subvencionim të librave të shkollës, nga fondi prej 250 milionësh që MASH ka vënë në dispozicion.
Kategorisë së parë përfituese i përkasin ata nxënës që vijnë nga familje që kanë të ardhura mujore më pak se 30 mijë lekë. Subvencionimi në këtë rast do të bëhet në masën 50 për qind. Ndërsa ata fëmijë që kanë prindërit në asistencë apo me aftësi të kufizuara do të subvencionohen në masën 100 për qind.
Kategoria e tretë që përfiton janë nxënësit që u përkasin minoriteteve greke dhe maqedonase, të cilët do t'i marrin librat falas. Por mesa duket një pjesë mirë e fondit për subvencionimin e teksteve shkollore do të shkojë për këtë kategori nxënësish.
Burime pranë MASH konfirmojnë se vlera e një libri për nxënësit e komunitetit mund të shkojë deri në 20 mijë lekë, ndërkohë që një tekst shkollor për nxënësit shqiptarë nuk mund të shkojë më shumë se 1500 lekë.
Premtimi
Pak muaj më parë, Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, prezantoi si risi të paketës "Altertekst 2010-2011", edhe faktin se kjo paketë përmban tre tekste për fëmijët e emigrantëve shqiptarë.
Sipas tij, fëmijët që frekuentojnë ciklin e ulët, nga klasa e parë deri në të pestën, do të punojnë me tekstin "Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare", ndërsa nxënësit që ndjekin për ciklin e lartë të shkollës 9-vjçare nga klasa e VI-IX do të kenë një tekst tjetër, i cili ende nuk është bërë publik. Gjithashtu, pritet që të ketë edhe një libër të tretë për shkollën e mesme.