Ikën Italia, Brazili dhe Argjentina në gjysmëfinale
Në ndeshjet çerekfinale është eliminuar skuadra e Kaziragit
Gjysmëfinale
Brazil - Argjentinë
Belgjikë - Nigeri
Brazili arriti të kualifikohet për në gjysmëfinalen e Lojërave Olimpike në futboll për meshkuj, pas fitores së vështirë arritur dje 2-0 në çerekfinale ndaj Kamerunit, sukses që erdhi vetëm në kohën shtesë. Sobis në minutën e 101-të dhe Marcelo në të 105-n shënuan dy golat që i dhanë mundësi Brazilit të Dungës të kualifikohet për më tej dhe të shpresojë për medalje. Kameruni e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë. Në gjysmëfinale kualifikohet edhe Nigeria, që fitoi 2-0 "derbin" afrikan me Bregun e Fildishtë, falë dy golave të shënuara nga Odemuingie në minutën e 44-t të pjesës së parë dhe Obina në të 81-n. Argjentina fitoi 2-1 ndaj Holandës në çerekfinalen e fundit, pas kohës shtesë, pasi koha e rregullt iu mbyll 1-1. Për Argjentinën shënoi Leo Mesi, por golin vendimtar e shënoi Di Maria, në minutën e 115-të. Lamtumirë aventurës olimpike i ka thënë Italia e Kaziragit, që humbi dje 2-3 me Belgjikën në çerekfinale, pas një loje të dobët dhe shumë nervoze. Italia shënoi e para me Rosin në minutën e 18-të, por Belgjika barazoi menjëherë në minutën e 23-të me Dembele dhe e mbylli pjesën e parë në avantazh, pas golit të De Sart në kohën shtesë. Italia barazon në minutën e 74-t me Rosin, por Dembele shënon sërish në minutën e 79-të për Belgjikën, duke siguruar një biletë për në gjysmëfinale. Takimet gjysmëfinale do të luhen ditën e martë, ndërsa të hënën do të luhen ato të femrave.