Sa mirë të jesh njeri!...
Më 19 maj, në galerinë private “Kledio” në kryeqytet, piktori Stefan Taçi (Stefos), do të përurojë ekspozitën e tij personale me piktura të titulluar “Njeriu”. Ja se si do të shprehej vetë piktori për këtë ekspozitë, gjetjet e tij, idetë, frymëzimin...
“Pa dashur aspak të perifrazoj patetizmin e një fraze të njohur nga publiku vendas, joshja për të riformuluar e ritheksuar atë çka na dallon nga gjithë gjallesat e kësaj bote është mjaft e madhe. Dëshira për t’u rikthyer kohë pas kohe imazhit njerëzor, figurës konkrete me ngarkesë historike e simbolike por edhe sociale e familjare, përtej magjisë vizive e kërkimit formalist ka qënë dëshirë për dialog e meditim. Pas dukjes sipërfaqësore, që më së shumti na tregon shenjat e kohës, më ka tunduar NJERIU.
Njeriu si hero, vetmitar, predikues, baba, poet, fëmijë, apo njeriu si pësues i lakmisë, si shfaqje e kotësisë, si bartës i dyzimit, si mrekulli e Krijimit, si qënie e ndërvarur, e në analizë të fundit si një minierë e rrallë ku artisti gjen lëndën e tij. Kur je brënda saj kupton se para teje aty kanë kaluar shumë mjeshtra e gjeni të paarritshëm. Njëkohësisht ndjen se rrotull ke plot bashkudhëtarë, por e sigurt është se mineralin duhet ta zbulosh vetë. Ndodh që hutohesh nga xixat e këtij minerali, siç ndodh edhe të mërzitesh nga balta që e rrethon. I druhem pikërisht këtij çasti, sepse atëhere na ndodh të duam më shumë kafshët se njerëzit, megjithëse shumë prej veseve tona i veshim me emrat e tyre. Ja pse të bëhet aq i afërt e kaq prekës vështrimi i butë i një qeni të braktisur, sytë e trishtuar të gomarit të lodhur apo shikimi enigmatik e plot delikatesë i një kumrie. Në të kundërt, më nervozon keqas maska idiote e mediokrit fodull e prepotent, më tërbon keqdashja mbushur me mosmirënjohje, nënqesh hidhur me hipokrizinë e skuthave “elitarë“, trishtohem e gjuhën kyç pas dhëmbëve kur intoleranca vishet me kollare. Ky moment delikat zgjat pak ose shumë, por gjithsesi jam e do mbetem adhurues i racës njerëzore e megjithë marrëzitë e pafundme e të përsëritura të saj përsëri shpresoj e besoj te NJERIU, sepse nuk ka rrugë tjetër. Nga ky dialog e monolog njëkohësisht, nga kjo përpëlitje mes vijash, formash e ngjyrash që përfshin një pjesë të krijimtarisë së 10 viteve të fundit, jam rrekur të kuptoj thelbin e njeriut që kam përballë, jam munduar të gjej strukturën vizive përkatëse. Në fund të këtij procesi, atë çka ngelet nga produkti përfundimtar po e ndaj me ju”.
16 Maj 2008