“Udhëtim në Arbëri”, folk-muzikali i ri në TOB
Petrika GROSI
Ditën e diel, (18 maj ’08) Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore në Tiranë do të realizojë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit folk-muzikalin e titulluar “Udhëtim në Arbëri”. Disa koreografë të njohur si Genc Kastrati, Besim Jazexhiu, Andrea Kokeri, Zeki Kastrati, Roberta Mone dhe Besim Zekthi kanë bashkëpunuar mes tyre për këtë shfaqje që pritet të jetë e para e llojit të vet në skenën shqiptare. Veç Ansamblit, dhe orkestrës së TOB-it do të jenë të pranishëm në këtë bashkëpunim edhe këngëtarët Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Arif Vladi e Dionis Delia. Më shumë për shfaqjen, tregon vetë valltari dhe koreografi i Ansamblit Popullor, Genc Kastrati, i cili shprehet: “Duke u mbështetur në folklorin tonë aq të pasur, në pasionin tim për të, në plotësimin tim profesional disavjeçar, si dhe duke u nxitur nga dëshira për t’i dhënë temp e paraqitje sa më dinjitoze kësaj trupe profesionale, më ka lindur ideja për organizimin e këtij koncerti, me një strukturë disi më ndryshe nga koncertet e deritanishme. Shfaqja do të jetë fryt i një bashkëpunimi të gjerë me shumë emra të njohur e të suksesshëm të fushës së koreografisë, ç’ka siguron vetëm vlera dhe art të pastër. Konkretisht, koncerti është konceptuar të ndërtohet rreth një boshti e të përçojë impaktin dhe mbresat që lë arti dhe kutlura jonë e larmishme te të gjithë të huajt që kanë vizituar Shqipërinë, Lord Bayron, Nopcha, Johann G. Von Hann, Edith Durham, etj. Bazuar në përshkrimet e këtyre dhe shumë vizitorëve të tjerë, të natyrës, virtyteve, vlerave, artit, veshjeve, zakoneve e kulturës shqiptare, do të flasë një shkrimtar i huaj i trilluar artistikisht, që i përmbledh të gjithë. Këto fjalë me peshe për vlerat e artit tonë do të vendosen në gojën e një aktori që shquhet për një interpretim mjaft emocionues. Shfaqja do të ndërthurret teknikisht midis aktorit, valleve, këngëve e instrumentalëve, duke synuar të bëjë spektatorin që të ndjejë dinamikën e një ekspedite nëpër vise të ndryshme shqiptare. Për të mbajtur peshë emocionin e spektatorit nuk janë menduar ndërprerjet shabllone për të prezantuar numrin e ardhshëm, por do të jetë aktori që do të bëjë lidhjen organike të performancave me njëra-tjetrën, duke lënë përshtypjen se po shkruan një skenar dhe pamjet po i rishfaqen të gjalla”. Peshën kryesore të këtij spektakli do ta mbajë natyrisht koreografia. Sa i përket risisë të koncertit, ajo vjen jo vetëm nga konceptimi si një “folk-muzikal”, por edhe nga përmbajtja e koreografive që do të jenë kryesisht të reja. Motivet e valleve do t’u përkasin zonave të ndryshme të Shqipërisë, duke nisur që nga Dibra në Veri, në Korçë, e deri mandej kufirit zyrtar në Preshevë e Bujanovc.
Nuk do të mungojnë gjithashtu, Vallja Tiranase, Vallja e Çermenikës, Dropullit, Çamërisë, etj.
16 Maj 2008