MSH: Librazhdi, jo panik. Jemi në situatë gripale
TIRANË- Ministria e Shëndetësisë deklaron se situata në Librazhd është e qetë dhe nën kontroll, ndërkohë që vdekja e vajzës 21 vjecare, që është ende nën hetim dyshohet të jetë shkak i një infeksioni bakteror, meningjit.
Sqarimet për mediat i ka bërë sot gjatë një konference për shtyp, Pëllumb Pipero, i cili, duke garantuar se nuk ka vend për panik, apelon qytetarët për kujdes maksimal ndaj cdo shenje gripale, duke pranuar se tashmë jemi në sezonin e fillimit të epidemisë së gripit.
Një grup specialistësh të ISHP kanë vajtur jo vetëm në spitalin e Librazhdit, po sot janë në vatër për të analizuar situatën. Dyshohet për një infenksion bakteror, për një meningjit, por do presim konkluzionet për të dhënë rezultatin përfundimtar- tha ai.
Në lidhje me dy rastet e tjera, motër e vëlla, Pipero ka bërë me dije se sapo dolën nga spitali.
Vajza ishte me bajame të qelbëzuara dhe është kuruar e shëruar, kurse i vëllai në moshë më të rritur ka qenë më bark e të vjella dhe është stabilizuar. Nuk kemi raste të reja dhe që kanë lidhje shkakësore me rastin e parë- tha ai, duke shtuar se deklaratat e ndryshme që kanë qarkulluar janë jo profesionale.
Situata në Librazhd është e qetë dhe nën kontroll, ska vend për panik, për hamendësime, por dua të rikujtoj qytetarët se jemi në situatë gripale, që do të thotë se vëmendja e qytetarëve, duhet të jetë e lartë- theksoi Pipero.
Ai ka kujtuar qytetarët të jenë të kujdesshëm për masat e zakonshme, që merren në situata të tilla. Nëse keni shenja tipike, temperaturë e lartë, dhimbje kokë, dhimbje muskulare, të drejtohen tek mjeku në kohën e duhur- tha ai.