E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiropali: E vërteta e debateve brenda FRESSh-it

TIRANË Drejtuesja e FRESSh-it, Elisa Spiropali, flet gjatë në një intervistë për gazetën “Mapo”, lidhur me aktivitetin e këtij forumi, debatin brenda tij dhe marrëdhëniet me Partinë Socialiste.

Vitet e fundit kemi parë një FRESSh ndryshe nga ai i viteve të opozitës së parë të socialistëve, apo edhe i viteve të para të qeverisjes pas ’97-s, është vënë re mungesa e protagonizmit të këtij forumi, si në fushata zgjedhore, ashtu edhe në trajtimin e çështjeve të përditshme, aq sa shpesh herë nuk është ditur as se cilët kanë qenë drejtuesit e tij (nga viti 2005 e në vazhdim kemi patur të paktën 3 persona që kanë pretenduar drejtimin e FRESSh-it). Për këtë nuk kanë munguar edhe kritikat. Ku ka çaluar, sipas jush, puna e këtij forumi dhe a është i nevojshëm një ridimensionim i rolit të tij?

Nga 2005-a e këtej FRESSh nuk ka patur ashtu siç thoni ju të paktën 3 persona që kanë ‘pretenduar’ drejtimin e tij, por ka patur 3 persona që efektivisht kanë drejtuar FRESSh-in dhe strukturat rinore elektorale, persona të deleguar nga strukturat më të larta të Partisë Socialiste për ta kryer këtë detyrë, dhe e kanë kryer atë me përkushtim. Unë nuk e di ç’kuptoni ju me protagonizëm të Forumit. Sepse FRESSh nuk ka pasur as ka për të pasur kurrë qëllim protagonizmin personal të njërit e të tjetrit, të këtij apo atij grupimi. I vetmi qëllim i FRESSh-it ka qenë dhe është formësimi i një strukture rinore progresiste në çdo cep të Shqipërisë, si pjesë integrale e çdo beteje opozitare dhe elektorale të Partisë Socialiste. Në këtë këndvështrim, që për FRESSh-in është i vetmi, të gjitha të tjerat janë broçkulla të disapak gazetave që s'dinë se si t'i nxijnë faqet. Duhet pasur parasysh edhe një fakt tjetër me karakter relativizues që ka rëndësinë e vet; qoftë edhe në nivel pandehmash apo spekulimesh, preokupime si të FRESSh-it nuk ekzistojnë aspak, të themi, për Forumin e Partisë Demokratike, apo për forume të tjera. A s'më thoni: Kush është marrë ndonjëherë me: a ka a s'ka zgjedhje në FRPD, cila Kryesi e ka zgjedhur drejtuesin e saj e të tjera e të tjera? Askush! Gjë që provon edhe një herë më së miri faktin që përmenda më sipër; që Partia Socialiste dhe strukturat e saj, duke qenë një motor që rri vazhdimisht i ndezur, pra duke pasur pritshmëri të larta për demokraci të brendshme dhe procedura demokratike, bashkë me kritikat konstruktive të njerëzve me ide, krijon vetvetiu edhe hapësira për ‘kritika’ anonimësh të papërgjegjshëm, të cilat "kritika" ndonjëherë marrin edhe formën e delireve qesharake apo kthimi në modë të të marrurit me punët e brendshme të opozitës dhe Partisë Socialiste dhe strukturave të saj, gjëra këto të cilat ne nuk i përfillim, sepse nuk na prishin asnjë punë. FRESSh është sot forumi më i madh rinor në Shqipëri. Me anëtarë dhe simpatizantë në çdo njësi, komunë, qytet, rreth. Këtë potencial FRESSh po e përdor për të formësuar një program të qartë aksioni, për të ndërtuar në çdo shkollë, në çdo universitet, në çdo lagje, në çdo rrugë, një front rinor opozitar kundër uzurpimit të hapësirave dhe mungesës së lirisë, drejtësisë dhe meritokracisë në Shqipëri. Për këtë qëllim duhet të jemi, dhe jemi, të mirëkuptuar me veten dhe në sintoni të plotë me Partinë Socialiste, gjithmonë përmes marrëdhëniesh dhe rregullash të qarta meritokracie, zgjedhje, konstituimi të Forumit.

Po përsa i përket drejtimit, do të vijojë të ketë në krye koordinatorë apo një kryetar të mirëfilltë dhe me një mandat të plotë?

Ne jemi të rinj. Ne nuk jemi një tufe burokratësh që lodhin veten dhe të tjerët me çështje të tilla. Të tilla shqetësime, që për ne janë krejtësisht të huaja, ua kemi lënë atyre që me të tilla gjëra merren dhe do merren gjithë jetën, nostalgjikëve të titujve të një kohe të perënduar. Për sa i përket thelbit të nënkuptuar të pyetjes, përgjigjen jua ktheva pak më lart; konstituim i plotë i Forumit dhe zgjedhje të drejtuesve.

Zëra pranë PS-së kanë shtruar nevojën që FRESSh-i jo vetëm të riorganizohet, por edhe të ketë drejtues që të jenë pikë reference për gjithë të rinjtë. Kështu, është hedhur ideja që drejtuesi i ri FRESSh-it të jetë deputet, kjo jo vetëm për të rritur rëndësinë e këtij forumi, por edhe për të mënjanuar “luftën” mes të rinjve për liderin e tij. Si e shihni si ide?

Unë këto "zëra" apo "ide" apo "luftë mes të rinjve" po i dëgjoj për herë të parë këtu nga ju. Por nuk habitem. Sepse, si e shpjegova më sipër, punën e bërjes së qimes tra, praktikë kjo tashmë goxha e përhapur për punët e brendshme të opozitës, po e qartësoj edhe një herë duke thënë se lider i FRESSh-it mund të jetë kushdo që punon, organizon, dhe frymëzon progresistët e rinj shqiptarë, tek e cila apo tek i cili investohet besimi i të rinjve për ta drejtuar FRESSh-in si një forum të hapur demokratik, dhe sidomos progresist.

Ju vetë personalisht do të kandidoni për një mandat të plotë të kreut të ri të këtij forumi?

Unë kam drejtuar FRESSH-in në procesin e riorganizimit për 1 vit e gjysmë. Do punoj edhe në vazhdim me të gjitha forcat që ky Forum të forcohet më tej për t’u bërë si e thashë më lart, një front dinjitoz, rinor, progresist, opozitar. Kam bindjen e patundur se me të rinjtë shqiptarë një front i tillë është më se i mundshëm. Sepse të rinjtë tanë i kanë të gjitha ç'u duhen: energjitë, zierjen e brendshme, dëshirën, gatishmërinë, vizionin, zgjuarsinë, thellësinë, vendosmërinë. U mungojnë hapësirat të cilat duhet t'ua krijojmë. Kur të jetë koha, e kandidimit, dhe e marrjes së ‘mandatit’ për kryesim, ai vendim nuk do merret nga unë, por ashtu si i takon një organizmi demokratik, nga propozimet e anëtarëve të Forumit. Një gjë është e sigurt; në krye të FRESSh-it do jenë të rinj që Shqipërinë e duan më tepër se veten, që nuk e kanë për gjë Shqipërisë t’i bien pa u lodhur fare disa herë qoshe më qoshe e cep më cep, për t’i takuar të gjithë të rinjtë progresistë një nga një kudo ku janë, çka është plotësisht e mundur.

Intervistoi: Fejzi Braushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›