E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letër Paridit

LUÇIANO BOÇI

Është letra e parë që po të shkruaj, biri im, dhe shpresoj që një ditë të më falësh për guximin tim të tepruar për tu drejtuar publikisht në këtë ditë të paharruar dhe të veçantë për ty dhe bashkëmoshatarët.
Ti dhe shokët e tu të vegjël sot uleni mbi një magji kureshtare, magjinë e Dijes, e cila me bukurinë e saj, me shijen dhe muzikën e saj do tju ngasë nëpër labirinte të panjohura, të ngjyrosura me mijëra nuanca, plot dritë e hije, brenda një loje të pakrahasuar dhe të pashoqe, sa të vështirë, aq edhe tërheqëse, me bindjen se është më e mira, më interesantja e më intriguesja nga ato që keni lozur deri më sot, por jo më pak seriozja.
Kjo magji nuk rroket lehtë dhe i përngjet paksa Helenës së mitologjisë, pavarësisht se, kur të jesh më në moshë, e di që do qeshësh me këtë krahasim pak të çuditshëm timin, por emri që të kemi vënë më detyron disi. Megjithatë, kjo magji është akoma më shumë e bukur. Për të garojnë të gjithë, e ëndërrojnë të gjithë, e duan të gjithë dhe në fund e meriton plotësisht ai që është më i miri.
Ndryshe nga Helena e vërtetë, kur e fiton, ajo të mbetet gjithmonë besnike dhe për më tepër, me atë në krah, Trojat i ke gjithmonë të mbrojtura ose të fituara. Sfida për Dijen është udhëtimi më interesant dhe më i vështirë që ti dhe bashkëmoshatarët nisni sot. Pushtimi juaj i parë do të jetë perandorak dhe hyjnor, sepse trofeu i parë, i cili do të bëhet dhe pishtari juaj ndriçues, është gjuha e perëndive – ajo e ëmbla në përjetësi – gjuha shqipe. Pas kësaj, vrapimi për të rrokur territore të pafundme njohurish do i japë kuptim jetës dhe luftës suaj dhe, pa dyshim, ju bën natyrshëm gazmorët më seriozë të kohës sonë.
Mos na shihni me sy qaramanë dhe mos mendoni se ju kemi lënë vetëm, sepse sot ju takoni një njeri që do ta identifikoni me dijen dhe do ta doni po kaq shumë sa atë (dijen) dhe ndoshta sa ne prindërit, mësuesen tuaj, që do tju motivojë, nxisë dhe tju tregojë rrugët e duhura. Do tju lavdërojë dhe qortojë pa pushim, do tju përkëdhelë me hijeshi, sikurse do tju bërtasë pa dashje ndonjëherë, duke rritur ndjeshëm ritmin e zemrave tuaja, por gjithmonë brenda një synimi dhe misioni fisnik, të papërsëritshëm.
I dashur biri im! Gara ka filluar dhe brengë-gëzimi im, sikurse i baballarëve të tjerë, ka nisur të zmadhohet me shpejtësi marramendëse. Ne ju duam të gjithëve fitues, por fitues dinjitozë ama!
Dhe mos harro që në fillim, para se të nisësh betejën tënde, se je i barabartë midis të barabartëve, se je i lirë mes njerëzve të lirë si realizim i ëndrrës së brezit tonë. Mos harro se të gjithë, pavarësisht emrave, nuk ndryshoni nga asgjë, se ngjyrat e veshjeve, sikurse pamja janë cilësi të jashtme, të rastit, janë zgjedhje mundësie ose kapriço fati dhe diferencën midis jush e vendos vetëm ajo e dëshiruara-rrezëllitëse: shkalla e pushtimit të Dijes. Është ajo që do tju drejtojë të zbuloni të bukurën, të mirën, virtytin dhe vlerat. Jo vetëm kaq, por do tju aftësojë që ti krijoni ato. Do tju mësojë të përuleni me krenari kur duhet dhe të mos gjunjëzoheni me turp asnjëherë, të shërbeni me devotshmëri dhe të kundërshtoni me mençuri, të mos tërhiqeni kurrë si humbës dhe të bëni paqe gjithmonë si fitimtarë.
Por, njëkohësisht, ti dhe shokët e shoqet e tua duhet të kuptoni, me vitet që do të vijnë, që një Dije e madhe mbetet shterpë pa një zemër të madhe, prandaj botën shiheni me syrin e së mirës dhe bardhësisë. Duke qenë garues, mos harroni se tek e fundit jeni miq dhe se qëllimi juaj është i njëjti. Për të arritur qëllimin, ndërto rrugën tënde, kapërce pengesat e vëna dhe mos vendos pengesa në rrugën e të tjerëve.
Unë e di që në këtë garë do të njohësh gëzim e mërzitje, do zbulosh dashuri dhe inate, do fitosh miq dhe miqësira, ndonjëherë dhe jo, por kjo nuk besoj të të stepë.
Edhe mund të të identifikojnë me gisht si kundërshtar, brenda një sinqeriteti të padënueshëm, por jam i bindur se ti do buzëqeshësh, pasi unë e di mirë që ti dhe të tjerët e sfidoni dhe e refuzoni urrejtjen, sepse entuziazmi fillestar që ti dhe shokët e shoqet tuaj keni sot, është nektari që do tju shtyjë të vazhdoni garën. Të vazhdoni të bëni më të mirën. Të bëni më të mirën për veten, për ne, për familjen, për vendin, sepse unë jam i bindur që ju jeni atdhetarët më të pastër dhe të sinqertë të globit. Këtë e di bukur saktë, sepse jua njoh mirë pasionin tek ju kam parë duke kënduar me gjithë forcën e kraharorit, këngën më të bukur ndër të gjitha këngët e botës: Himnin e Flamurit, apo atë emocionuesen e entuziasten: Xhamadani vija-vija….
I dashur biri im!
Megjithëse mendja ime e percepton saktë faktin që je rritur, pavarësisht se sot çanta që të shoqëron më duket më e rëndë se trupi yt, zemra nuk më bindet. Kam frikë se ajo asnjëherë nuk ka për tu pajtuar me mendjen, për të të quajtur ty të madh. Por ska gjë! Më beso dhe mos mendo se po tregohem i dobët para teje, pasi kjo është diçka që i ndodh të gjithë prindërve dhe njëkohësisht është diçka që nuk të pengon ty dhe shokët e tu të rriteni.
Dorës tënde, të bashkangjitur brenda shtrëngimit tim, sot i duket vetëm gishti i madh, por shpejt unë e di saktë se të tjerët gishta mezi presin, përkundër dëshirës tënde, ta ndjekin atë, me një rrjedhje harmonike, sipas melodisë që Zoti e ka mbjellë midis nesh, deri në shkëputje. Kjo më trishton në fakt, por nuk më brengos, sepse e di se vetëm atëherë unë do ta kuptoj që të kam fituar plotësisht.
I dashur Parid dhe të dashur bashkëmoshatarë të tij! Në fakt, sot është ditë shumë e bukur, por mos u mërzisni tju them që nuk është vetëm e juaja, sepse sot të gjithë ne si prindër, sikurse motrat, vëllezërit, nënat, gjyshërit, ndjehemi se jemi në klasë të parë.
Dhe unë sot, pavarësisht se për mua do jesh gjithmonë më speciali, sikurse dhe më modesti, nuk të kam drejtuar fjalë speciale, por të natyrshme. Thjesht, në këto rreshta kam fiksuar atë fluks mendimesh e dëshirash që të gjithë nënat e baballarët përjetojnë në këtë fillim-shtatori, gjithmonë të paharruar.
Faleminderit që rriteni!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›