Rrimëkëmbja nga kriza e tanishme ekonomike nuk u ngjan precedentëve të së shkuarës
Historia sugjeron se normat e interesit nuk do të mbesin në nivelin rekord të ulët përgjithmonë dhe se kur ndryshimi ndodh, mund të jetë afatshkurtër. Atëherë, pse pra duhet të presim që kësaj radhe do të jetë ndryshe?
Besimi i gabuar se “kësaj radhe është ndryshe”, ka nxitur politikanët që të lejojnë që bumi i kredive i fillimit të vitit 2000 të vazhdojë për bukur një kohë të gjatë, kështu që përgatitja e terrenit për krizën më të madhe financiare është ende një kujtim i freskët. Mirëpo tani, kur vjen puna për rimëkëmbje, besimi se kësaj radhe nuk do të jetë ndryshe mund të rezultojë po ashtu i rrezikshëm. Shumë politikanë dhe ekonomistë kanë vënë re se rimëkëmbja nga kriza financiare e viteve 2007-2008 ka qenë shumë më e ngadaltë sesa shumica e rimëkëmbjeve të epokës së pasluftës, kur janë dashur vetëm më pak se një vit, mesatarisht, për të ringjallur prodhimin dhe për ta rikthyer shkallën e të punësuarve në nivelet e mëparshme. Bazuar në këtë standard, rimëkëmbja e tashme është papranueshëm e ngadaltë, me prodhimin dhe punësimin që ende janë nën nivelin e ulët, siç ishte më parë. Prandaj, politikanët ndihen të justifikuar për përdorimin e të gjitha normave të disponueshme makroekonomike për të arritur një rimëkëmbje që i rikujton ato të së kaluarës. Me ta bërë një gjë të tillë, zyrtarët nuk janë të hapur për të marrë në konsideratë faktin se kriza e fundit ka rezultuar pikërisht nga bumi i papranueshëm kreditor i dalë nga kontrolli. Deri në njëfarë mase, duhej të ishte gjë logjike të pritej një përmbysje e paprecedent, po ashtu. Kur kriza shpërtheu, shumëkush ka shpresuar për një rimëkëmbje në formë të shkronjës V, pavarësisht një mori hulumtimesh që tregonin se rimëkëmbjet nga recesionet të shkaktuara nga krizat financiare janë të prira për të rezultuar me rimëkëmbje më të dobëta dhe të ngadalshme sesa recesionet “normale”. Qortimet se rimëkëmbjet pas krizave financiare janë ndryshe sugjeron se politikat standarde makroekonomike mund të mos kryejnë punë siç zakonisht mund të pritet. Dhe një krahasim transatlantik sugjeron se kjo gjë në të vërtetë edhe është duke ndodhur. Çdokush mund të presë që dridhja nga kriza financiare mund të krahasohet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe eurozonës, duke e pasur parasysh faktin se ato janë të ngjashme në madhësi, kanë një shkallë të ngjashme të diversitetit të brendshëm dhe kanë përjetuar një rritje të ngjashme të çmimeve të patundshmërive (për sa i përket mesatares) gjatë viteve të rritjes së mëparshme. Për më tepër, rritja relative e borxheve në sistemin financiar ishte e ngjashme nga të dyja anët e Atlantikut.
Dhe, ç’është e vërteta, performanca ekonomike amerikane ka qenë shumë e ngjashme me atë të eurozonës që nga fillimi i krizës: GDP-ja sot është ende rreth 2 për qind nën nivelin e vitit 2007 në të dyja anët e Atlantikut. Shkalla e papunësisë në SHBA dhe në eurozonë është rritur për një shifër përafërsisht të njëjtë, po ashtu – tre për qind. Natyrisht, çdokush mund të drejtojë gishtin kah një shtet i ndarë i Evropës të zhytur në recesion. Mirëpo edhe SHBA-ja ka zona në depresion. Të ngjashme me Irlandën dhe Spanjën, janë Nevada dhe Kalifornia (dhe, me Greqinë, Porto Rikon). Krahasimi i duhur është megjithatë ai ndërmjet mesatares së dy ekonomive kontinentale, me që të dyja që karakterizohen nga një diversitet i brendshëm të konsiderueshëm. Këto ngjashmëri në performanca ekonomike janë të habitshme, duke pasur parasysh se politikat makroekonomike në SHBA dhe ajo në BE kanë qenë aq të ndryshme. SHBA-ja ka lejuar që deficiti i vet fiskal të rritet mbi 10 për qind të GDP-së, krahasuar me më pak se 6 për qind të GDP-së në eurozonë. Matur brenda një periudhe kohore prej pesë vjetësh (2007-2012), SHBA-ja megjithatë nuk ka treguar asgjë më mirë se sa eurozona, edhe pse është mbështetur mbi një dozë shumë më të madhe të ekspansionit fiskal. Në SHBA (dhe në Mbretërinë e Bashkuar), deficiti i përgjithshëm qeveritar sot është ende rreth 8 për qind të GDP-së, krahasuar me diç më shumë se 3 për qind të GDP-së në eurozonë, ndërsa hisja e borxhit dhe GDP-së të SHBA-së është rritur deri në më shumë se 41 për qind, krahasuar me “vetëm” 25 për qind në eurozonë. Në të vërtetë, ekonomia që ka thithur dozën më të fuqishme të politikës së ekspansionit është rimëkëmbur më së paku: GDP-ja për kokë banori në Britaninë e Madhe sot është ende 6 për qind nën nivelin e vitit 2007. Natyrisht, të gjithë mund të thonë se Britania i ishte ekspozuar veçanërisht rritjes, për shkak se shërbimet financiare përbëjnë një pjesë të madhe të GDP-së së saj. Mirëpo mbetet edhe më tutje fakt se ekonomia e saj, mbase më fleksibilja në Evropë, nuk është rimëkëmbur nga dridhja e para pesë vjetëve, përkundër stimujve masiv fiskalë dhe monetar, të shoqëruara nga një zhvlerësim i konsiderueshëm.
Për sa i përket ekuilibrit, mund të duket se kësaj radhe – apo, më mirë thënë, në këtë ambient post-krizë – është vërtet ndryshe dhe se politikat makroekonomike kanë ndikuar shumë pak për përmirësimin e gjërave. Shtetet si SHBA-ja dhe Britania, të cilat po akumulojnë borxh me një fluks rekord, po vënë bast se deficiti në fund do të shpaguhet me një ekonomi më të fortë. Mirëpo, ato rrezikojnë të përfundojnë me një shkallë të proporcionit borxh-GDP prej 100 për qind, e cila mund t’i lërë ato në mëshirën e tregjeve financiare me disponim jomiqësor ndaj tyre. Historia sugjeron se normat e interesit nuk do të mbesin në nivelin rekord të ulët përgjithmonë dhe se kur ndryshimi ndodh, mund të jetë afatshkurtër. Atëherë, pse pra duhet të presim që kësaj radhe do të jetë ndryshe?
Autori është drejtor i Qendrës për Studime Politike Evropiane, me seli në Bruksel, ka qenë ministër i Financave i Francës. Shkrimi u botua së pari në portalin “Project Syndicate”